Këshilli i Lartë i Prokurorisë pritet të forcojë radhët brenda muajit mars. Me miratimin e strukturës organizative nga Parlamenti pak ditë më parë, KLP do të vihet menjëherë në lëvizje për të plotësuar strukturën e këtij organi me qëllim që të mos humbet kohë dhe të shtohen ritmet e punës. Sipas informacioneve, gjatë marsit KLP do të rekrutojë stafin prej 50 personash, i cili do të përbëhet nga Sekretari i Përgjithshëm, drejtorët e departamenteve, shefi i sektorit të burimeve njerëzore, shefi i sektorit të financës, këshilltarë, por edhe nga shoferë e sanitare. 50 punonjësit do të përzgjidhen përmes konkursit, ndërsa midis kushteve kryesore që duhet të plotësojnë janë plotësimi i formularit të dekriminalizimit si edhe të mos kenë kontakte me botën e krimit. Sipas informacioneve, pagat në Këshillin e Lartë të Prokurorisë nisin nga 25-30 mijë lekë për sanitare e shoferë. Ndërsa për anëtarët e KLP pagat janë më të larta. Më konkretisht, 11 anëtarët paguhen në shumën prej 210 mijë lekësh të rinj, ndërsa kryetari i KLP, Genti Ibrahimi paguhet 250 mijë lekë të rinj. Kujtojmë që Parlamenti vendosi para pak ditësh që numri i punonjësve të KLGJ të shkojë në 125. Ndërsa në KLP numri i punonjësve u vendos të jetë 65. Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Gent Ibrahimi tha gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Ligjeve se shtesa e punonjësve duhet për shkak se me krijimin e SPAK dhe Byrosë Kombëtare të Hetimit rritet dhe volumi i punës. “Nevojat tona janë tani. Siç e dini ju Këshilli i Lartë i Prokurorisë është tani në procesin e kryerjes së dy detyrave më të rëndësishme, që i kryen tani në këto muaj përpara se të alokohet buxheti dhe strukturat. Jemi të detyruar nga ligji që ende pa u financuar dhe pa u mbështetur administrativisht dhe financiarisht të japim produkt sa i takon Prokurorisë së Posaçme, të japim produkt sa i takon Prokurorit të Përgjithshëm”, u shpreh Gent Ibrahimi. Me rekrutimin e 50 punonjësve brenda marsit, pritet që KLP të shtojë ritmet e punës dhe midis të tjerash, të bëjë hapa përpara edhe në hartimin e dosjeve të kandidatëve të SPAK