Lëvizja Socialiste për Integrim rrezikon të zhduket fare si parti. Teksa nga njëra anë Monika Kryemadhi vendosi të djegë mandatet dhe të mos hyjë në zgjedhjet lokale të 30 qershorit, nga ana tjetër janë vënë në lëvizje socialistët për t’i dhënë goditjen finale LSI. Kryeministri Edi Rama pak ditë më parë zhvilloi një mbledhje me Kryesinë e Partisë Socialiste, në fokus të së cilës kanë zgjedhjet lokale të 30 qershorit. Burime nga mbledhja i thanë gazetës se i pari qeverisë ka deklaruar se rezultati, ku PS fitoi 60 bashki nga 61 duhet i ka veshur socialistët me përgjegjësi dhe se duhet të punojnë fort për të përmbushur premtimet. Mirëpo, për të arritur objektivin, mësohet se Rama ka kërkuar nga vartësit e tij që të porosisin gjithë kryebashkiakët e rinj që sapo të marrin detyrën e re, të kenë kujdes me personelin dhe nëpunësit e bashkive. Në këtë kontekst, mësohet se shefi i qeverisë ka kërkuar që në ato bashki që drejtohen nga LSI të punohet fort që të gjithë nëpunësit që i përkasin kësaj force politike jovetëm që të mos hiqen nga puna por të ftohen që t’i bashkohen PS. Pra, në këtë pikë mësohet se Rama ka qenë i prerë duke iu kërkuar vartësve të vetë që ta çojnë deri në fund planin për të shkrirë Lëvizjen Socialiste për Integrim si parti. Shkrirja e LSI është një premtim i kahershëm i kësaj mazhorance dhe duket se tanimë kjo strategji duket se do të përfundojë me sukses. Gazeta e ka deklaruar që në 2017 që në mënyrë të përsëritur në mbledhje grupi, Kryesie, madje edhe në Asamble, Rama ka kërkuar që LSI të shkrihet me çdo kusht. Ndërkohë që, këtë skenar të socialistëve për të asgjësuar LSI-në e ka zbuluar pak ditë më parë edhe Presidenti Ilir Meta, kur theksoi se Rama i ka çuar disa SMS-së, duke i bërë të ditur se pas zgjedhjeve të 30 qershorit Lëvizja Socialiste për Integrim do të shkërmoqet. Por si do kapitullojë LSI? Mësohet se një nga taktikat që socialistët do të përdorin kundrejt militantëve të Lëvizjes Socialiste për Integrim është se do t’i ftojnë në Partinë Socialiste, duke iu kujtuar që në fillim kanë qenë socialistë. Ndërsa një tjetër taktikë që socialistët do të ndjekin për të joshur militantë, është gjatë takimeve me militantët do t’u kërkojnë këtyre të fundit që t’i bashkohen PS, pasi LSI nuk do të vijë më në pushtet dhe se vetëm Partia Socialiste ua garanton vendin e punës. Ndërkohë që taktika tjetër është shkarkimi nga puna.








































