Daçiç: Propozimi zyrtar i Serbisë, ndarja e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve

0
420

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Serbisë, Ivica Daçiç, ka thënë se propozimi zyrtar i Serbisë, për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, është “ndarja e kufirit mes serbëve dhe shqiptarëve”. Në një takim për të ardhmen e Evropës dhe Ballkanit të mbajtur në Beograd, Daçiç duke iu përgjigjur pyetjes, tha se “nëse kjo ide ndonjëherë do të jetë në tryezë të bisedimeve, atëherë të dyja palët do të deklarohen për të”. Sipas tij, çështja se ku do të përcaktohej linja e ndarjes së kufirit ende nuk është përcaktuar. Sipas tij, lidhur me këtë çështje, nëse propozimi pranohet, duhet të vendoset në dialogun midis Beogradit dhe Prishtinës. Çështja e ndryshimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë është përmendur disa herë edhe nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili e quan këtë proces “korrigjim i kufijve”. Edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, nuk e ka përjashtuar këtë ide si kompromis për të arritur një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse mes Kosovës dhe Serbisë. SHBA ka thënë se do të pranojë çdo marrëveshje për të cilën pajtohen të dyja palët, mirëpo Bashkimi Evropian është i ndarë në këtë ide. Institucionet e BE kanë deklaruar se përkrahin arritjen e marrëveshjes për të cilën pajtohen Prishtina dhe Beogradi, mirëpo Gjermania po e kundërshton ndryshimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes. Arritjen e shpejtë të një marrëveshjeje dhe festimin e saj në Shtëpinë e Bardhë e ka kërkuar edhe presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, përmes një letre që ua ka dërguar, kohë më parë, presidentëve Thaçi dhe Vuçiç.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here