Protestat e dhunshme të opozitës dhe ndikimi i Moskës në këto tubime, nuk është komentuar vetëm nga Bashkimi Europian dhe zyrtarët e lartë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, por edhe nga mediat e huaja. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se të shumta kanë qenë mediat e huaja, sidomos ato ruse që kanë pasqyruar dhe raportuar “LIVE” protestat e dhunshme të opozitës. Por ditën e djeshme, vala e protestave që ka pushtuar Ballkanin, ka bërë jehonë edhe në shtypin polak. Bëhet fjalë për të përditshmen më të madhe në Poloni, “Wiadomosci”, që i ka dedikuar një artikull të gjatë situatës në Serbi, Mal të Zi dhe Shqipëri.
Në artikullin e saj, gazeta polake shkruan me shqetësim se si destabiliteti po prek Bashkimin Europian pikërisht në kufirin e tij më delikat, në një zonë historikisht të paqëndrueshme si Ballkani Perëndimor. “Në Serbi, protestat përshkallëzuan me pushtimin e selisë së televizionit kombëtar “RTS””, shkruan “Wiadomosci”. Më tej, kjo media thekson se ministri i Brendshëm, Nebojsha Stefanoviç, në një konferencë për shtyp është zotuar që të gjithë përgjegjësit për këtë aksion të dhunshëm do të vendosen përpara ligjit. “Por, këto protesta sjellin në mendje situatën e 20 viteve më parë, kur në Tetor 2000, protestuesit kundër regjimit të Millosheviçit hynë me forcë në selinë e televizionit publik”, vijoi “Wiadomosci”. Ndërkohë, e përditshmja polake thotë se në Podgoricë, me mijëra protestues zunë rrugët për të pestën herë brenda këtij viti, duke kërkuar largimin e presidentit Milo Gjukanoviç. “Milo hajdut, shteti jemi ne”, thirrjet e turmës, raporton e përditshmja polake.
Më tej, protestuesit vijuan, “Poshtë Milo, nuk duam një diktator”. Po ashtu, në artikullin e saj, “Wiadomosci” përmend edhe dhunën e ushtruar nga protestuesit e opozitës shqiptare para Parlamentit.“Në Tiranë, një protestë e nisur si paqësore përfundoi në përleshje me forcat e policisë. Me qindra protestues spërkatën me gurë Parlamentin, e si rrjedhojë pati lëndime në radhët e policëve. Edhe në Shqipëri, kjo ishte protesta e pestë që prej fillimit të vitit”, raportoi “Wiadomosci”. Por përtej kësaj panorame të frikshme në dyert e Europës, gazeta polake shtron pyetjen se kush është i interesuar për këtë destabilitet. Duke evituar të përmendë emra konkretë, “Wiadomosci” bën të qartë që këto lëvizje të koordinuara, në prag të zgjedhjeve europiane, nuk i shërbejnë Europës, por palëve të treta. Kështu, sipas saj, përfshirja e Shqipërisë në këtë “puzzle”, duket se tregon për një influencë në rritje ruse edhe në vendin tonë.