Konkursi Ndërkombëtar i Dirigjentëve po zhvillohet këtë vit në Tiranë. Shqipëria është bërë mikpritëse e këtij konkursi të veçantë muzikor, që startoi mbrëmë në sallën e koncerteve të Orkestrës Simfonike të RTSH. Për herë të parë zhvillohet në vendin tonë dhe ky edicion është In Memoriam Nikolla Zoraqi, një prej personaliteteve më të mëdha të muzikës serioze shqiptare. Konkursi Ndërkombëtar i Dirigjentëve është i pari i këtij lloji në vendin tonë për vetë përmasat dhe pjesëmarrjen e 75 dirigjentëve të përzgjedhur nga një juri ndërkombëtare. 75 dirigjentët janë zgjedhur mes 200 kandidatëve nga gjithë bota, dhe konkursi në edicionet e mëparshme është organizuar në Itali, Francë, Hungari, etj, që konsiderohen si çatitë muzikore më të njohurat të botës. Nata gjysmëfinale e këtij konkursi është më datë 7 mars dhe finalja do të jetë mbrëmjen e datës 8 mars në skenën e Universitetit të Arteve. Në përzgjedhjen e zhvillimit të këtij konkursi në vendin tonë, influencoi dhe garancia artistike me profesionalizmin e lartë që jep Orkestra Simfonike e RTSH-së. RTSH është mikpritësi i këtij aktiviteti me përmasa shumë të mëdha e që domosdo do të lërë gjurmë në jetën artistike të vendit, duke u pasuar me veprimtari të këtij niveli në vitet e ardhshme. Për këtë qëllim Orkestra Simfonike e RTSH-së në bashkëpunim me Agjencinë Ndërkombëtare të Artistëve Studiomusica të Hungarisë kanë punuar prej kohësh për të realizuar një veprimtari të denjë e prestigjioze, duke qenë në mbështetje të performancës së dirigjentëve që janë pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës. Në datat 2 deri më 8 mars ky formacion artistik, do të jetë në vëmendjen e publikut artdashës përmes kësaj ngjarjeje të veçantë artistike. Pas përfundimit me sukses të fazës së parë konkurruese, do të zhvillohet faza finale e këtij konkursi ndërkombëtar më datë 8 mars, i cili do të konceptohet në formën e koncerteve. E gjitha kjo ngjarje e madhe artistike ka si bazë realizimi Orkestrën Simfonike të Radiotelevizionit Shqiptar. Ky aset i vyer i këtij institucioni, ka rastin të afishojë edhe një herë aftësitë dhe performancën e lartë artistike, por edhe të dëshmojë se zgjedhja e tij nuk ishte e rastësishme.
Programi muzikor
Gjatë këtyre ditëve konkurrentët do të prezantohen kryeveprat e muzikës botërore si P.I. Tchaikovsky: Serenatë për vargjet në C major op. 48; L. van Beethoven: Overture “Prometeu”; W. A. Mozart: Symphony 39 në banesë K 543; G. Rossini: Sinfonia nga “Il barbiere di Siviglia” (Ricordi Edicioni kritik nga A. Zedda); L. van Beethoven: Symphony n ° 5 Lëvizja e parë, e tretë dhe e katërt; S. Prokofiev: Sinfonia nr. 1 në D major “Klasike” Op. 25. Përzgjedhja e çmimeve fituese do të realizohet nga juria profesioniste ndërkombëtare ku marrin pjesë personalitete të shquara në këtë fushë si: Zhani Ciko (Shqipëri), kryetar i jurisë, Bernt E. Bauge (Norvegji), Kryeshef Ekzekutiv, Bergen Philharmonic Orchestra; Maurizio Cocciolito (Itali), Drejtor Artistik, Solisti Aquilani; Geza Kovacs (Hungari), President i Orkestrës Kombëtare të Radios Kombëtare Hungareze; Vittorio Parisi (Itali), Drejtues i Konservatorit Giuseppe Verdi në Milano. Pas përfundimit të konkursit do të shpallen tri çmime fituese të cilëve do t’u jepet mundësia për t’u prezantuar në koncerte me Orkestrat Simfonike më në zë në Europë si: Orkestra Filarmonike e Bergen (Norvegji), Manila Symphony Orchestra (Filipine), Orkestra e Dhomës Comunidad Valenciana (Spanjë), Orkestra Simfonike e Budapestit MAV (Hungari), Orkestra Simfonike e Lindjes së Largët, Khabarovsk (Rusi). Në rrugëtimin e saj të gjatë, Orkestra Simfonike e RTSH-së ka shumë se çfarë të thotë, por edhe realizimet e periudhës së fundit, janë dëshmi e kërkesës në rritje dhe e përpjekjeve për të qenë adresa artistike ndaj së cilës i referohen të gjithë. Koncertet me Jonian Kadeshën në çelje të stinës koncertore, të pasuara nga sopranoja Ulpiana Aliaj, por edhe ato nën dirigjimin e emrave të mëdhenj të kësaj fushe si Jonathan Bloxham si dhe realizimi i Simfonisë së Skënderbeut nga Aleksandër Peçi, të gjitha brenda një harku kohor prej disa muajsh, dëshmojnë jo vetëm nivel artistik, por edhe sfidë. Kjo sfidë tashmë pasurohet edhe më tej me konkursin e dirigjentëve, i cili në finale do të ketë një vepër madhore shqiptare siç është “Uvertura Festive” e Nikolla Zoraqit.
Nga Julia Vrapi








































