Avancon vetingu, kreu i Gjykatës së Fierit favorizoi kompaninë ku bleu apartamentin, qytetarët ankesa për gjyqtarin e “Hakmarrjes për Drejtësi”

0
324

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka rindezur motorët e vetingut. Ditën e djeshme kanë dalë para komisionit kreu i Gjykatës së Fierit Roland Jaupi, gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda Dhimitër Lara dhe gjyqtari i Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda, Luan Hasneziri. Nga tre emrat e mësipërm, më problematiku rezultoi kryegjyqtari i Fierit, Roland Jaupi. Për pasurinë e këtij të fundit, fillimisht ishte ILDKPKI që konstatoi probleme dhe më pas ishte KPK-ja që ka konstatuar probleme me llogarinë bankare të gruas së tij. Sipas konstatimeve, gruaja e Roland Jaupit kishte në llogarinë e saj shumën prej 13 mijë eurove, të cilat i ka fituar nga tezja dhe bashkëshorti i tezes dhe po ashtu edhe 1 milion lekë dhuratë për të ndjekur studimet. Thënë ndryshe, në total në llogarinë e bashkëshortes së Jaupit u konstatuan rreth 25 mln lekë të vjetra. Po ashtu, problem në gjetjet e gjyqtarit të Gjykatës së Fierit është bërë një apartament 170 m2 dhe një garazh prej 22 m2, të cilat janë në pallatin që ka qenë në proces gjyqësor mes bashkisë dhe firmës për lejen, ku pjesë e trupës ishte edhe Japupaj, i cili i dha të drejtë firmës. Gjyqtari ka qenë pjesë e një procesi ku palë ka qenë dhe firma. Në këtë proces Bashkia Fier ka kërkuar anulim leje për këtë firmë. Por gjyqtarët ku ishte pjesë edhe Jaupaj i dhanë të drejtë kompanisë M.shpk dhe pronat e gjyqtarit janë në të njëjtin pallat për të cilin u bë gjyqi. Babai i gjyqtarit për 2 vite ka përdorur pronën pa asnjë dokument apo pagesë. Ai ka qenë i trajtuar preferencialisht nga firma. “Çmimi i blerjes prej 3 mln lekë i apartamentit dhe 400 mijë lekë garazhi 22 m2 janë shumë më të lira se tregu. Duket se ka një kontratë të çuditshme me tezen”, konstatoi KPK-ja. Vendimi për gjyqtarin Roland Jaupi do të jepet sot, në orën 9:30 dhe me shumë gjasa mund të rrezikojë shkarkimin nga detyra.

Gjyqtari i bandës “Hakmarrja për Drejtësi”

Po ashtu, ditën e djeshme në sitën e vetingut kaloi edhe gjyqtari i Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda, Dhimitër Lara. Sa iu takon pasurisë, anës profesionale dhe kontakteve me botën e krimit Dhimitër Lara rezultoi pa probleme. Atij iu gjetën vetëm disa pasaktësi në deklarime që pas verifikimeve në shifra rezultuan të justifikuara. Por pavarësisht se në tre kriteret rezultoi i pastër, pranë KPK-së ankohen për dosjen “Hakmarrje për Drejtësi” shtetasit Orik dhe Laert Shyti, të cilët fituan pafajësi pas më shumë se dy dekadash procese gjyqësore. Në ankesën e tyre, gjyqtari Dhimitër Lara ka shkelur ligjin dhe ka qenë i përfshirë në korrupsionin politik të atyre viteve që montoi dhe procesin ndaj të akuzuarve. Për këtë ankesë gjyqtari Lara u pyet edhe nga anëtarja e trupës gjykuese Etleda Çiftja. Orik e Laert Shyti fituan pafajësinë pasi dënimet e tyre nga Krimet e Rënda dhe Shkalla e Parë u rrëzuan në Gjykatën e Lartë e cila vendosi rigjykim në Apel me një tjetër trupë, e cila vendosi t’i japa atyre pafajësi. Pas pafajësisë ata akuzuan ish kryeministrin Sali Berisha si personin që fabrikoi procesin “Hakmarrja” dhe akuzat ndaj tyre. Vendimi për të do të jepet ditën e nesërme në orën 09.30.

Shtyhet vetingu për gjyqtarin e Krimeve të Rënda

Komisioni i Pavarur i Kualifikimit u detyrua të shtyjë seancën dëgjimore ndaj gjyqtarit të Gjykatës së Krimeve të Rënda, Luan Hasnezirin, pas një kërkese të këtij të fundit për përjashtim të trupit gjykues. Sipas gjyqtarit, hetimi vetëm në dy kritere dhe fakti që Komisioni nuk ka kryer asnjë hetim shtesë për figurën tregon se trupa gjykuese është paragjykuese për procesin ndaj tij. / Elisjeda Kiko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here