Hyn në fuqi vendimi, ja kriteret e reja për përfitimin e kredive të buta, procedurat e plota për subvensionimin e familjeve në nevojë

0
414

Ka hyrë në fuqi vendimi i qeverisë për kriteret e reja mbi dhënien e kredive të buta nga shteti. Vendimi u mor ditën e mërkurë dhe dje është publikuar në Fletoren Zyrtare, duke hyrë menjëherë në fuqi. Sipas këtij vendimi, pas aplikimit për kredi të butë, njësitë e vetëqeverisjes vendore, brenda kuotave të përcaktuara paraprakisht nga ministria përgjegjëse për strehimin (numrit të familjeve që përfitojnë), miratojnë listën e familjeve sipas sistemit të pikëzimit të miratuar prej tyre dhe që plotësojnë kushtet e mëposhtme: Kanë të ardhura mujore jo më të larta se të ardhurat mesatare të njësisë së vetëqeverisjes vendore përkatëse dhe nuk përballojnë dot pagesat e kredisë për blerjen e një banese me vlerë jo më të madhe se mesatarja e vlerave të tregut në atë njësi dhe me sipërfaqe jo më të madhe se normat e strehimit; Nuk disponojnë banesë në pronësi ose disponojnë sipërfaqe banimi nën normat e strehimit, apo janë zhvendosur nga banesat, sipas parashikimeve të nenit 6, të ligjit nr.22/2018. Sipas vendimit, për verifikimin e kushteve të mësipërme, strukturat përgjegjëse për strehimin, në bashkëpunim me administratorët shoqërorë, krahas verifikimit të dokumentacionit përkatës mund të kryejnë në vendbanimin e familjes verifikime që lidhen me gjendjen e banesës dhe me sipërfaqen e saj. “Struktura përgjegjëse për strehimin në njësinë e vetëqeverisjes vendore shpall listat e aplikuesve nëpërmjet njoftimit në faqen e saj të internetit si dhe njoftimit publik në vende të dukshme. Çdo individ/ familje, që pretendon se nuk figuron në lista, ka të drejtën të paraqitet për verifikim. Pasi shqyrtohet dhe plotësohet dokumentacioni, individi/familja përfshihet në listë dhe bëhet njoftimi publik i listës së re të aplikuesve, brenda 10 ditëve. Individi/familja që aplikon për subvencionimin e interesave të kredisë paraqet në strukturën përkatëse të njësisë së etëqeverisjes vendore dokumentacionin që lidhet me plotësimin e kushteve të përgjithshme. Lista e familjeve që plotësojnë kushtet e subvencionimit të interesave të kredisë miratohet me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore”, thuhet në dokument. Më tej theksohet se miratimi, me vendim të këshillit të njësisë së vetëqeverisjes vendore, i listës së familjeve që plotësojnë kushtet për subvencionimin e interesave të kredisë, nuk e bën familjen automatikisht përfituese. Institucioni ndjek të gjitha procedurat e veta për përfitimin e kredisë dhe verifikon aftësinë përballuese të individit/familjes, mbështetur në të ardhurat që kanë, me qëllim që përfituesi të zgjedhë në treg për blerje me kredi një banesë që i përshtatet kushteve specifike të tij. Në vendim bëhet e ditur se institucioni financiar bën vlerësimin për banesën e zgjedhur dhe aftësinë për ta përballuar shlyerjen e kësteve të kredisë nga përfituesi, mbështetur në programin e subvencionimit të interesave të kredisë.

Masa e subvencionimit

Masa e subvencionit të interesave të kredisë për familjet që përfitojnë kredi të lehtësuara nga shteti, për banesa me kosto të ulët, bazuar në ligjin nr.22/2018, “Për strehimin social”, është e barabartë me diferencën që rezulton ndërmjet interesit vjetor të kredisë në tregun e lirë me interesin në varësi të aftësisë përballuese të familjes, me kusht që interesi dhe principali që paguan familja të mos jenë më të mëdha së aftësia e familjes për t’i përballuar, sipas përcaktimeve të nenit 3, të ligjit nr.22/2018, “Për strehimin social”. Në rastet kur këstet mujore me interes të subvencionuar rezultojnë më të larta se aftësia e familjes për t’i përballuar ato, familja kalon për trajtim në një program tjetër të përballueshëm për të. Sipas vendimit, llogaritja e masës së subvencionit të interesave të kredisë bëhet në momentin e lidhjes së kontratës për marrjen e kredisë, ndërmjet individit/familjes përfituese dhe institucionit financiar, mbështetur në marrëveshjen e nënshkruar ndërmjet institucionit financiar dhe ministrisë përgjegjëse për strehimin ose njësisë së vetëqeverisjes vendore. Përjashtim nga ky rregull janë familjet qiramarrëse që banojnë në banesa, pronë e subjekteve të shpronësuara, të cilat përfitojnë subvencion 100% të interesit të kredisë. Këto familje paguajnë vetëm principalin e kredisë me interes 0%. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here