Elton Haxhi: Kontroll llogarive të “bosëve”, informacion për paratë e dërguara jashtë vendit dhe për kompanitë offshore

0
413

Një sërë shtetesh do të shkëmbejnë një gamë të gjerë të informacionit mbi llogaritë offshore, duke përfshirë bilancet e tyre dhe të pronësisë. Në një intervistë televizive, zv. ministri i Financave dhe Ekonomisë, Elton Haxhi, shpjegon se bëhet fjalë për të dhënat financiare të jo rezidentëve në disa vende, duke bërë të mundur parandalimin e evazionit fiskal dhe trajtimin e mashtrimit fiskal. Projektligji i Ministrisë së Financave do të ketë në fokus edhe llogaritë e hapura nga biznesmenët apo politikanët shqiptarë jashtë vendit. “Një iniciativë e OECD e cila ka të bëjë me shkëmbimin automatik e informacioneve në lidhje me llogaritë bankare të jo rezidentëve, pra bëhet fjalë për transmetimin e të dhënave bankare të personave që nuk kanë rezidencë në Shqipëri. Të njëjtën gjë ne presim të marrim nga shtetet që janë pjesë e kësaj platforme, pra kjo iniciativë do të ndihmojë shmangien e evazionit apo në fshehjen e të ardhurave, pasi krijon një bashkëpunim ndërkombëtar për identifikimin e fshehjes të ardhurave duke shkëmbyer informacionin bankar”, u shpreh Elton Haxhi.

Zv.ministri i Financave sqaroi edhe iniciativën për ndërtimin e një regjistri për kompanitë offshore në vendin tonë. Ai deklaroi se nëse një kompani shqiptare do të zotërohet nga një kompani e huaj, do të identifikohet çdo individ që është pjesë. “Nëse një kompani shqiptare zotërohet nga një kompani tjetër e huaj, atëherë te ky regjistri i ri do shkojmë të identifikojmë çdo individ, pra të mos ngelemi në nivelin e shoqërisë siç jemi aktualisht. Kjo do të bënte dhe identifikimin e përfituesve përfundimtar, siç njihen ndryshe kompani offshore, të cilët nëpërmjet një rrjeti pronësie mund të shkojnë dhe të fshehin identitetin e tyre në një ndërmarrje e cila nuk është e identifikuar në regjistrat tanë”, u shpreh zv. ministri i Ekonomisë. Këto iniciativa janë në linjë dhe me rekomandimet e raportit të fundit të Moneyval, mekanizmi i Komisionit Europian, që bën vlerësimin për masat kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here