Nën hetim për korrupsion pasiv, kryegjyqtari Petrit Çeno përballet me probleme me vetingun, ja gjetjet e KPK për pasurinë e tij

0
347

 Ish-kryetari i Gjykatës së Apelit Civil të Durrësit, Petrit Çeno është i pari zyrtar i drejtësisë që përballet me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit ndërkohë që është nën hetim për korrupsion pasiv. Këshilli i Lartë i Drejtësisë e pezulloi nga detyra në vitin 2018 pas dyshimeve se kishte përfituar një udhëtim falas në Spanjë për të parë ndeshjen “El Classico” në këmbim të një favori ndaj një shtetasi në gjykim. Gjatë seancës dëgjimore dje, KPK renditi një sërë problemesh me pasurinë e Çenos. Gjyqtari nuk ishte vetë në seancë, por përfaqësohej nga dy avokatë, një prej të cilëve ishte vajza e tij. Relatorja tha se KPK kishte gjetur probleme me pasuritë e paluajtshme të familjes Çeno: një apartament + garazh, një apartament në Golem si dhe një apartament dhe një garazh në Tiranë. Ajo konstatoi se subjekti nuk kishte paraqitur dokumente për të ardhurat e bashkëshortes deri në vitin 1997, të cilat kishin shërbyer pjesërisht si burim për blerjen e apartamentit të parë si dhe një sërë mospërputhjesh në deklarime për dy pronat e tjera të patundshme. Pikëpyetje u ngritën edhe mbi mënyrën e përfitimit nga ana e bashkëshortes së 5775 metrave tokë në Shkallnur të Durrësit, një pjesë e së cilës iu dha më pas një kompanie ndërtimi në këmbim të 23% të sipërfaqes së ndërtuar. Lidhur me kompaninë ndërtuese, trupa gjykuese deklaroi se Çeno kishte qenë edhe në konflikt interesi për shkak se nuk kishte hequr dorë nga gjykimi i një çështjeje ku ajo ishte palë. Përveç mungesës së burimeve të ligjshme dhe deklaratave kontradiktore, Komisioni renditi edhe një listë pasurish të padeklaruara, të tilla si një tarracë 150 metra ku më pas ishte ndërtuar një papafingo, përfitimin e një trualli nga ALUIZN-i, paqartësinë me një kredi 80 mijë euro të kaluar në llogarinë e kompanisë minerare të djalit të gjyqtarit. Po ashtu, trupa gjykuese u shpreh se gjatë hetimit është konstatuar se subjekti nuk ka deklaruar aksionet e djalit dhe në 3 shoqëri të tjera. Gjatë seancës nuk munguan as replikat mes trupës gjykuese dhe vajzës së Petrit Çenos, e cila ishte në rolin e avokates. Fillimisht u hodhën akuza se KPK nuk e ka pajisur me dosjen e plotë të verifikimit subjektin e rivlerësimit, ndërsa në fund avokatja e cilësoi të padrejtë vlerësimin për pasurinë. 

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here