Google search engine
Home Aktualitet Rama furtunë në degë, analizë në çdo qytet për rezultatet e zgjedhjeve,...

Rama furtunë në degë, analizë në çdo qytet për rezultatet e zgjedhjeve, shkarkime në zonat me pjesëmarrje të ulët

0
352

Rezultati i zgjedhjeve vendore të 30 qershorit pritet të sjellë furtunë në radhët e socialistëve. Në shumë qytete pjesëmarrja në zgjedhjet e së dielës ishte e dobët, ndërsa shumë fletë votimi dolën të pavlefshme. Edhe pse në këto zgjedhje Partia Socialiste doli fituese, duke marrë drejtimin e plot 60 bashkive, rezultati i 30 qershorit duket se nuk e ka kënaqur aspak kryeministrin Edi Rama. Sipas burimeve pritet që të ketë ndryshime në shumë degë të PS. Kështu në kuadër të zgjedhjeve të 30 qershorit, socialistët kanë nisur një tur nëpër qytetet, ku do të analizojnë rezultatin që sollën zgjedhjet lokale për këtë parti. Burime nga selia rozë i pohuan gazetës se do të analizohet numri i votave, teksa në ato zona ku numri i votave është më i lartë se vitit 2017 degët nuk do të reformohen. Ndërkohë që, mësohet se në ato zona, teksa numri i votave që ka marrë Partia Socialiste është më i vogël, krahasuar me zgjedhjet e fundit parlamentare, madje edhe me ato lokale të vitit 2017, degët socialiste do të përfshihen nga furtuna e largimeve. Sipas informacioneve, mësohet se më të rrezikuar për t’u shkarkuar nga detyra janë kryetarët e degëve të PS në ato zona, ku kjo forcë korri më pak vota se zgjedhjet e fundit. Megjithatë, gjithçka do të qartësohet dhe do të vendoset gjatë mbledhjes së Asamblesë së Partisë Socialiste, e cila sipas informacioneve pritet që të mblidhet në fund të muajit korrik.

PS nis analizën e zgjedhjeve në Elbasan

Sinjalin se Partia Socialiste ka nisur analizën, sa i takon rezultatit të zgjedhjeve lokale të 30 qershorit e ka dhënë dje kreu i grupit të PS, Taulant Balla. Ky i fundit ditën e djeshme zhvilloi mbledhje me Asambletë e Partisë Socialiste në Gramsh, Cërrik dhe Librazhd. Sipas Ballës, zgjedhjet e 30 qershorit treguan një mbështetje të jashtëzakonshme për PS, madje, një mbështetje më të madhe se viti 2017 në zgjedhjet parlamentare. “Në 30 Qershor Partia Socialiste mori 15 mijë vota më shumë në Qarkun e Elbasanit në krahasim me vitin 2017. Qytetarët treguan se janë për shtetin me rregulla dhe me ligje dhe jo për kaos”, deklaroi ai. Ndërsa në takimin me Asamblenë e PS në Librazhd, Balla theksoi se kjo zonë shënoi një pjesëmarrje të konsiderueshme në zgjedhje, duke fajësuar edhe kushtet e motit pse qytetarët nuk morën në proces. “Pjesëmarrja jonë ishte në kushtet e një normaliteti zgjedhor. Nuk kishte ndonjë dallim nga zgjedhje tejet normale ku marrin pjesë edhe ato që kanë qenë partitë kryesore të opozitës. Nëse në një palë zgjedhje normale, në shkallë kombëtare marrin pjesë 46%, në Bashkinë Librazhd morën pjesë 37.54% në zgjedhjet e 30 qershorit. Pra, kanë mbetur pa marrë pjesë vetëm 8.5% e popullsisë dhe në kushtet e një vape të madhe, të sezonit bujqësor shumë të angazhuar dhe të një klime politike, jo ashtu siç duhet, duhet të falenderoj popullin e Librazhdit që zgjodhi të respektojë shtetin me rregulla dhe me ligje”, u shpreh ai. Ndërsa në takimin në asamblenë e Gramshit numri dy të PS Balla theksoi se askush nuk mundi të ndalë popullin të shprehë vullnetin e tij me votë. “Për ne 30 qershori ishte një moment shumë i rëndësishëm i cili tregoi që shqiptarëve, askush nuk mund t’ua heqë të drejtën për të votuar, për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur. Pati një përpjekje të paimagjinueshme, në të cilën u përfshi, jo vetëm opozita, por për fat të keq, edhe Presidenti i Republikës, për t’i hequr të drejtën popullit të Gramshit për të zgjedhur kryetarin e bashkisë. Kjo përpjekje mori fund në 30 Qershor, ne tani duhet të fillojmë menjëherë punën”, nënvizoi Balla.

Rigels Seliman

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here