Komisioni i Pavarur kritika Arta Markut për zgjedhjen e Vatë Stakës në KLP: Nuk zbatoi rekomandimet tona

0
347

 Komisioni i Pavarur i Monitorimit të Zbatimit të Reformës në Drejtësi kritikoi dje Prokuroren e Përgjithshme të Përkohshme, Arta Marku. Komisioni i Pavarur raportoi dje në Komisionin e Ligjeve dhe kritikat kishin të bënin me zgjedhjen e prokurorit Vatë Staka si anëtar zëvendësues në Këshillin e Lartë të Prokurorisë. Sipas Komisionit, Marku ka shkelur procedurat për zgjedhjen e Vatë Stakës në KLP dhe nuk ka zbatuar rekomandimet e tij. “Konstatohet se nga Prokuroria e Përgjithshme nuk është mbajtur në konsideratë rekomandimi i Komisionit të Pavarur të Monitorimit sipas raportit të datës 14.12.2018. Në gjykimin e Komisionit të Pavarur, fryma e nenit 114 të ligjit nr.115/2016 si dhe parimi i transparencës së plotë të procesit kërkon që zgjedhja me short e komisionit të votimit, i cili ka autoritet të administrojë procesin e votimit vetëm për atë mbledhje, duhet të bëhet në të njëjtën mbledhje të prokurorëve, në prezencë të tyre. Komisioni i Pavarur i ka sugjeruar Prokurorit të Përgjithshëm ndryshimin e nenit 76, pika 2 të rregullores mbi procesin e votimit në rastin më të parë të mundshëm, duke parashikuar zgjedhjen me short të komisionit të votimit nën përgjegjësinë e Prokurorit të Përgjithshëm, para votimit të prokurorëve, në të njëjtën mbledhje të prokurorëve. Në zbatim të këtij sugjerimi, zgjedhja e komisionit të votimit duhet të ishte pjesë e rendit të ditës së Mbledhjes së Përgjithshme të Prokurorëve të datës 11.04.2019, gjë e cila nuk ka ndodhur”, thuhet në raportin e Komisionit të Pavarur. Një tjetër shkelje që Komisioni ka hasur tek procesi i votimit për Vatë Stakën ishte edhe fleta e votimit për të. “Prokurorët votuan me një fletë votimi, e cila kishte vetëm një emër dhe vetëm një kuti përbri saj për të bërë shënimin votuesi. Komisioni i Monitorimit konstaton se miratimi i fletës së votimit me një kandidat, vetëm me një kuti ku mund të shprehet vullneti i zgjedhësit, e detyron votuesin të shprehë vullnetin vetëm në dy mënyra: të shënojë në kuti ose të mos shënojë. Kjo mënyrë votimi imponon vetëm dy rezultate numërimi: votë pro ose votë e pavlefshme, duke rritur kështu artificialisht numrin e votave të pavlefshme”, vijon më tej raporti i Komisionit të Monitorimit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here