Omarov Shahin: Themelimi i katedrës së gjuhës shqipe në Universitetin e Harkovit, me rëndësi të veçantë për kulturën

0
540

Konsulli nderi i Shqipërisë në Ukrainë dr. Omarov Shahin pohon se Shqipëria dhe Ukraina kanë marrëdhënie të shkëlqyera diplomatike. I gjendur këto ditë në Tiranë në kuadër të Samitit të dytë të Diasporës, konsulli Shahin shprehet se e vlerëson shumë pjesëmarrjen e tij dhe samiti merr rëndësi dhe për problemet e ndryshme të diasporës. Në intervistën për “SOT” konsulli Omarov Shahin shprehet se populli ukrainas dhe qeveria ukrainase i janë mirënjohës popullit shqiptar dhe qeverisë shqiptare për mbështetjen e treguar deri tani. Në kuadër të projekteve sipas tij merr shumë rëndësi dhe themeli i katedrës së Gjuhës Shqipe në Universitetin Pedagogjik të Harkovit. Sipas tij, në Ukrainë jetojnë shqiptarë prej 200 vitesh dhe ka shumë rëndësi për gjuhën shqipe. Por me rëndësi sipas konsullit të nderit të Shqipërisë në Ukrainë zotit Omarov Shahin janë dhe projektet për bashkëpunime ekonomike, kulturore dhe më gjerë. Në fushën e kulturës ai vlerëson dhe idetë e bashkëpunimet për vendosjen e bustit të Nënë Terezë në Harkov apo dhe busti i shkrimtarit Shevchenko në Tiranë.

-Sa rëndësi ka për ju pjesëmarrja në Samitin e dytë të Diasporës në Shqipëri?

 Jam i lumtur që marr pjesë në këtë aktivitete të dytë të diasporës. Si herën e parë ashtu dhe këtë herë para së gjithash ishte shumë emocionale. Ne shikojmë miqtë tanë nga i gjithë planeti dhe diskutojmë problemet themelore, të cilat ndihmojnë për të ardhmen për të bashkuar të gjithë shqiptarët nga e gjithë bota. Është shumë kuptimplote, që në Shqipëri para një viti e gjysmë u krijua Ministria për problemet e Diasporës. Kjo tregon pikëpamje pozitive të qeverisë shqiptare lidhur me diasporën shqiptare, që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë. Siç shihet jashtë Shqipërisë jetojnë shumë më tepër shqiptarë se sa jetojnë brenda saj, dhe kjo jep mundësi që të grumbullohet i gjithë planeti rreth Shqipërisë, natyrisht falë diasporës. Mendoj që kjo është një pikëpamje themelore e kryeministrit të vendit zotit Edi Rama, dhe emërimi i zotit Pandeli Majko si ministër shteti për Diasporën tregon pikëpamjen e rëndësishme të qeverisë shqiptare. Kjo ndoshta është e vonuar, por një masë shumë e domosdoshme për vendimin e qeverisë shqiptare për krijimin e kësaj strukture. Këtë herë ky aktivitet u organizua shumë më mirë dhe shumë i ngjeshur. Fakti që natën e parë u organizua takimi ceremonial në Pallatin e Brigadave dhe më pas në ditën e dytë u organizuan konferenca dhe panele për këto probleme në City Park, dhe ditën e tretë vizita në vende historike të Shqipërisë si Lezha tregon qëndrimin serioz të qeverisë shqiptare ndaj këtij problemi.

-Ju zhvilluat një takim me nënkryetarin e Bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku. Takimi juaj, në çfarë çështjesh u fokusua?

Midis qytetit të Tiranës dhe Harkovit, që ka qenë kryeqyteti i parë i Ukrainës, dy vjet më parë u bë firmosja e memorandumit për binjakëzimin e dy qyteteve. Në sajë të vullnetit të dy kryebashkiakëve të Harkovit dhe të Tiranës dy vjet më parë në ditën e pavarësisë së qytetit të Harkovit, e vizitoi nënkryetari i bashkisë së Tiranës zoti Abaz Hado. Pikërisht në këtë vizitë u firmos dhe marrëveshja për binjakëzimin e dy qyteteve tona. Pas kësaj marrëveshje po zhvillohen shumë ngushtësisht marrëdhëniet midis qytetit të Tiranës dhe Harkovit. Në kuadrin e pjesëmarrjes sime në Samitin e dytë të Diasporës në prag të vizitës sime në Tiranë unë pata takime me udhëheqësit, drejtuesit e qytetit të Harkovit. Dhe mua zyrtarisht m’u ofrua që ti transmetoja kryetarit të bashkisë së Tiranës fjalët përshëndetëse. Në këtë kuadër nënkryetari i bashkisë së Tiranës zoti Mazniku më priti mua. Ne diskutuam shumë probleme në kuadrin e bashkëpunimit midis qyteteve. Trajtuam probleme se si mund të qasemi në mënyrë pozitive në problemet humanitare, politike dhe ato ekonomike. Vitin e kaluar në muajin dhjetor gjatë vizitës së zonjës ambasadore Shpresa Kureta në Harkov u realizua takimi me drejtuesit e qytetit të Harkovit. Nga ana e drejtuesve të qytetit u propozua ideja vendosja e bustit të Nënë Terezës në qytetin e Harkovit si dhe vendosja e bustit të shkrimtarit tonë Shevchenko në qytetin e Tiranës. Mua mu duk se kjo ide u pranua shumë pozitive nga ana e nënkryetarit të bashkisë dhe shpresoj shumë shpejt të marrim projektmemorandumin për këtë probleme. Kjo do të jetë një tregues themelor i miqësisë sonë. Ne diskutuam edhe problemet ekonomike, dhe natyrisht u krijua dhe ideja për krijimin e një qendre tregtare në Harkov dhe në Tiranë.

-Ideja për krijimin e kësaj qendre tregtare, sipas jush sa ka rëndësi?

Produktet shqiptare të venë direkt në qendrën tregtare në Harkov dhe produktet ukrainase direkt në Tiranë. Kjo do na japë mundësinë të njohim produktet e njëri-tjetrit. Le të jetë ky edhe një projekt jo shumë i madh. Por do të jetë një tregues real, që njerëzit tanë do të shikojnë në realitet se cilat janë produktet tona. Kjo mund të konsiderohet si një shtëpi shqiptare në Harkov në Ukrainë dhe një shtëpi ukrainase e Harkovit në Tiranë.  

-Në punën tuaj ka marrë shumë vëmendje dhe themelimi i katedrës së gjuhës shqipe në Ukrainë. Sa rëndësi ka për ju krijimi i saj?

Unë jam i pari dhe i vetmi përfaqësues i juaj zyrtar në Ukrainë. Jam konsull i nderit dhe paralelisht është dhe Konsullata e Nderit e Shqipërisë, e cila ka status tjetër nga konsulli. Konsullata e Nderit ka status të veçantë, ka status të veçantë si konsull i përgjithshëm apo nderi. Pavarësisht se kush do jetë konsull i nderit, konsullata e nderit është. Detyra e parë, puna e parë është marrëdhënia e diasporës shqiptare në Ukrainë me shtetin shqiptar. Detyra e dytë, me të cilën jam ngarkuar që ta kryej, është përmirësimi i marrëdhënieve ekonomike midis dy vendeve tona. Në bazë të kompetencave që më janë vënë nga Ambasada Shqiptare në Poloni, që mbulon Ukrainën unë përpiqem që brenda mundësive të bëj maksimumin për ta përfshirë në aktivitetin tim. Por më parë unë dua të shpreh mirënjohjen qeverisë shqiptare dhe popullit shqiptar që zgjodhi kandidaturën time për të qenë konsulli juaj i nderit në Ukrainë. Për mua ky është një nder i madh dhe do bëj maksimumin e mundshëm që ta meritoj këtë besim tuajin. Në Ukrainë më shumë se 200 vjet më parë bashkatdhetarët tuaj erdhën tek ne në qarkun e Odesës. Atje ka fshatra që banohen nga shqiptarë. Një pjesë e këtyre më vonë u zhvendosën nga qarku i Odesës dhe erdhën në rajon tjetër që quhet qarku i Zhaprozës dhe atje jetojnë tre fshatra me shqiptarë. Tani në katër fshatra jetojnë në mënyrë kompakte shqiptarët mbi 200 vjet. Statistikat zyrtare tregojnë se janë rreth 5 mijë shqiptarë sipas pikëpamjes sime është një vlerësim shumë subjektiv. Ne e dimë që familjet shqiptare janë familje shumë fëmijësh dhe nëse marrim parasysh, që para 200 vitesh kanë ardhur pak familje, gjatë këtyre viteve ato janë zgjeruar disa herë. Por gjatë këtyre 200 viteve një pjesë e shqiptarëve janë asimiluar dhe kjo është shumë keq. Prandaj njerëzit aktualë që janë të interesuar për diasporën shqiptare atje ne duam ta rikuperojmë këtë padrejtësi, sepse ndryshe pas 20 apo 30 vitesh ne mund të humbasin popullatën shqiptare në Ukrainë.

-Çfarë duhet bërë për këtë sipas jush?

Hapi i parë është bërë përmes Konsullatës së Nderit, me iniciativën time dy vjet më parë dhe me mbështetjen e ambasadores ne kemi krijuar Shoqatën e Bashkimit të Shqiptarëve. Në të dy këto rajone ku jetojnë shqiptarë në qarkun e Odesë dhe në Zhaprozës, ne patëm mundësi të adoptojmë studimin e gjuhës shqipe në këto shkolla. Tashmë në vazhdim të dy viteve në këto shkolla krahas gjuhëve të tjera të huaja studiohet dhe gjuha shqipe. Në bazë të marrëveshjes së nënshkruar midis dy ministrive të Arsimit të Shqipërisë dhe Ukrainës ne dërgojmë këtu nxënës dhe profesorë të gjuhës shqipe, që të mësojnë gjuhën shqipe këtu në Universitetin e Tiranës. Ky ishte hapi i parë që bëmë para dy vitesh. Aktualisht me iniciativën time dhe me mbështetjen e ambasadores zonjës Shpresa Kureta kemi ndërmarrë hapin të provojmë katedrën e gjuhës shqipe pranë Universitetit Pedagogjik të Harkovit me mbështetjen e prefektit të qarkut të Harkovit. Një muaj më parë unë pata takim dhe me rektorin e Universitetit të Harkovit, që është 250 vjeçar dhe ka 15 fakultete. Më kryesore janë ata filologjik, studimi i gjuhëve të huaja të ndryshme, por ka dhe fakultete të drejtësisë, ekonomik, etj. Midis meje si konsull nderi dhe rektorit të Universitetit është firmosur memorandumi për hapjen e katedrës së gjuhës shqipe para një muaji në Universitetin Pedagogjik. Në përputhje me këtë memorandum parashikohet hapja e qendrës së kulturës shqiptare në këtë universitet. Hapi tjetër që kemi realizuar në këtë projekt, duhet të gjejmë një partner në Shqipëri për Universitetin Pedagogjik të Harkovit. Unë solla me vete dhe një projekt marrëveshje midis universiteteve respektive. Në këtë kuadër të vizitës sime pata takime dhe ministrin Pandeli Majko dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Ua dhashë atyre këtë projekt marrëveshje dhe shpresoj shumë që së shpejti qeveria shqiptare do të na afrojë neve partnerin e ardhshëm që midis dy institucioneve arsimore të vendosen kontakte dhe të lidhen marrëveshje. Kjo do na japë mundësi komandimin e një pedagogu të gjuhës shqipe, që të japë këtë gjuhë në Ukrainë. Atje do të ruajmë nivelin e pagës që merr këtu në Shqipëri dhe pala ukrainase do ti ofrojë falas dhe banesën. Në këtë pjesë unë dua ti kthehem Samiti të Diasporës dhe ndoqa me shumë kujdes fjalimet e udhëheqësve të vendit. Një nga detyrat që vendos qeveria për diasporën, studimi i gjuhës shqipe. Sepse nëse ne jashtë vendit do të mësojmë gjuhën shqipe kjo do na japë mundësi që të mos të humbasim identitetin. Projekti që unë ofroj përputhet me idenë e qeverisë. Prandaj unë shpresoj dhe jam i bindur, që projekti që ofrojmë ne do të gjejë mbështetje në Shqipëri, sepse ka mundësi që këtë vit të thithim studentë ukrainas për studimin e gjuhës shqipe atje. Aq më tepër që unë u informova që presim dhe vizitën e kryetarit të parlamentit shqiptar në Ukrainë. Do të ishte shumë mirë që hapja e kësaj katedre të ishte në muajt e ardhshëm dhe në shpresojmë që në të ardhmen që të hapim dhe në Shqipëri mësimin e gjuhës ukrainase. Me studimin e gjuhës shqipe veç të tjerave duhet të keni parasysh që në Ukrainë nuk ka asnjë njeri që të ketë të drejtën ligjore që të bëjë përkthimet në shqip ose nga gjuha shqipe. Përveç të tjerave nëse marrim parasysh të tëra marrëdhëniet tona midis dy vendeve duhet të shpresojmë që ato të venë gjithmonë dhe më mirë. Kam parasysh që qeveria ukrainase i shpreh mirënjohjen më të madhe qeverisë shqiptare. Populli ukrainas i është mirënjohës popullit shqiptar për atë mbështetjen e domosdoshme që në minuta të vështira i jep popullit dhe qeverisë ukrainase. Shqipëria qëndron afër Ukrainës. Midis nesh zhvillohen marrëdhënie diplomatike shumë të mira, të shkëlqyera.

-Jeni konsull nderi i Shqipërisë në Ukrainë, çfarë vlerësoni te shqiptarët?

Në kuadrin e një interviste nuk mund ti thuash të gjitha. Është një populli lashtë me kulturën e vet. Rrënjët e kësaj kulture ikin shumë larg dhe është krenari që Shqipëria ka shtetin e vet mbi 100 vjeçar në qendër të Europës. Është krenari vërtetë që Shqipëria në këtë botë të madhe në qendër të Europës më shumë se 100 vjet të mbajë shtetin e vet. Neve ukrainasit më shumë se 25 vjet më parë kemi arritur pavarësinë dhe për ne është fantazi burrëria juaj që e keni ruajtur këtë vend. Në botë jo shumë shtete kanë qeveritë e tyre, ndërsa shqiptarët kanë dy qeveri të tyre dhe kjo është e pabesueshme, e paimagjinueshme në botën e sotme. E dyta, sipas nesh në rrugë jashtë ne takojmë njerëz të thjeshtë zemërmirë, të dashur që më zemër të hapur ata të marrin përdore dhe të çojnë dhe deri në destinacion kur i pyet për një rrugë apo diçka tjetër. Unë jam njeri që kam shëtitur në shumë vende të botës dhe ka vende e qytete, që kur pyet nuk të hedhin as sytë. Te shqiptarët kjo nuk ndodh dhe të emocion shumë, populli shqiptar është shumë mikpritës. Por duhet vlerësuar dhe kuzhina shqiptare.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here