Komedia “8 Femra” nis turin në skenën e Korçës me Yllka Mujon dhe Rajmonda Bulkun

0
886

Komedia “8 Femra” shkruar nga Robert Thomas vjen për publikun në skenën e qytetit të Korçës. Me regji nga Driada Dervishi, kjo shfaqje pas skenës së teatrit “Andon Zako Çajupi” në Korçë do të jetë edhe te “arTurbina” në Tiranë. Vepra teatrore që ka në role aktore të njohura nga Tirana, por dhe të teatrit të Korçës mbrëmjet e datave 20 dhe 21 shkurt do të jetë në skenë për publikun korçar. Me këtë komedi, vepër e një autorit të njohur, regjisorja Driada Dervishi nis dhe turin në skena të teatrove këtë sezon artistik. Rolet në këtë komedi, regjisorja Dervishi ia ka besuar aktoreve Yllka Mujo,  Olta Daku, Zamira Kita, Rajmonda Bulku, Merita Çoçoli, Klodiana Keco, Paola Kodra, Blerta Belliu dhe Ilda Pepi, që do të jetësojnë personazhet në skenë. Por regjisorja tregon se ndërsa dy mbrëmje me radhë të javës që vjen do të jetë në Korçë, në muajin mars do të jetë radha e shfaqjes për te “arTurbina”. “Me këtë vepër teatrore nis dhe aktiviteti artistik me teatrin. Do të jemi dy net në qytetin e Korçës për të ardhur më pas në muajin mars në Tiranë te “arTurbina””, shprehet regjisorja Dervishi, një nga emrat e vlerësuar të jetës artistike në fushën e teatrit. Kjo komedi e zezë e shkruar nga Robert Thomas në vitin 1958, fillimisht u vu në skenë në vitin 1961 në Paris, në teatrin Eduardi i 7 -të. Pati një sukses të madh dhe mori çmimin “Quai des Orfevres”, që jepet çdo vit në Francë, që prej vitit 1946. E vënë në skena të ndryshme në botë, ajo njeh dhe dy realizime të njohura në kinema, e para në vitin 1960 me titullin “Nata e të dyshuarve” dhe në 2002 me titullin e saj origjinal me regji të Fransua Ozon, i cili nominohet për “Ariun e Artë” në festivalin ndërkombëtar të filmit ku të gjithë aktorët morën çmimin “Ariu i Argjend”. Më pas kjo vepër nominohet për 12 çmime “Çezar” si dhe Çmimet Evropiane të Filmit, ku përveç 6 nominimeve, fitoi atë të aktores më të mirë për të tetë protagonistet. Autori Robert Thomas 1927-1989 është një dramaturg, aktor, regjisor i njohur francez dhe që 14 vjeç zbulon pasionin e tij për teatrin bashkëkohor modern.

Komedia me tetë femrat 

Komedia “8 Femra”, që ka njohur dhe suksesin në skenat e huaja në skenën shqiptare ka në role një kastë aktoresh që janë të njohura dhe të vlerësuara në punën e tyre me teatrin ndër vite. Fabula e shfaqjes në veprën e autorit Robert Thomas vërtitet rreth një familje me tetë gra të mbledhura bashkë për festat e fundvitit. Të izoluara nga dëbora zbulojnë se mashkulli i vetëm i shtëpisë është vrarë me një thikë mbas shpine. Të zëna në kurth asnjëra prej tyre nuk del dot nga shtëpia, e të gjitha kthehen në të dyshuara. Me veprat e saj në skena regjisorja Dervishi ka spikatur dhe më parë, duke sjellë pjesë të autorëve të njohur. “8 Femra” vjen si komedia misterioze me nota muzikali. Kjo shfaqje është një dedikim ndaj figurës femërore në skenë dhe si një homazh për të gjitha rolet e femrave, që në fillime janë luajtur nga meshkujt. Një komedi, ku gërshetohet trilleri dhe muzikali, sepse të gjitha aktorët kanë dhe këngë. Në këtë  shfaqje nuk mungon dhe muzika live. “8 femra dhe 1 mister apo 8 aktore dhe 1 shfaqje për të mos u humbur. Vetëm dy ditë në Korçë 20-21 Shkurt ora 19:00”, shkruhet në faqen e teatrit të Korçës për këtë vepër që mban emrin e autorit Robert Thomas. Vepra vjen në skenën e teatrit me kostumografi realizuar nga Berina Kokona si dhe skena nga Fjoralba Prifti, konsulencë muzikore nga Adrian Jorgji, Yllka Mujo e Metila Dervishi.  

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here