Ambasada ruse në Tiranë ka reaguar për herë të parë pas akuzave se fshihet Moska pas skenarëve destabilizues në Tiranë. Ambasadori Alexander Karpushin, në një intervistë për televizionin “A2” foli për këtë çështje. Normalisht ai deklaroi atë që pritej, duke mohuar të gjithë zërat. Por nga gjithë intervista e tij, u duk se ambasadori ishte shumë kritik ndaj kryeministrit Rama dhe mjaft i butë me presidentin Ilir Meta. I pyetur mbi deklaratat e Ramës se fshihet Moska pas skenarëve destabilizues, ai tha: “Ne e kuptojmë shumë mirë se atje lart e dinë që këto akuza janë të pathemelta dhe të rreme. Dhe ne e kuptojmë se është shumë më e lehtë të akuzosh rusët për të gjitha mëkatet e botës, sesa të merresh me zgjidhjen e problemeve me të vërtetë të ngutshme të vendit: të luftosh korrupsionin dhe krimin, të ndalosh emigrimin e popullsisë në moshë pune, dhe t’u bësh ballë shumë sfidave të tjera, me të cilat përballet jo vetëm Shqipëria, por edhe të gjitha vendet e rajonit”. Sipas ambasadorit rus, është shqetësuese që deklaratat e udhëheqësve shqiptarë nganjëherë bien në kundërshtim të plotë me faktet kur thonë se Rusia është kundër integrimit të Shqipërisë në BE. “Është shqetësuese që deklaratat e udhëheqësve shqiptarë nganjëherë bien në kundërshtim të plotë me faktet. Për shembull, kur thonë se Rusia është kundër integrimit të Shqipërisë në BE. Sidomos zbavitëse është kur deklarata të tilla bëhen në Itali, me të cilën Rusia ka tradicionalisht marrëdhënie të shkëlqyera ekonomike dhe kulturore, si edhe ndërveprim shumë intensiv politik”, shtoi Karpushin, duke ju referuar deklaratave të Ramës në Itali.
Karpushin i butë me Metën
Ajo që ra në sy gjatë intervistës është se ambasadori në një farë mënyre u duk sikur mori në mbrojtje presidentin Ilir Meta. Gazeta e ka thënë se presidenti ka kthyer sytë nga Rusia prej shumë kohësh dhe dje ky qëndrim u përforcua ndjeshëm. Ambasadori Karpushin nuk la pa përmendur deklaruan e Metës kur tha pak ditë më parë se ka ndikim toksik nga Moska. Por përmendja e saj, duket se ishte në një farë mënyre kamuflim për të treguar se Meta nuk ka lidhje me Moskën. Por kjo pjesë stonoi me faktin se Karpushin ishte shumë tepër i ashpër ndaj kryeministrit Rama, krahasuar me presidentin Meta. Këtë të fundit nuk e sulmoi fare, por vetëm i kujtoi se si Bashkimi Sovjetik na ndihmoi pas Luftës së Dytë Botërore. Po ashtu ai në asnjë moment nuk i përmendi emrin Metës, ndërsa kryeministrit ju drejtua në emër. “Kur dëgjojmë nga zyrtarët shqiptarë për ndikimin gjoja “toksik” të Rusisë në rajon, mua më duket se ata kanë harruar ose e kanë detyruar veten të harrojnë atë që ka ndodhur këtu pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Rusia, e shkatërruar dhe e stërmunduar nga lufta, pasi kishte humbur 27 milionë jetë njerëzish, iu përgjigj thirrjes së popullit shqiptar për ndihmë dhe në fakt e shpëtoi Shqipërinë nga katastrofa humanitare, duke dhënë një kontribut kolosal në zhvillimin e ekonomisë, shkencës, kulturës, ushtrisë, si edhe në shkollimin e përfaqësuesve më të mirë të elitës, me të cilët shqiptarët edhe sot krenohen me të drejtë. Meqë ra fjala, sot frytet e ndihmës sonë i gëzon jo vetëm vetë Shqipëria, por edhe NATO-ja, e kam fjalën për infrastrukturën ushtarake të krijuar në vendin tuaj”, u shpreh Karpushin, duke mos sulmuar drejtpërdrejt presidentin, sikundër ndodhi me Ramën. Po ashtu ai mohoi dhe mbështetjen ruse për lobimet e PD, ndryshe nga sa është faktuar deri më sot.
Kliti Topalli