Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka miratuar ditën e djeshme në mbledhje fletën e votimit për zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Ndryshe nga e kaluara, në 30 qershor në garë në pjesën më të madhe të bashkive garojnë të vetëm kandidatë të Aleancës për Shqipërinë Europiane dhe në një pjesë të vogël të tyre garojnë kandidatë nga Bindja Demokratike e Astrit Patozit. Kjo pas vendimit për të djegur në bllok mandatet nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim dhe vendimit ekstrem të Bashës dhe Kryemadhit për të bojkotuar zgjedhjet lokale. Kështu, për bashkinë e Tiranës numri një në fletën e votimit do të jetë Arben Skënderi i Bindjes Demokratike, e ndërsa numrin dy do ta mbajë kryebashkiaku aktual, Erion Veliaj. Në Bashkinë e Durrësit, Valbona Sakollari e Bindjes Demokratike do të jetë e para dhe Valbona Sako e Partisë Socialiste do të jetë e dyta në fletën e votimit. Një tjetër Bashki ku në garë do të jenë dy kandidatë, është Bashkia Korçë, ku sërish kandidati i Bindjes Demokratike, Leonard Olli do të jetë i pari në fletë e ndërsa Sotiraq Filo i Partisë Socialiste u rendit i dyti. Sa i përket Vlorës, Dritan Leli, i cili kandidon nën siglën e Partisë Socialiste u pozicionua i pari në fletën e votimit, e ndërsa Valbona Mezini e Bindjes Demokratike është e dyta. Por përveç këtyre, ka edhe bashki ku mazhoranca do të jetë e vetme në garë. Më konkretisht, në Bashkitë Fier, Lushnje, Elbasan, Partia Socialiste nuk ka një konkurrent. Armando Subashi i Fierit, Fatos Tushe i Lushnjes, Valdrin Pjetri i Shkodrës dhe Gledian Llatja i Elbasanit nuk kanë një kundërshtarë përballë në zgjedhjet vendore të 30 qershorit. Kështu që, për qytetet e mësipërme që Partia Socialiste kandidon si parti e vetme dhe nuk kanë asnjë konkurrent përballë, mund të themi që fituesit e këtyre bashkive janë “zyrtarizuar” që tani. Pas pak ditësh do të nis zyrtarisht edhe çelja e fushatës zgjedhore, e cila do të zgjasë 1 muaj.