Hyrja në shina e reformës në drejtësi duket se po shqetëson jashtë mase presidentin Ilir Meta. Prej ditësh ai ka nisur një sulm ndaj reformës në drejtësi, ndërsa i dërgoi dhe një letër Këshillit të Lartë Gjyqësor sa i takon përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Por letra e presidentit duket se bie ndesh me Kushtetutën, ligjin për organet e reja të drejtësisë dhe me ligjin për statusin e gjyqtarit dhe prokurorit. Meta e ka argumentuar letrën e tij te fakti se Kushtetuta i jep atij të drejtë emërimi, por që në fakt roli i tij është honorifik. Nëse shihet me kujdes ligji dhe Kushtetuta, Meta ka vetëm rol dekretimi në emërimin e anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Sipas ligjit, emrat zgjidhen nga Këshilli i Lartë Gjyqësor dhe Meta vetëm duhet t’i aprovojë. Por edhe nëse ai rrëzon dikë, KLGJ ka të drejtë që ta rrëzojë vendimin e Metës. Pra jemi njësoj si me ligjet që miraton Parlamenti. Parlamenti nuk i jep llogari Metës se kur dhe si i miraton ligjet, por vetëm ja çon për dekretim. Nëse ky i refuzon, Parlamenti ka të drejtë ta rrëzojë presidentin, njësoj si KLGJ. Pra, presidenti duket se ka cenuar pavarësinë e gjyqësorit. Deri në fund të 2018 Ilir Meta ishte kryetar i KLD dhe kishte gjithë mundësinë të fuste në shina gjyqësorin, por nuk e bëri. Arsyeja që u shkri KLD dhe u krijua KLGJ ishte pikërisht që të hiqej presidenti në mënyrë që drejtësia të jetë e pavarur. Sipas ligjit, i vetmi institucion ku KLGJ jep llogari është Kuvendi. “Këshilli i Lartë Gjyqësor raporton para Kuvendit mbi gjendjen e sistemit gjyqësor gjatë vitit të mëparshëm kalendarik, jo më pak se një herë në vit. Raporti përshkruan veprimtarinë e Këshillit dhe të komisioneve të tij, si dhe përmban rekomandimet për përmirësimet e nevojshme. Raporti i përcillet Kuvendit jo më vonë se data 1 maj e çdo viti. Raporti publikohet në faqen zyrtare të Këshillit, si dhe me çdo mënyrë tjetër që vlerësohet e përshtatshme nga Këshilli. Këshilli i përgjigjet kërkesës së Kuvendit për të paraqitur raportin dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve në lidhje me të”, thuhet në nenin 82 të ligjit për organet e qeverisjes së drejtësisë. Pra, përveç Kuvendit, askush tjetër nuk mund t’i kërkojë llogari KLGJ. Madje në ligj presidenti përmendet vetëm në një pikë.
Shkeljet
Me letrën që Meta i çoi KLGJ duket qartë se po ushtrohet presion dhe njëkohësisht po cenohet pavarësia e gjyqësorit. Kur u hartua reforma në drejtësi, gjithë qëllimi ishte që të kemi një drejtësi jashtë politikës. Deri dje anëtarët e Kushtetueses dhe Gjykatës së Lartë zgjidheshin nga Parlamenti, tani jo. Kjo u bë për të hequr duart e politikës. Po ashtu, Meta është në shkelje të nenit 288 në ligjin për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë. Në këtë nen parashikohet ngritja e Komisionit të pavarur për koordinimin, monitorimin dhe ndjekjen e zbatimit të ligjit. Ky komision është ngritur dhe pjesë e tij janë 5 juristë të njohur që nuk kanë lidhje me politikën. Sipas nenit në fjalë, vetëm ky komision ka të drejtë të kërkojë llogari për zbatimin e ligjit, komision i cili është pjesë e Kuvendit. “Jo më vonë se 15 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Kuvendi krijon një komision të pavarur për monitorimin e proceseve të përzgjedhjes së kandidatëve dhe të zgjedhjes së emërimit të anëtarëve të organeve të qeverisjes të sistemit të drejtësisë. Komisioni i pavarur miraton rregullat e veprimtarisë së tij. Komisioni ndihmohet në ushtrimin e funksioneve të tij nga administrata e Kuvendit. Komisioni i pavarur bën koordinimin midis institucioneve dhe organeve që zbatojnë parashikimet ligjore të këtij ligji, si dhe ndjek ecurinë e zbatimit të parashikimeve ligjore nga institucionet respektive, të parashikuara në ligj, brenda afateve ligjore të parashikuara”, thuhet në ligj. Skandali me letrën e presidentit është ku kundërshton Euralius mbi mënyrën e plotësimit të vakancave në Gjykatën e Lartë. KLGJ nuk mund t’i japë askujt llogari mbi rrugët që ndjek, pasi kushdo mund t’i drejtohet gjykatës.
Kliti Topalli








































