Partia Demokratike denoncoi ditën e djeshme një tjetër skandal nga manipulimi i procesit të 30 qershorit, ku sipas saj vetëm në Elbasan, rezulton se janë më rreth 5 mijë vota më shumë sesa votues për kandidatin e vetëm në garë të Partisë Socialiste. Kjo është bërë publike dje nga ish-deputeti Oerd Bylykbashi, i cili është dhe ekspert zgjedhor i PD. Përmes një statusi në rrjetet sociale ai shpjegon se shifrat e KQZ tregojnë manipulime të frikshme. Ai rrëzon argumentet e KQZ për gabime njerëzore, duke shpjeguar se raportimi i shifrave edhe në mënyrë paraprake nga komisionet është detyrim ligjor. “Halli i Ramës po e degradon KQZ në karagjozllëk që të kthen stomakun mbrapsht. KQZ thotë që gabimi në raportim vjen nga raportimi me telefon dhe se zonat e largëta me mbulim të keq valësh telefonike kanë ndikuar. Ja po e pranojmë një moment këtë mufkë. Po skandali që e tregon vetë tabela e KQZ për Elbasanin? Çfarë janë këta votues fantazmë? Po mashtrimin me përqindje që bëri KQZ për orën 11:00 duke deklaruar 12% pjesëmarrje kur shifrat e raportuara nga komisionet tregonin vetëm 6%? Apo edhe për ketë e kishin fajin valët e telefonisë celulare nga një zyrë e KQZ në tjetrën? Nuk ka ndodhur kurrë më parë kjo fshehje e të dhënave nga KQZ dhe kurrë nuk ka pasur debat për pjesëmarrjen. Po ndodh kësaj radhë sepse Ramës i duhet pjesëmarrja, jo rezultati. Në 2009 Rama u ënjti veshët shqiptarëve me sloganin “Hap kutitë ose largohu!”. Urdhri i tij sot për katër kamikazët socialistë të KQZ është: Mos hapni kutitë sepse largohem”, deklaroi Bylykbashi. Ndërkohë dje kryetari i PD Lulzim Basha ka vizituar qytetin e Kavajë në të cilin ka takuar simpatizantë të PD. Në një takim informal me drejtuesit e degës në Kavajë ai tha se beteja për zgjedhje të lira dhe të ndershme nuk ka kthim derisa ajo të fitohet. Më pas kryedemokrati i shoqëruar nga sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi dhe kryetari në detyrë i Bashkisë së Kavajës Isa Sakja. Nën rrezet e diellit të pasdites Basha shfaqet i qeshur dhe i lumtur me simpatizantët e tij në Kavajë, duke ditur se dy ditë më vonë zhvillon protestën e 10-të kombëtare të opozitës. Darka e ka zënë Bashën në Elbasan në një takim me strukturat e PD. Kësaj radhe lideri demokrat është pritur nga ish- deputetët Endri Hasa dhe Aurel Bylykbashi si dhe kreu i PD në Elbasan, Eugen Isaj.
Home Aktualitet Bylykbashi akuza KQZ se manipuloi zgjedhjet e 30 qershorit, Basha mobilizon degët...








































