Pushtetarët shqiptarë vijojnë të jenë mes emrave me pasuri të lartë. Deputetë, ministra,ish-ministra dhe drejtorë drejtorish rezultojnë me deklarime miliona eurosh në Inspektoratin e Lartë të Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive. Gazeta po publikon sot pasuritë e deklaruara për vitin 2018 nga ministrat e qeverisë “Rama”. Pasurinë e kryeministrit e publikuam pak ditë më parë, ndërsa tani po japim detaje mbi pronat, llogaritë bankare dhe të ardhurat e tjera, nga zv/kryeministrit, te ministrat. Nëse i marrim me radhë, zv/kryeministri Erjon Braçe nuk ka deklaruar shumë të ardhura për vitin që lamë pas. Sipas deklaratës në ILDKP, Braçe ka përfituar 3.128 euro. Po ashtu ka deklaruar një llogari kursimi me vlerë 397.981 lekë, ndërsa nga puna ka kursyer, 700 mijë lekë. Të ardhurat e vetme në familjen e tij janë paga e tij dhe ajo e bashkëshortes. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale, Ogerta Manastirliu ka deklaruar disa llogari bankare. Sipas të dhënave në ILDKP, ajo ka deklaruar një llogari bankare për punë, ku gjatë 2018 ka pasur 269.858 lekë. Ka deklaruar gjithashtu se është shtuar llogaria e bashkëshortit me 320.338 lekë. Një llogari rrjedhëse është shtuar me 8.294 euro, ndërsa dy llogari të tjera janë pakësuar. Manastirliu ka deklaruar se ka fituar nga paga dhe shpërblimet si ministre, 1.556.406 lekë. Bashkëshorti ka fituar nga puna në OSHEE, 7.880.182 lekë. Po ashtu, ajo ka pasur të ardhura si kryetare bordi në Këshillin e FSDKSH, 153.000 lekë dhe të ardhura si kryetare e Komisionit për Mbrojtjen nga Rrezatimi, 27.200 lekë. Po ashtu Manastirliu vijon të shlyejë një kredi prej 5 milionë lekësh të reja për blerje apartamenti. Kredi bankare, 4.285.204 lekë pa shlyer, nga 5 mln lekë të marra për blerje apartamenti
Pasuria e Lleshajt dhe Ballukut
Ministri i Brendshëm Sandër Lleshaj ka deklaruar një makinë “Honda” me vlerë 12 mijë euro, një depozitë bankare me vlerë 7 milionë lekë të reja, si dhe pagat si ministër, kryetar i Këshillit të Autoritetit të Aviacionit Civil dhe fitimet që ka marrë nga shkarkimi në ushtri pas vendimit gjyqësor. Vajza e tij punon në Gjermani dhe ka deklaruar fitime në një kompani, ndërsa ministri vijon të shlyejë një kredi prej 5 milionë lekësh të marrë në vitin 2008. Ministrja e Transportit ka deklaruar llogari bankare për pagën me vlerë 5.561.362 lekë. Po ashtu, është shprehur se ka një shtim llogarie bankare me 35 mijë euro, nga gjendja CASH deklaruar në 2013. Gjithashtu, ka deklaruar shumat që jep ish-bashkëshorti i saj Sokol Balla për fëmijët.
Pasuria e Denajt, Çuçit dhe Shalsit
Nga pasuritë e ministrave, rezulton se Anila Denaj, ministre e Financave, ka 4 kredi bashkë me bashkëshortin e saj. Ajo ka deklaruar kredi për banesë marrë në 2012 në vlerën 7 milionë lekë bashkë me Nektar Kume, 3.181.819 lekë pa paguar; Kredi në shumën 5 milionë lekë marrë në 2014 bashkë me Nektar Kume, 1.114.452 lekë pa shlyer; Kredi në emër të Artizan SHPK, 5 milionë lekë, 1.119.666 lekë pa shlyer dhe kredi në vlerën 1 milionë lekë bashkë me Nektar Kume, 601.418 lekë pa shlyer. Po ashtu, ka deklaruar dhe një kartë krediti me vlerë 1 mijë euro, pa shlyer. Ndër më të pasurit rezultojnë Shalsi dhe Çuçi. Ky i fundit ka shumë të ardhura nga bashkëshortja, Delina Fico. Ajo punon në SHBA dhe ka deklaruar fitime në 2018 86.456 USD. Po ashtu ka deklaruar dy llogari bankare me 9.457 USD dhe 3.091 USD. Djali i Çuçit ka deklaruar llogari bankare, 20.162 euro. Ndërsa Shalsi ka deklaruar një makinë “Audi Q7” me vlerë 20.000 euro. Po ashtu ka deklaruar 7.920 euro fitime nga dhënia me qira e apartamentit, ndërsa bashkëshortja e tij ka mjaft të ardhur nga puna si arkitekte./ Kliti Topalli