Lojtarët e përfaqësueses tonë po kalojnë momentet e tyre të mira e të hidhura me skuadrat respektive, por tendenca e përgjithshme është e mirë. Shumë të rinj po afirmohen në skuadrat ku janë formuar dhe të tjerë që duan të bëjnë kapërcime në treg, me ambicie për të firmosur me skuadra më cilësore dhe për të vijuar karrierën në një nivel më të lartë në klubet cilësore në Perëndim. Por ka dhe nga ata lojtarë që nuk po e gjejnë veten. Një i tillë është sulmuesi i krahut i përfaqësueses kuqezi, Eros Grezda, i cili nuk është më në planet e klubit skocez, Gllasgou Rejnxhërs, i cili po projekton lojtar tjetër në pozicionin ku ka luajtur futbollisti shqiptar. Nuk është ndonjë surprizë, pasi prej disa javësh trajneri Stiven Xherard ishte shprehur se dëshironte një lojtar tjetër në cilësi teknike nga Grezda, një qëndrim që nuk lë vend për dyshime. Sikurse shprehen mediumet sportive britanike, Eros Grezda duket se nuk ka të ardhme në kampionatin skocez, por një dritare e re si mundësi për të vjen nga vendi përballë ishullit, sepse për kosovarin ka interesime nga Franca. Paraqitjet e dobëta në sezonin e fundit dhe dëmtimet e shumta, kanë bërë që drejtuesit të mendojnë për një tjetër alternativë dhe Grezdës t’i bëjnë me dije se do të largohet. Franca duket se është destinacioni më i mundshëm për sulmuesin e Kombëtares, duke qenë se në drejtim të tij kanë nisur interesimet. Mediat skoceze bëjnë me dije se Grezdën e kërkojnë dy skuadra nga Liga e Parë në Francë dhe bëhet fjalë për Dijonin dhe Brestin. Klubi skocez shpreson që nga Grezda të përfitojë të paktën 2 milionë paund, aq sa edhe e ka blerë fillimisht nga Osijeku dhe më pas të nisë të mendojë për të tjera largime. Pak kohë më parë, Xherard u shpreh se do të ketë shumë ndryshime në verë dhe tashmë priten vetëm zyrtarizimet e tyre. Kështu që Grezda nuk e ka të sigurt qëndrimin, prandaj kalimi tek ndonjë klub francez është tërësisht i besueshëm.
Xhaka, kapiten i Bazelit, nën komandë 5 shqiptarë
Ndërsa Grezda është në udhëkryq, një tjetër lojtar i Kombëtares po përjeton emocione të kundërt me të. Bëhet fjalë për mesfushorin Taulant Xhaka, i cili ka marrë shiritin e kapitenit tek Bazeli, është shndërruar lider dhe tani ka në komandë grupin. Në brendësi të skuadrës së njohur zvicerane luajnë edhe pesë futbollistë të tjerë me origjinë shqiptare, duke bërë që Bazeli të jetë gjysmë-ekip shqiptar, një fakt i evidentuar edhe nga media sportive zvicerane. Siç shkruajnë vetë gazetat sportive në Zvicër, Bazeli do të nisë sot rrugëtimin në Ligën e Kampionëve, aty ku përballë do të ketë PSV-në në një ndeshje mjaft delikate. Në prag të këtij takimi, klubi zviceran ka dorëzuar në UEFA edhe listën me futbollistë e grumbulluar, ku bie në sy prania e lojtarëve shqiptarë. Jozef Pukaj është një nga portierët në listë, por portieri 19-vjeçar bën pjesë në listën B. Pukaj është pjesë e rëndësishme e skuadrës së të rinjve, ndërkohë që ka luajtur edhe me moshat e Zvicrës duke bërë paraqitje edhe me Zvicrën U-20. Përveç Pukajt, në listën B është edhe mesfushori 18-vjeçar Tician Tushi i cili luan me të rinjtë e Zvicrës. Emrat e afirmuar tashmë, janë Taulant Xhaka, Edon Zhegrova apo edhe Albian Ajeti, ndërkohë që për herë të parë është pjesë e Bazelit në Champions edhe Kemal Ademi, i afruar gjatë merkatos së verës. Pra janë gjashtë shqiptarë në gjirin e Bazelit që do të provojnë emocionet e sezonit të ri me një prej skuadrave më të fuqishme të futbollit zviceran, me një progres të çmuar vitet e fundit në kompeticionet e UEFA-s. Duhet thënë se nga Bazeli kanë dalë edhe dy talentet e tjerë shqiptarë, Xherdan Shaqiri dhe Granit Xhaka, i pari pjesë e Liverpulit, kurse Xhaka pjesë e Arsenalit ku ka marrë edhe shiritin e kapitenit. Pra dy vëllezërit Xhaka janë kapitenë, njëri me Bazelin, tjetri me Arsenalin. Sukses i madh për familjen Xhaka.
Adriatik BALLA