Shkarkimi i rektorit Mynyr Koni, 4 dekanët e Universitetit të Tiranës mbështesin njëzëri ministren e Arsimit

0
468

Ministrja e Arsimit, Besa Shahini ka propozuar Bernard Dosti në postin e rektorit të përkohshëm të Universitetit të Tiranës, pas pezullimit të Mynyr Konit nga kjo detyrë. Në mbështetje të vendimit të ministres kanë dalë edhe 4 dekanët e Universitetit të Tiranës. Gjatë një konferencë të përbashkët për shtyp, ata janë shprehur njëzëri se vendimi që ka marrë ministrja e Arsimit është i drejtë, por i vonuar. Dekani Dhori Kule u shpreh se janë bërë prezent gjatë kësaj periudhe shkelje flagrante, veçanërisht me projektet europiane.

“Vetëm administrata e Universitetit të Tiranës ka ezauruar mbi 80 lëvizje, mobilitete, ku në një Fakultet nga më të rëndësishmit ka pasur vetëm katër. Nuk i justifikon kush shkelje të tilla. Është shpërdorim i buxheteve që Europa ka dhënë në dispozicion të Universitetit. Kam konstatuar këto ditë që pothuajse të gjithë thonë se është jo vetëm vendim dhe qëndrim i mirëpritur por shumë i vonuar. Kam bindjen se situata do të shkojë jashtëzakonisht pozitivisht për funksionimin e Universitetit të Tiranës. Pedagogët dhe studentët do të shohin se sa lehtë, sa efiçente, sa pozitive është që kur institucioni që mëson të tjerët sesi duhet të sillen do të fillojë të sillet vetë në mënyrë të ligjshme. Do t’ja ndjejnë shumë shpejt efektin pozitiv heqjes së ngarkesës dhe pengesës ligjore dhe këtij ngërçi që ka pasur UT”, tha Kule.

Ndërsa dekani i Fakultetit Juridik, Artan Hoxha u shpreh se vendimi i ministres ka qenë i vonuar, duke shtuar se gjatë kësaj kohe janë konstatuar shkelje të hapura të ligjit për arsimin e lartë. “Një nga mënyrat që ka parashikuar ligji për arsimin e lartë është që drejtuesi i një institucioni publik mund të pezullohet me urdhër të ministrit kur ministri konstaton shkelje të hapura të ligjit për arsimin e lartë apo legjislacionit në përgjithësi. Ka një vit e ca që është punuar për konstatimin e këtyre shkeljeve të pretenduara. Është e vonuar MAS në nxjerrjen e përfundimit final por më mirë vonë sesa kurrë. Ajo që ministrja ka urdhëruar nuk shkel autonominë universitare por e garanton nga paligjshmëria dhe sjelljet e kundërligjshme. Autonomia nuk është dhënë si pavarësi në zbatimin e ligjit por garanci për zbatimin e ligjit. Zbatimi i ligjit është detyrim dhe jo vlerësim”, tha Hoxha. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here