Vendet vakante të lëna nga Lëvizja Socialiste për Integrim në Parlament janë plotësuar. Në 2017, kjo parti morri 19 deputetë, por mbeti me 17 pas braktisjes nga Robert Bitri dhe Lefter Koka. Dje ka dorëzuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve formularin e dekriminalizimit Ramadan Gjuzi, duke bërë që të plotësohen të 17 vakancat. Kjo do të thotë që çfarëdo lloj marrëveshje që të arrihet tani, të besuarit e Monika Kryemadhit nuk mund të rikthehen dot në Parlament. Kjo ishte goditja e parë që mori LSI nga djegia e mandateve, por tronditja mund të vijë në 30 qershor, nëse nuk kemi një marrëveshje Rama-Basha. Nëse Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim nuk futen në zgjedhje, e sigurt është që kjo e fundit do të shkrihet. LSI dihet që mbështetjen më të madhe e ka nga militantët që janë punësuar prej saj dhe të vetmit që kanë mbetur janë punonjësit e 7 bashkive të drejtuara nga Lëvizja Socialiste për Integrim. Por duke mos marrë pjesë në zgjedhje, LSI do i humbë bashkitë dhe me shumë gjasë edhe mbështetjen popullore. Kjo do të thotë se partia e presidentit rrezikon seriozisht të shkrihet.
Vendet bosh në Kuvend
Ndryshe nga partia e presidentit e cila rrezikon shkrirjen totale, për Partinë Demokratike situata është më ndryshe. Ndonëse ditët e fundit KQZ ka përshpejtuar procedurat, kandidatët e listës shumëemërore të Bashës kanë qenë më “besnik”. Partia Demokratike la në Parlament 41 vende bosh, nga të cilat deri tani janë plotësuar vetëm 23. Tashmë KQZ ka thirrur të gjithë kandidatët e listave, dhe askush nuk ka pranuar mandatin. Në këto kushte kur mundësitë kanë shteruar, nga vendet e PD në Kuvend kanë ngelur 18 vende bosh. Partia e Bashës mori në Qarkun Fier 3 mandate, nga të cilët asnjë nuk ka pranuar të marrë mandatin. Ndërsa Qarku i Tiranës ka rrjedhjet më të mëdha. Vetëm 2 vende janë bosh, dhe 8 të tjerë kanë pranuar mandatin e deputetit. Ndërsa në Qarkun Dibër është zëvendësuar vetëm një mandat, duke lënë dhe një karrige bosh. Partia Demokratike mori në Durrës 4 mandate, nga të cilët 2 kanë pranuar mandatin e deputetin dhe dy vende janë ende vakante. Në Vlorë është bosh një vend, teksa 2 kanë pranuar mandatin. Të 4 mandatet e djegura të Korçës janë zëvendësuar totalisht. Në Shkodër Basha arriti të siguronte 5 mandate, nga të cilat 2 deputet pranuan mandatin ndërsa tre vende të tjera janë ende bosh. Edhe Berati është zëvendësuar tërësisht. Në Lezhë nuk ka asnjë “tradhtar” demokrat. Të tre karriget e djegura janë bosh. Karrigia e vetme e djegur në Gjirokastër është plotësuar, ndërsa në Elbasan janë dhe dy karrige bosh, ndërsa vetëm 1 pranoi mandatin. Në total, janë 39 deputetë të Partisë Demokratike dhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që kanë zënë karriget, nga 58 që dogjën mandatet. Parlamenti ka 122 mandate dhe 18 mandate i mungojnë. Kujtojmë që pak ditë më parë Vangjel Dule i kërkoi Presidentit Meta të shpërndajë Parlamentin pasi nuk ka 140 deputetë siç e parashikon Kushtetuta, propozim për të cilin presidenti nuk ka bërë asnjë koment. Më herët, akuza ndaj deputetëve të rinj të PD dhe LSI ka hedhur edhe kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi dhe ish-kryeministri Sali Berisha./Elisjeda Kiko