Pavli Sallata: Investimet e varfra po rrënojnë institucionet e artit, Ministria e Kulturës nuk bashkëpunon me artistët

0
585

 Artistët kërkojnë investime dhe buxhete për institucionet dhe jetën artistike, por kjo gjë ka munguar. Sipas tyre buxhetet nga shteti për jetën artistike janë të varfra. Ata shprehen se kërkesat për mbështetje janë të shumta por nuk merren parasysh. Mjeshtri veteran i cirkut Pavli Salla tregon se është një situatë që vetëm flitet dhe nuk bëhet gjë për kërkesat e tyre. Sipas tij kur shikohet se në çfarë gjendje janë artistët në Tiranë, më keq mund të jenë institucionet me buxhetet edhe në qytete e tjera. Në intervistën për “SOT” mjeshtri veteran i Cirkut Kombëtar, Pavli Sallata, i cili fillimet në cirk i ka që në vitin 1965, pohon se ka institucione që po shkojnë drejt rrënimit. Problem sipas tij vazhdon të jetë dhe mosha e pensionit të artistëve. President i shoqatës së artistëve të cirkut profesionistë dhe amatorë ai shprehet se mungesa e elementit të ri ndikon dhe në performancën e trupave artistike.

-Premiera e re nga ju po vijon në arenën e Cirkut Kombëtar. Çfarë mund të na thoni për punën me artistët për ta sjellë për fëmijët?

Premiera është me studion e cirkut. Pikësynimi i shfaqjes ka qenë që të përfshihen që të gjithë nxënësit e studios pavarësisht nga mosha. Por dhe të promovojmë dhe të nxjerrim vlerat më të mira të kësaj studio me numrat nga të gjitha zhanret e cirkut si dhe varietetet. Një shfaqje premierë që erdhi dhe u mirëprit nga fëmijët, sepse ka variacione. Cirku vetë nga natyra është me ngjyra si një muzikë e harmonizuar dhe përmban të gjitha zhanret. Këto fëmijë i kanë prekur të gjitha këto zhanre me profesionalizëm dhe dinjitet profesional e artistik. Janë rreth 30 fëmijë që bashkë me amatorët shkojnë te 40 veta. Kjo shfaqje është pëlqyer, është tamam si ngjyrat e ylberit. Edhe këta fëmijë shumë bukur paraqiten në shfaqje me harmoni. Premiera filloi që në dhjetor dhe po vijon ende në Cirkun Kombëtar.

-Po shfaqje të reja?

Tani e di që institucioni ka projekte të reja për shfaqjet dhe do të mblidhet bordi artistik për të aprovuar projektet që janë. Mos harrojmë që ky vit është dhe 60 -vjetori i cirkut. Por si staf ne mendojmë që studio e cirkut duhet ta ketë patjetër një premierë në vit. Projekti i jepet artistëve për të paraqitur vlerat që ka institucioni i cirkut përshembull para publikut. Por buxheti që ka dalë është shumë i mangët, qoftë për investime apo dhe zëra të ndryshëm.

-Sa është shqetësuese për ju kjo situatë?

Vijon mentaliteti i vjetër me këto buxhete të cunguara dhe nuk ka asnjë risi sa i takon buxheteve. Cirku është lënë dhe vijojnë gjyqet me pronarët. Kjo është një situatë që kërkon vëmendjen e shtetit. Me sa di unë Cirku Kombëtar ka 60- vjetorin këtë vit dhe nuk ka shtesë projekti, kjo është shumë shqetësuese. Buxheti nuk ka qenë kurrë i mjaftueshëm për institucionet tona të artit dhe vazhdon të mos jetë. Por ka ardhur dhe ministrja e re e Kulturës  dhe nuk e dimë se çfarë do të bëjë. Artistët ndër vite janë përballur me shumë probleme me jetën artistike. Edhe mungesa e transparencës është shqetësuese. Duke mos pasur transparencë në ministri lindin dhe të tjera probleme me projektet e pavarura. Problem për artistët është ligji i artit. Ne ende kemi po atë ligj. Edhe Sindikata e Artistëve të Pavarur të Shqipërisë vazhdon dhe asgjë nuk është bërë apo marrë parasysh për artistët. Problemi me ligjin e pensioneve vazhdon, një projektligj që vijon të jetë në sirtar të Ministrisë së Kulturës pa u marrë parasysh kërkesat tona. Nuk kemi fondet për jetën artistike, që të bëhen të paktën aktivitetet e duhura. Institucionet e artit nuk kanë buxhetin e mjaftueshëm, që trupat artistike të tregojnë vlerat më të mira. Por nga buxheti i mangët për jetën artistike janë të imponuara dhe kjo patjetër që ndikon dhe në cilësinë e krijimtarisë, por dhe në performancës së trupës artistike.

-Sa është bërë për kushtet e punës së artistëve, pasi herë pas here ata shprehen për probleme?

Nuk ka kushte të mira pune, sepse kanë munguar investimet që duhet. Investimet janë të varfra dhe institucionet e artit po rrënohen. Investimet nuk kanë qenë kurrë ato që duhet të jenë, që të bëhet një punë sa më e mirë dhe me kushtet optimale për punën e artistëve.

-Ju përmendët projektligjin e pensioneve që vetë keni reaguar jo pak, por duke qenë se i përkisni komunitetit të artistëve çfarë kërkoni?

Ish ministrja Mirela Kumbaro i ka lënë në sirtar projektligjet, mes tyre dhe ai për uljen e moshës së pensionit për artistët. Nuk i ka bërë edhe pse u fol shumë. Tani këto i kanë mbetur ministres së re të Kulturës Margariti, dhe padyshim që është një sfidë. Pra është një sfidë, që ajo si ministre Kulture të eci më shpejt dhe me hepa më të përshpejtuar, sepse janë projektligjet në sirtar dhe mund të bëhen vetëm rregullime. Projektligjet nuk mund të rrinë në sirtar, çfarë afatesh kanë për ti dhënë jetë? Sa më shumë të rrinë në sirtar të ministrisë aq më problematike bëhen gjërat në institucion, ka të bëjë me artistët në vend. Kur Tirana ka kaq shumë probleme me institucionet imagjino se çfarë do të ndodhë në rrethe. Institucionet janë plakur nga dy shkaqe. E para, sepse nuk funksion ligji i pensionit, dhe e dyta ka ndodh një fenomen, që kryeministri i vendit ka dhënë urdhër që ata që ikin nga institucioni për arsye të ndryshme apo dalin në pension mos të zëvendësohen me artistë të rinj. Ky është fenomen shumë i keq që sjell dhe plakjen trupave artistike. Në Cirk janë 4 vende të lira dhe nuk po bëhen gjë për të futur njerëz në punë, sepse Ministria e Kulturës thotë që është pezulluar nga kryeministri. Por si i bëhet kjo punë? Kemi një studio cirku, që nuk merren artistë të rinj për trupën. Kemi një artiste 55 vjeçare që është mjeshtre, por ama duhet elementi i ri për shfaqjen, pra duhen artistët. E mendon njeri që trupat duhet të rifreskohen dhe të futet elementi i ri dhe kjo ka rëndësi dhe për performancën e trupave artistike.

-Përballë problemeve, po vetë artistët sa kanë reaguar?

Çfarë reagimi doni kur u bë më shumë se një vit, që artistët po reagojnë dhe protestojnë për mos t’u shembur Teatri Kombëtar? Çfarë po bën qeveria, asgjë? Edhe tani SPASH vijon me letra drejtuar Ministrisë së Kulturës për problemet, që shqetësojnë artistët dhe absolutisht që bëhet gjë. Arti është pararojë për ndryshimin në vend, por është lënë pa mbështetje. Qeveria jep një buxhet të vogël për artin dhe nuk ka se çfarë të bëjë ministria. Është një kukull nëse ti si jep ministrisë buxhetin që kërkon. Zërat e buxhetit i kanë shkuar ministrisë nga të gjitha institucionet, por është i mangët dhe shpërndarja nuk bëhet ashtu si duhet. Artistët flasin dhe asnjë zhvillim. Ka monolog në vend që të ketë dialog. Kur ti si Ministri Kulture shikon problemet zhvillo takime, dialogo me artistët, zhvillo takimet me sindikatën e artistëve, sqarohu, diskuto për problemet e artit. Të thonë mendimin e tyre ata të ministrisë apo sa mundësi kanë. Por jo kështu, vazhdon monologu. Nuk ka bashkëpunim Ministri Kulture dhe artistët. Nuk bashkëveprim të ndërsjelltë midis artistëve me organizatat që kanë dhe me kuadrot e ministrisë.

-Ju dhe të tjerë artistë shpreheni pakënaqësi mbi vlerësimin që bëhet sot për njerëzit e artit. Ju jeni shprehur që mungojnë dhe studimet për artin. Çfarë kërkoni?

Hyrja e demokracisë ka sjellë dhe probleme, e para është ikja e artistëve, që ka sjellë pasoja. Edhe vlerësimi i artistëve nuk është si para ’90. Artisti ka qenë elitë në atë sistem edhe pse ka pasur interesat e veta ajo kohë. Por artistët merrnin vlerësimin e merituar për punën që kanë bërë. Sot kjo nuk ndodh, vlerësimi i duhur mungon. Në 1995 a ‘96 u hoqën pensionet e artistëve që duhet të ishin në parametra të dikurshme, sepse atë kohë para ‘90 janë bërë me studime. Por sot çfarë studimi ka për artin dhe artistët? Vetë artistët me sindikatën kanë bërë studime përshembull për pensionin që kemi thënë pse duhet të dali në x moshë, por ama nuk merret parasysh. Unë kam qenë e kam bërë këtë studim dhe e kam çuar në ministri. Mungon statusi i artistëve prej shumë vitesh që kërkohet. Pra nuk ka dashamirësi për artin. Nëse pyet në ministri thonë kemi bërë për artin, por edhe nëse kanë bërë nuk ka qenë në ato parametra që duhet. Artisti duhet të jetë në qendër të vëmendjes, por e kanë lënë. Shteti duhet të bëjë për artin dhe artistët dhe këtë nuk mund ta bëjë dot privati. Ne kemi institucioni si TOB, Cirku Kombëtar, etj, që kanë vlera dhe të merren parasysh që është një pasuri kombëtare shtetërore, që duhet ruajtur me fanatizëm dhe përkrahur me të gjitha mjetet e mundshme, që ky art shtetëror të funksionojë në parametrat e kohës. Nuk themi se nuk ka fare projekte apo aktivitete, por nuk janë në parametrat që kërkon koha. Ne nuk mund të rrimë mbrapa me mentalitetin, nuk mund të rrimë mbrapa botës. Ky qëndrim që ka Ministria e Kulturës duke e lënë artin në këtë gjendje është e dëmshme. Unë shikoj institucionin e Cirkut Kombëtar, që është rrënuar. Nëse po bëjnë investime në TOB kjo është gjë e mirë, por duhet dhe për institucionet e tjera. Sot nuk ka bërë as statusin që kërkohet prej 29 vitesh, nuk janë marrë parasysh kërkesat e artistëve.

Intervistoi: Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here