Ambasadori rus Alexander Kaprushin vijon të tregohet i butë me presidentin Ilir Meta. Pak kohë më parë ai sulmoi ashpër kryeministrin për sulmet e tij ndaj Moskës, por nuk bëri të njëjtën gjë për presidentin. E njëjta gjë ka ndodhur dhe dje. Ai ka dhënë një intervistë televizive dhe i pyetur mbi deklaratat e ditëve të fundit të presidentit Meta ndaj ndërkombëtarëve, ai i anashkaloi totalisht. “Diplomacia ruse i përmbahet vijueshmërisht parimit të mosndërhyrjes në punët e brendshme të vendeve të tjera. Këtu përfshihet edhe Shqipëria. Unë jam absolutisht i bindur se populli juaj është në gjendje të zgjidhë vetë problemet e tij. Dallimet tuaja politike na interesojnë vetëm nga pikëpamja e sigurisë së qytetarëve tanë, si të atyre që jetojnë këtu, por edhe të atyre që ndodhen në Shqipëri me pushime. Rusia është e gatshme të bashkëpunojë me çdo qeveri shqiptare, pavarësisht forcës politike që ato mund të përfaqësojnë. I vetmi kusht për çdo bashkëpunim është shfaqja e interesit nga ana juaj dhe zbatimi i parimeve të përfitimit dhe respektit reciprok”, tha ambasadori. Më tej, ai u tregua i zhgënjyer me marrëdhëniet mes qeverisë shqiptare dhe asaj ruse. Sipas ambasadorit, Shqipëria nuk ka marrëdhënie tregtare me Moskën. “Për fat të keq, më duhet të pranoj se bashkëpunimi në fushën tregtare dhe ekonomike midis vendeve tona është praktikisht në nivelin zero dhe nga kjo pësojnë humbje, në radhë të parë, qytetarët dhe rrethet e biznesit të vendit tuaj. Sot, pala shqiptare nuk ka ndonjë interes pragmatik për të ndërtuar marrëdhënie reciproke të dobishme me Rusinë. Krijohet një përshtypje se politika e jashtme e shtetit tuaj ndodhet nën një ndikim të lartë nga forca të treta. Përveç kësaj, Shqipëria, për të justifikuar qëndrimin e saj, i referohet solidaritetit famëkeq euroatlantik, por po ai anëtarësim në NATO dhe BE nuk e pengon Italinë, Slloveninë, Greqinë apo shumicën dërrmuese të vendeve evropiane për të bashkëpunuar dhe zgjeruar në mënyrë aktive bashkëpunimin me Rusinë. Pse Shqipëria nuk mund të bashkëpunojë? Por kjo është një pyetje që ju duhet t’ua drejtoni vetë drejtuesve tuaj”, tha ai. Po ashtu ambasadori ka këmbëngulur se nuk ka pasur financim rus për lobimet e PD në SHBA.








































