Nga Julia Vrapi
Traditat muzikore, vallet popullore dhe kostumet karakteristike shqiptare do të jenë në qendër të koncertit “Mrekullitë e Arbërisë” nesër në mbrëmje. Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, në bashkëpunim me ansamblin “Gurra e Kurbinit”, do të prezantojë elemente të trashëgimisë kulturore shqiptare, nga tingujt e lahutës dhe polifonia te K’cimi i Tropojës dhe tradita e xhubletës.
Të ftuar janë dhe të tjerë artistë të njohur si mjeshtrit e folklorit: Vendim Kapaj- fyell; Pjetër Matusha- lahutë si dhe Grupi i çiftelive. “Mrekullitë e Arbërisë” rikthehet në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit, si një nga koncertet e veçanta këtë tetor në skenë. TKOBAP shprehet se tingujt epikë të lahutës, magjia e polifonisë, energjia e K’cimit të Tropojës, hijeshia e xhubletës, madhështia e qyteteve të gurit dhe tradita e lashtë e transhumancës ndërthuren në një spektakël kushtuar shpirtit të trashëgimisë sonë kombëtare.
“Një udhëtim artistik drejt rrënjëve të identitetit tonë, përmes thesareve shqiptare të shpallura pasuri e njerëzimit nga UNESCO”, thuhet nga TKOBAP. Koncerti “Mrekullitë e Arbërisë” ishte më parë këtë vit premierë në muajin shkurt në skenën e TKOBAP-së, duke sjellë për publikun një program të pasur me këngë, valle dhe elemente të folklorit shqiptar, të cilat pasqyrojnë larminë e traditave dhe të trashëgimisë kulturore të vendit.
Aktiviteti i Ansamblit Popullor
Koncerti “Mrekullitë e Arbërisë”, i cili ishte premierë në muajin shkurt në skenën e TKOBAP-së, vjen mbrëmjen e 13 tetorit pas turit artistik të zhvilluar në shtator në Itali. Gjatë këtij turneu, Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore prezantoi këngët, vallet, kostumet dhe traditat shqiptare në qytetet Brescia, Torino, Pordenone dhe Rovereto.
Kjo ishte një tjetër ndalesë në kalendarin artistik të ansamblit, këtë herë përpara publikut në Itali dhe komunitetit shqiptar që jeton atje, ku përmes këtyre aktiviteteve folklori shqiptar vijon të prezantohet edhe përtej kufijve të vendit. Ansambli i Këngëve e Valleve Popullore (AKVP) ose Ansambli Shtetëror, është krijuar në vitin 1957 si ansambël profesionist.
Ky ansambël përbëhet nga solistët këngëtarë, orkestrina, grupi i valleve dhe kori. Qëllimi i AKVP-së është në përpunimin, zhvillimin dhe përhapjen e thesarit folklorik të Shqipërisë. Këtu përfshihen pasuritë e mëdha folklorike vokale, instrumentale, koreografike dhe kostumografike, që variojnë nga zona në zonë, duke krijuar një koloritet motivesh.








































