Google search engine
Home Sport Partizani shkarkon trajnerin Bratu, hyn në negociata me trajnerë kroatë

Partizani shkarkon trajnerin Bratu, hyn në negociata me trajnerë kroatë

0
19

Partizani ka bërë ndryshime në pankinë ditën e djeshme. Trajneri rumun Florian Bratu është larguar, e klubi po punon për të gjetur pasuesin e tij. Ishte një shkarkim i ardhur si pasojë e rezultateve të dobëta, veçanërisht humbjes në derbi përballë Tiranës, të dielën e 11 tetorit në stadiumin “Air Albania”. Padyshim që kjo humbje në derbi ishte si gota e mbushur për trajnerin Bratu, për më tepër që në këto gjashtë javë të para të garës Partizani nuk ka bindur, as në lojë e as në rezultate, e nuk është rastësi pozita në vend të parafundit me një ritëm të ulët pikësh (0.65 pikë për ndeshje), shumë pak për një skuadër me emër të madh dhe me pretendime në kampionatin shqiptar. Klubi synon të bëjë kthesë, ndaj dhe u largua Bratu, për t’i dhënë një impuls tjetër ekipit, jo vetëm për ta nxjerrë nga kriza e rezultateve, por edhe për ta futur Partizanin në shinat e duhura të suksesit.

Situata me trajnerin

Nga analizat e opinionistëve konstatohet se humbja 1-3 në derbin ndaj Tiranës dhe rezultatet e dobëta në këtë fillim sezoni kanë sjellë ndërprerjen e bashkëpunimit mes teknikut rumun dhe klubit kryeqytetas. Pas takimit të zhvilluar mes trajnerit dhe presidentit Gazment Demi, palët kanë gjetur gjuhën e përbashkët për të mbyllur me marrëveshje kontratën njëvjeçare, duke i dhënë fund aventurës së Bratusë te të kuqtë më herët nga sa ishte parashikuar. Në pritje të emërimit të trajnerit të ri, drejtimi i ekipit i është besuar përkohësisht Alfred Deliallisit. Trajneri aktual i Partizanit B do të marrë në dorë stërvitjen e ekipit të parë për të ruajtur vazhdimësinë e punës.

Statistikat

Plot 13 gola të pësuar në gjashtë javët e para si askush tjetër te Partizani, ndërsa vetëm 4 pikë dhe vendi i parafundit në renditje bënë që bashkëpunimit t’i vijë fundi. Trajneri rumun rezultoi një nga më të dobëtit në historinë e “demave”, për aq kohë sa drejtoi. Humbja në derbin me Tiranën vazhdon të sjellë vendime drastike te Partizani. Kujtojmë se në edicionin e kaluar ishin Mladen Milinkoviç dhe Oltijon Kërnaja, që u larguan pikërisht pas disfatave në derbi.

Negociata me trajnerë të huaj

Ndërkohë, drejtuesit e Partizanit kanë nisur punën për gjetjen e pasuesit. Në tavolinën e klubit janë paraqitur disa opsione, ku spikasin dy pista të huaja: një trajner nga Spanja dhe një tjetër nga Kroacia, me të cilët negociatat mbeten të hapura. Referuar mediave sportive, të kuqtë po negociojnë me trajner nga Kroacia, ndërsa emrat e tjerë që kanë qarkulluar deri tani mund të jenë vetëofrime dhe rekomandime. Humbja në derbi rezultoi fatale për të kuqtë. Deri tani janë 4 pikë në gjashtë javë dhe vetëm vendi i parafundit. Të kuqtë janë në garë me kohën. Nëse Bratu do të largohej para derbit me Tiranën, pushimi për shkak të kombëtareve do të jepte hapësirë për të qenë të kujdesshëm. Koha është armiku kryesor, teksa sfida me Vorën është rezervuar më 18 tetor. Provizorisht për ekipin e parë të Partizanit janë disa emra që mund të kontribuojnë si Alfred Deliallisi nga ekipi B, Genc Tomori si drejtor i akademisë dhe Fatjon Muhameti. Ky i fundit po angazhohet me ekipin U-19 në UEFA Youth League.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here