Kryetarja e Gjykatës së Lushnjes, Esmeralda Çeka rezultoi dje pa probleme para Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ajo u përball me trupën gjykuese paraditen e djeshme për të dhënë llogari për kriterin e pasurisë, integritetin e figurës dhe aftësitë profesionale. Por hetimi i thelluar i KPK nuk i gjeti probleme kryegjyqtares. Si fillim, trupa gjykuese u shpreh se ILDKP kishte sjellë një raport pozitiv për Çekën, ndërsa edhe përfundimet e KPK ishin të njëjta me të. Sipas trupës gjykuese, në emër të Esmeralda Çekës është gjetur një pasuri tokë-arë-ullishte me sipërfaqe rreth 8400 metër katrorë në fshatin Ndroq të Tiranës. Për këtë pasuri gjyqtarja kishte deklaruar se e ka përfituar përmes ligjit 7501, ndërsa KPK s’ka konstatuar probleme. Po në Ndroq KPK ka gjetur edhe një shtëpi banimi të gjyqtares, pasuri e cila ishte në pronësi të prindërve. Ajo ka deklaruar se ky objekt ishte ndërtuar prej prindërve të saj në vitet ’90, me të ardhurat e tyre të përfituara nga puna ndër vite. Ajo ka sqaruar se jeton në këtë shtëpi pa ndonjë detyrim financiar. Duke marrë shkas nga deklaratat e kryegjyqtares, KPK ka kryer një hetim të thelluar për të gjetur pasaktësi, por nuk ka rezultuar asnjë problem. Po ashtu, trupa gjykuese u shpreh se subjektit të rivlerësimit nuk i janë gjetur mospërputhje edhe lidhur me deklarimin për një autoveturë tip “Ford” në pronësi të të atit që përdoret prej gjyqtares Çeka. Komisioni i ka gjetur të sakta deklarimet për një llogari bankare në shumën e 95 mijë lekëve me burim krijimi pagën si gjyqtare dhe llogarinë rrjedhëse në shumën e rreth 28 mijë lekëve. Sakaq, në emër të kryegjyqtares së Lushnjes është edhe një apartament në Tiranë. Për këtë pasuri, Çeka ka deklaruar se e ka blerë me kredi 8.7 milionë lekë, një hua 12 mijë euro e marrë nga bashkëshorti dhe 5 mijë euro kursime. Lidhur me huanë, trupa gjykuese u duk deri diku mosbesuese dhe u shpreh se pretendimet e gjyqtares do të vlerësohen para se të jepet vendimi përfundimtar. Nga ana tjetër, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar e ka cilësuar Esmeralda Çekën si të pastër në figurën e saj. Në të njëjtin përfundim ka arritur edhe KPK. Lidhur me aspektin profesional, kryegjyqtares së Lushnjes nuk iu gjet asnjë problem.