Google search engine

    Nis java e kinemasë shqiptare në Romë, filmi “Lulëkuqet mbi mure” i pari në “Albania, Si Gira”

    0
    603

    Në Romë nis sot festivali i filmit “Albania, Si Gira”. Festivali, që sjell javën e kinemasë shqiptare në Romë do të zhvillohet në datat 4- 7 prill. Nëntë filma që janë realizuar nga Kinostudio, por dhe pas viteve ‘90 nga regjisorë të njohur shqiptarë janë pjesë e festivalit “Albania, Si Gira”, që do të zhvillohet në Casa del Cinema në Romë. Në program do të jenë filmat: Lulëkuqet mbi mure (Dhimitër Anagnosti, 1976); Njeriu me top (Viktor Gjika, 1977); Gjeneral gramafoni (Viktor Gjika, 1978); Koncert në vitin 1936 (Saimir Kumbaro, 1978); Letra ere (Edmond Budina, 2003); I dashur armik (Gjergj Xhuvani, 2004); Lindje Perëndim Lindje (Gjergj Xhuvani, 2009); Amaneti (Namik Ajazi, 2014); Bota (Iris Elezi, Thomas Logoreci, 2014), si dhe “Il mio zio italiano” lexim skenik nga Eliza Çoba. Filma do të jenë në gjuhën origjinale, por të subtrituar në italisht për publikun e huaj. Festivali “Albania, Si Gira”- Italia dhe italianët në kinematografinë shqiptare gjatë dhe pas komunizmit është një projekt i shoqatës artistike Cultural Pro, i ideuar nga z. Fabio Bego dhe organizohet nën drejtimin artistik të znj. Nensi Bego, me bashkëpunimin e Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit dhe mbështetjen e Ministrisë së Kulturës e të Ambasadës shqiptare në Romë. Aktiviteti ka mbështetje akademike nga AISSECO – Shoqata Italiane e Studimeve të Historisë së Europës Qendrore dhe Lindore, si dhe kujdesin e Shoqatës Integra Onlus. Festivali është përshëndetur edhe nga ministrja e Kulturës Elva Margariti. Ministrja shkruan se përmes këtij festivali filmi shqiptar kapërcen kufijtë. “Kultura është pasaporta jonë diplomatike më e mirë. Filmi shqiptar kapërcen kufijtë me një javë të plotë dedikuar kinemasë shqiptare, me filmat më të njohur në një kujdes të Arkivi Qendror Shtetëror të Filmit. “Albania, Si Gira” nga data 4-7 prill në Romë. Të dashur miq, njerëz të artit, bashkatdhetarë, mos e humbni javën e kinemasë shqiptare në Romë”, shkruan ministrja e Kulturës Elva Margariti.

    “Lulëkuqet mbi mure” çel festivalin

    Filmi “Lulëkuqet mbi mure” është i pari në këtë javë të filmit shqiptar në Romë. Filmi është një prodhim i Kinostudios “Shqipëria e Re”, i vitit 1976, me regjisor Dhimitër Anagnostin, skenari i të cilit u bazua në romanin “Bonjakët” të shkrimtarit Petraq Qafëzezi. Romani autobiografik i botuar në vitin 1972 fitoi çmim të parë në konkursin kombëtar të zhvilluar nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve në Tiranë. Tema e filmit, përpjekjet dhe ndihma që dhanë debatikasit dhe të rinjtë shqiptarë në luftën kundër fashistëve italianë, të cilët pushtuan Shqipërinë më 7 prill, 1939. Ngjarja zhvillohet në një nga jetimoret e Tiranës në vitet e pushtimit të Shqipërisë nga Italia fashiste gjatë Luftës së Dytë Botërore. Përmes këtij festivali që nis sot në Romë sipas organizatorëve nga “toka e shqiponjave” vjen një vështrim i afërt dhe interesant për Italinë dhe italianët, përmes prodhimit të pasur kinematografik të periudhës së propagandës dhe më vonë, në kuadrin më të lirë por të paqëndrueshëm të kinemasë postkomuniste. Shfaqjet do të jenë me hyrje të lirë, dhe për çdo shfaqje do të ketë diskutime me përfaqësues të kinematografisë shqiptare dhe italiane, si: regjisorë, muzikantë, skenaristë, por edhe historianë dhe studiues që do të udhëheqin publikun në një eksplorim të dyfishtë. Nga njëra anë si e ka reflektuar, dhe pjesërisht, si e ka formësuar kinematografia shqiptare identitetin historik dhe social të vendit, nga ana tjetër, mënyra se si janë artikuluar marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe italianëve.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here