Bllokohet ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë, nuk ka kandidatë, juristët japin alarmin

0
418

Ngritja e Inspektoratit të Lartë të Drejtësisë është bllokuar. Pak ditë më parë Këshilli i Emërimeve në Drejtësi rihapi garën për këtë organ sepse kishin kandiduar vetëm dy emra, Marsida Xhaferllari dhe Artur Malaj. Por sipas ligjit, duhen minimumi pesë anëtarë pranë ILD, ç’ka me këto kandidatura e bën të pamundur ngritjen e organit. Por kur na ndan edhe një javë nga përfundimi i afatit të aplikimit për të interesuarit, akoma nuk ka asnjë kandidaturë të re. Lidhur me këtë situatë folën dje edhe ekspertët e fushës. Juristi Artan Hoxha deklaroi gjatë një prononcimi mediatik se në këto kushte Këshilli i Lartë i Prokurorisë dhe Këshilli i Lartë Gjyqësor nuk mund të marrin masa ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve që kryejnë shkelje sepse më parë duhet të marrin sinjal nga Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

“Nëqoftëse Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe Këshillit të Lartë Gjyqësor nuk iu shkon një kërkesë dhe një raport nga autoriteti kushtetues që është inspektori i lartë i drejtësisë, për një procedim disiplinor për gjyqtarë dhe prokurorë, KLGJ dhe KLP nuk marrin dot një nismë të tyre për të filluar dhe përfunduar një procedim disiplinor”, tha Artan Hoxha. Ai sqaroi edhe mënyrën sesi do të bëhet përzgjedhja e anëtarëve të ILD.

“Shpalljet kanë qenë të vjetra. Tani vijmë me shpalljet e reja, vijmë në një kuadër të ri pasi ne sot i kemi të krijuara edhe KLGJ-në, edhe KLP-në. Është vet Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i cili do të ndjekë ligjin dhe rregullat e përcaktuara. Kjo renditje e këtyre kandidatëve i propozohet më tej Kuvendit të Shqipërisë”, sqaroi Artan Hoxha. Sipas ligjit, Inspektorati i Lartë i Drejtësisë duhet të kishte nisur punën që në qershor të 2017, por mungesa e kandidatëve e ka penguar ngritjen e tij. Të gjithë të interesuarit kanë kohë deri në datën 20 mars të aplikojnë, ndërkohë që kujtojmë që as dy aplikantët momentalë nuk e kanë vendin të sigurt. Kryeinspektorja e ish-KLD, Marsida Xhaferllari kaloi pak ditë më parë në sitën e vetingut, por KPK nuk e konfirmoi në detyrë sepse nuk kishte statusin e magjistratit. Ndërsa gjyqtari Artur Malaj, edhe pse ka kaluar vetingun me sukses, është ankimuar në KPA.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here