Avokat Idajet Beqiri ka zbardhur procedurat që do të ndiqen për shkarkimin e presidentit Ilir Meta nga detyra. Nesër Kuvendi mblidhet në seancë plenare, ku do të ngrihet komisioni hetimor për Metën. Beqiri ka treguar hapat që do ndjekë fillimisht komisioni. “Procedura e shkarkimit të Presidentit të Republikës Ilir Meta tashmë ka avancuar shumë. Jemi në fazën e Komisionit Hetimor. Ky Komision do të evidentojë shkeljet kushtetuese të bëra nga Presidenti i Republikës, natyrën e tyre, në cilën kategori futen dhe duhen kualifikuar. Presidenti i Republikës do të thirret në Komision. Thirrja e tij është detyrim ligjor për Komisionin. Paraqitja ose mos paraqitja e Presidentit në këtë Komision është zgjedhje e tij. Komisioni Hetimor do të përgatisë raportin për Kuvendin e Shqipërisë, i cili do të zhvillojë debat parlamentar. Në këtë debat thirret për të marrë pjesë Presidenti i Republikës. Nëse ai nuk paraqitet pa shkak, debati vazhdon dhe më në fund, nëse Kuvendi arrin në konkluzionin se Presidenti i Republikës e ka shkelur rëndë me dashje, me votim të cilësuar prej 93 vota shkarkohet”, tha avokati. Më tej Beqiri është shprehur se e gjithë dosja e krijuar me të gjitha materialet brenda, që nga nisma e mbi 1/4 së deputetëve e deri te vendimi i Kuvendit të Shqipërisë për shkarkimin e Presidentit, i përcillen Gjykatës Kushtetuese e cila miraton ose jo vendimin e Kuvendit të Shqipërisë. “Gjatë kohës që Kuvendi i Shqipërisë ka vendosur shkarkimin e Presidentit të Republikës e deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese, Presidenti i Republikës është në detyrë, por veprimtaria e tij është tepër e kufizuar. Ai nuk mund të marrë dot vendime të rëndësishme që merr çdo kryetar shteti në bazë të kompetencave kushtetuese. Nëse në këtë hapësirë kohore deri në vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese vërehen raste abuzimi me kompetencat prej Presidentit të Republikës, Kuvendi i Shqipërisë e pezullon nga detyra Presidentin dhe kompetencat e tij i ushtron Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë”, ka vijuar ai.








































