Google search engine
Home Politike Parlament Ndryshon ligji, ja si do të eliminohen emërimet nepotike në drejtësi, nuk...

Ndryshon ligji, ja si do të eliminohen emërimet nepotike në drejtësi, nuk ka më familjarë dhe të afërm në gjykata dhe prokurori

0
520
Processed with VSCO with au5 preset

Kuvendi po ecën në rrugë të drejtë për amendimin e neneve të ligjeve të reformës në drejtësi të rrëzuara nga Gjykata Kushtetuese. Së fundmi, në Parlament janë depozituar dy ligjet e reja që do të zëvendësojnë ato të hedhurit poshtë nga Kushtetuesja. Një nga këto ligje është ai “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, nenet e të cilit kanë ndryshuar rrënjësisht. Drafti i këtij ligji, i cili pritet të miratohet brenda korrikut nga Parlamenti, është siguruar nga gazeta dhe një detaj mjaft interesat është se përmban një nen që eliminon emërimet nepotike në sistemin e drejtësisë. Sipas nenit 1 të ligjit që pret të diskutohet në komision, një magjistrat nuk mund të emërohet në një gjykatë a prokurori nëse aty punojnë edhe të afërmit e tij. “Papajtueshmëria ambientale, në kuptimin e këtij neni, krijohet për shkak të lidhjeve të ngushta familjare mes magjistratëve, që janë përkatësisht bashkëshorti/ja, bashkëjetuesi/ja, ose të afërmit e tij deri në shkallë të dytë. Këshillat gjatë emërimit, transferimit, lëvizjes paralele apo ngritjes në detyrë të një magjistrati, për aq sa është e mundur dhe pa cenuar në mënyrë jopropocionale të drejtën për zhvillimin normal të karrierës profesionale të magjistratit, marrin masa për të shmangur papajtueshmërinë ambientale, sipas pikës 3, të këtij neni, me qëllim që të garantohet besimi i publikut në sistemin e drejtësisë, pavarësia dhe paanësia e magjistratit, eficenca e gjykatave dhe zyrave të prokurorisë në dhënien e drejtësisë”, thuhet në ligj.

Rastet e ndalimit

Aty janë të përcaktuar edhe të gjithë rastet kur një gjyqtar a prokuror nuk ushtron dot detyrën për shkak të lidhjeve familjare. “Përbëjnë papajtueshmëri ambientale rrethanat e mëposhtme: nëse respektivisht në të njëjtën gjykatë ose prokurori, ku magjistrati kërkon të caktohet, ushtron funksionin një magjistrat tjetër, që ndodhet në kushtet e pikës 1 të këtij neni; nëse gjyqtari që kërkon të caktohet në një gjykatë administrative të shkallës së parë, ndodhet në kushtet e pikës 1, të këtij neni, me një gjyqtar tjetër, që ushtron funksionin në Gjykatën Administrative te Apelit, si dhe anasjelltas; c) nëse gjyqtari që kërkon të caktohet në seksionin civil të gjykatës së zakonshme të shkallës së parë ndodhet në kushtet e pikës 1, të këtij neni, me një gjyqtar tjetër, që ushtron funksionin në seksionin civil të gjykatës së apelit, që ka nën juridiksion gjykatën e zakonshme të shkallës së pare, si dhe anasjelltas”, sqarohet në ligj. Dihet që ish-KLD dhe Prokuroria e Përgjithshme gjatë këtyre viteve kanë kryer shumë emërime nepotike, ku në të njëjtën gjykatë a prokurori kanë qenë edhe familjarët e një magjistrati. Por tani duket se një gjë e tillë do të marrë fund.

Mandati i prokurorit të SPAK

Një tjetër pikë interesante e ligjit të ndryshuar është neni ku përcaktohet se sa do të jetë mandati i prokurorëve të Strukturës së Posaçme Antikorrupsion. Sipas nenit 5, kur një prokuror i SPAK mbush 67 vjeç, mandati i tij mbaron. “Mandati i Prokurorit të Zyrës së Prokurorisë së Posaçme mbaron në fundin e muajit në të cilin mbush moshën 67 vjeç, pavarësisht viteve që ai ka qenë në detyrë në këtë pozicion. Pika 5 ndryshohet si më poshtë: Statusi i magjistratit mbaron në fund të muajit në të cilin magjistrati mbush moshën 67 vjeç. Këshilli deklaron me vendim mbarimin e statusit të magjistratit jo më vonë se dy javë para fundit të muajit përkatës”, thuhet në ligjin e ndryshuar  “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here