Veteranët shpërthejnë ndaj Agron Tufës: Po sulmohemi nga një neofashist me damkë, pretendimet e tij antikombëtare dhe antihistorike

0
372

Deklaratat e studiuesit Agron Tufa kundër luftës partizane, kanë irrituar jo pak njerëz. Edhe pse historianë dhe njohës të asaj periudhe kanë rrëzuar çdo argument të tij, Tufa vijon të pretendojë se shumë partizanë kanë qenë kriminelë. Ndaj deklaratave të Agron Tufës dhe rezolutës së Kuvendit, në të cilën vlerësohet puna e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, ka reaguar Organizata e LANÇ. Përfaqësuesit e saj, përmes një deklarate e kanë cilësuar Tufën si neofashist, i cili po shtrembëron historinë. “Jo vetëm e hedhim poshtë me indinjatë të thellë këtë material (rezoluta) antihistorik, antishkencor dhe antikombëtar, por e quajmë turp dhe faqe e zezë për vetë Parlamentin nëse pranon të dëgjojë broçkullat e një neofashisti me damkë siç është Agron Tufa, i cili merr guximin e paraqet në Parlament një paçavure siç është rezoluta e propozuar prej tij. Ashtu si rezoluta është edhe botimi i një libri me titull: “Krimet e komunistëve gjatë luftës 1941-1945”, ku botohet edhe një listë me 265 emra të komandantëve dhe komisarëve legjendarë të njësive partizane, të luftëtarëve të pamposhtur, të heronjve dhe dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare që Instituti i Tufës i quan “kriminelë”. Vetëm duke e lexuar këtë listë gjithkush do të bindet se deri ku shkojnë marrëzitë e tyre”, thuhet në deklaratën e Organizatës së Veteranëve të Luftës Nacional Çlirimtare.

Studimet e Tufës

Sipas kësaj organizate, instituti i drejtuar nga Tufa duhet të merret me krimet e komunizmit dhe jo me çështjet e luftës partizane. Sipas veteranëve, botimet e tij janë antishqiptare e antihistorike. “Duke filluar nga viti 1990 e në vazhdim, në vitet e tranzicionit, nga pinjollët e kolaboracionistëve dhe neofashistëve janë ndërmarrë shumë sulme e provokacione ndaj LANÇ-it, me prapavijë armiqësore. Bëmat e këtij instituti famëkeq, me botime antishkencore e antihistorike dhe rezolutën e tij, sulmet dhe provokacionet antishqiptare arrijnë kulmin. Për këto qëndrime antikombëtare, antihistorike e antishkencore kundër LANÇ, ne shprehemi kategorikisht kundër dhe kërkojmë që ky institut të shkrihet sa më parë dhe të mbahet qëndrim ligjor ndaj bëmave të tij. Këtë duhet të bëjë Parlamenti dhe jo të dëgjojë broçkullat e Tufës e të shqyrtojë projektligje të hartuara prej këtij instituti që kërkon të përmbysë historinë më të lavdishme të popullit tonë”, thuhet në deklaratë.

Roli i Institutit të Studimeve të Komunizmit

Veteranët kanë shpërthyer në kritika dhe ndaj Institutit për Studimet e Krimeve të Komunizmit. Sipas tyre, me aq para sa shpenzohen për të, mund të nderoheshin figurat e dhjetra veteranëve. “Me paratë e buxhetit të shtetit, të taksapaguesve, me të cilat paguhen rrogat e majme të punonjësve të këtij palo instituti dhe botimet paçavure të tij, mendojmë se është më e drejtë të restaurohen lapidarët dhe përmendoret e heronjve dhe dëshmorëve të LANÇ, pllakat e Bazave të Luftës, Varrezat e Dëshmorëve dhe të përkujtohen ngjarjet e datat e mëdha historike.

Ne jemi të mendimit, se me qëndrimin e papërgjegjshëm të Kryeministrit Edi Rama në mbrojtje të tradhtisë së ballistëve e kolaboracionistëve, që i thur himne dhe e vendos në panteon një kryekolaboracionist, si Mit’hat Frashëri, dhe nuk merr asnjë vendim qeveritar për kremtimin e 75 Vjetorit të Çlirimit të Atdheut, neofashistëve të tipit Tufa u janë ngritur puplat, zgjatur veshët dhe bëjnë gjithë ato të pabëra, ndërkohë që paguhen nga buxheti i shtetit. Ata lehin si zagari hënës. Këto lehje janë kot, se kriminelët s’bëhen dot atdhetarë e patriotë”, thuhet në deklaratë.

Kliti Topalli

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here