CIA zbardh përplasjet në Kongresin e Rumanisë: Ja si Hysni Kapo doli kundër Hrushovit, Shqipëria ktheu sytë nga Kina dhe nisi sulmet ndaj Moskës

0
371

Ishte Kongresi i Partisë Komuniste të Rumanisë në qershor 1960, vendi i planifikuar nga Shqipëria për të bërë të ditur zyrtarisht prishjen e marrëdhënieve politiko-ekonomike me Bashkimin Sovjetik dhe afrimin me Kinën komuniste. Dokumentet e deklasifikuara të shërbimit amerikan të inteligjencës (CIA), tregojnë se si ish ministri Hysni Kapo sulmoi hapur imperializmin dhe revizionizmin jugosllav, në linjën tipike politike të Shqipërisë, dhe gjithashtu të Kinës.

Nëntor 1960

Shqipëria kthen sytë nga Kina

Gjatë kongresit të Partisë Komuniste të Rumanisë në qershor 1960, ku u bë për herë të parë publike krisja Kinë-BRSS, Hrushovi përmendi mbështetjen e delegatëve komunistë ndaj Bashkimit Sovjetik. Një nga kontrastet e konferencës ishte qëndrimi i Shqipërisë, një nga vendet më të vogla dhe më besnike deri tani ndaj linjës sovjetike, e cila në Kongresin e Rumanisë jo vetëm nuk i dha mbështetjen propozimeve të Hrushovit, por shprehu simpatinë për qëndrimin radikal të mbajtur nga Kina komuniste. Ndryshe nga folësit e tjerë, ministri shqiptar Hysni Kapo nuk deklaroi bindjen ndaj fjalëve të Hrushovit dhe nuk përmendi fare idenë e “bashkë-ekzistencës paqësore”, por sulmoi me komentet e tij imperializmin dhe revizionizmin jugosllav, në linjën tipike politike të Shqipërisë, dhe gjithashtu të Kinës. Edhe rezoluta e Komitetit Qendror të Partisë Shqiptare në korrik 1960, mbështeste qëndrimin e Kapos në kongresin e Bukureshtit, duke zyrtarizuar politikat e pikëpamjeve kineze dhe jo sovjetike. Regjimi shqiptar ka nevojë të ruajë vrullin sulmues ndaj imperializmit perëndimor dhe revizionizmit jugosllav dhe kjo sjell refuzimin prej tyre të çdo hapjeje apo propozimi për bashkekzistencë paqësore, që mund të çojë në përmirësimin e lidhjeve me Perëndimin apo në zbutjen e regjimit të tyre stalinist. Udhëheqja shqiptare e përdor vazhdimisht linjën anti-jugosllave për ta identifikuar veten si mbrojtëse të interesave kombëtare apo për të justifikuar politika të tjera të brendshme. Vitet e fundit sovjetikët i kishin lejuar Shqipërisë të manovronte në politikat e saj për të përballuar problemet e brendshme, por tashmë Tirana ka hedhur publikisht dyshime mbi udhëheqjen sovjetike të bllokut dhe po kërkon një burim tjetër autoriteti, gjë që do të sjellë reagimin sovjetik për ta rikthyer në linjë. Kohët e fundit, shqiptarët kanë përdorur përvjetorin e 11 të Republikës së Kinës për të riafirmuar mbështetjen ndaj qëndrimit ideologjik të Kinës. Delegatët shqiptarë po lavdërojnë pa kursim kolegët kinezë si “mbrojtës të pastërtisë dhe të parimeve të marksizëm-leninizmit”. Edhe kinezët në përgjigjet e tyre kanë ngritur lart “marksizëm-leninizmin militant” të Partisë Komuniste shqiptare dhe kanë deklaruar miqësi të ngushtë me fjalë si “as malet dhe as oqeanët e thellë nuk mund të ndajë popullin shqiptar dhe atë kinez në miqësinë e tyre”. Kjo duket qartë që i shqetëson sovjetikët teksa në listimin e gazetës Pravda të delegacioneve në Moskë më 7 shtator Shqipëria nuk përmendej fare, ndërsa kryeministri Shehu që drejtonte delegacionin shqiptar u prit ftohtë nga delegacionet e tjera evropiano-lindore dhe nuk u takua me Hrushovin.

Janar 1962

Shqipëri-Jugosllavi-BRSS

Prishja e vitit 1948 me Bashkimin sovjetik nuk dëshirohej nga Tito, por ai u detyrua të bëhej pjesë e saj. Sikur në vitin 1949 atij t’i ishin dhënë kushtet e riafrimit, të cilat Hrushovi rrjedhimisht ia ofroi por me shumë vonesë, Tito do t’i kishte pranuar. Por prej vrullit të ndarjes ishin krijuar zakone, lidhje dhe politika të reja, prandaj dhe çmimi për ribashkimin e Titos me bllokun ishte rritur. Ne nuk besojmë se do të ketë më afrim mes dy palëve pasi kjo do të thoshte kapitullim të njërës palë apo tjetrës. Në vitin 1956 Hrushovi bëri një kapitullin ndaj Titos por kjo nuk u pranua nga vendet e tjera satelite pranë Jugosllavisë, madje soli dhe revolta dhe trazira. Sipas analizës së Kennan, Tito është një njeri me karakter të mirë dhe as gangster e as intrigant. Ai e konsideron bllokun sovjetik si familjen e tij politike por kërkon që blloku të njohë integritetin e tij socialist. Në të njëjtën kohë ai pëlqen dhe amerikanët dhe nuk ka hile kundër nesh. Në lidhje me Shqipërinë, jugosllavët janë mjaft nervozë dhe e konsiderojnë një burim kërcënimi për sigurinë e tyre. Ata lumturohen sa herë që në regjimin e Hoxhës ka probleme, edhe pse partinë komuniste shqiptare e konsiderojnë si një pjellë të tyren, të cilën faktikisht e kanë krijuar vetë dhe e bindën të bëhej pjesë e bllokut të Komintern. Ata janë të shqetësuar gjithashtu për minoritetin shqiptar në Kosovë, i cili arrin në disa qindra mijëra njerëz. Por jugosllavët nuk do të ndërmarrin hapa ushtarakë përveç rasteve kur ato nisen nga dikush tjetër. Ata do të ishin të lumtur të rrëzonin Hoxhën nga pushteti, ashtu siç do të ishte dhe Hrushovi. Por Hoxha është një stalinist i vërtetë dhe di si të mbrohet nga armiqtë e brendshëm, pasi ka eliminuar thuajse çdo opozicion, dhe për momentin nuk mund të rrëzohet. Situata aktuale është më optimalja për SHBA, pasi sa më pak që të ndërhyjmë deh sa më pak të bëjmë për shqiptarët, aq më e vështirë bëhet për kinezët. Nëse kinezët japin ndihmë të konsiderueshme për Shqipërinë, ajo do të bëhet një barrë për ta. Por nëse kinezët nuk japin ndihmën e konsiderueshme ndaj këtij aleati të ri, ata humbin prestigjin e tyre. Por situata mund të ndryshojë prandaj duhet t’i ndjekim zhvillimet me vigjilencë.

Shkurt 1964

Informatori ynë beson se udhëheqësi Hoxha do të prekej shumë nga vdekja e të shoqes, me të cilën ka qenë martuar prej më se njëzet vjetësh. Por ai gjithsesi nuk beson se kjo do të sillte ndryshime rrënjësore psikologjike apo në politikat e tij si drejtues i Partisë së Punës së Shqipërisë. Sipas analizës sonë Hoxha nuk është sentimental dhe është zot i vetes, megjithëse është mbështetur të gruaja e tij për nxitje morale drejt pushtetit. Informatori thotë se në mungesë të saj Hoxha mund të kërkojë mbështetjen morale të Mehmet Shehu, të paktën për të ardhmen e afërt. Edhe ne besojmë se në rast vdekjeje të zonjës Hoxha marrëdhënie e Enverit me Shehun do të forcohej më shumë.

Teksti:

Njëzet vjet janë një kohë e gjatë në jetën e çdo çifti, dhe është natyrale që humbja e një anëtari ka efektin e tij te tjetri. Në rastin specifik të çiftit Enver-Nexhmije, kjo bashkëjetesë, përveç anës cilësore të 20 vjetëve, ka dhe anën sasiore të trazirave që kanë kaluar së bashku, të cilat i kanë vënë automatikisht në simbiozë me njëri-tjetrin. Prandaj ia vlen të theksohet se faza e parë e kësaj simbioze i përket kohës së luftës partizane në vitet e fundit të pushtimit, ndërsa faza e dytë ishte periudha e vështirë e presionit jugosllav (1945-1948) ku kërkohej zëvendësimi i Hoxhës me Koçi Xoxe, dhe Nexhmija besohet se ka qenë mbështetje e fortë morale ndaj Enverit. Në periudhën para prishjes me Jugosllavinë në 1948, ambasadori sovjetik në Shqipëri raportonte se Hoxha i tregonte me detaje Nexhmijes korrespondencën me partinë sovjetike, para se letrat të diskutoheshin në Komitetin Qendror, apo me udhëheqësit e tjerë. Ndërsa faza e tretë ishte ajo e triumfit absolut të Hoxhës ndaj Koçi Xoxe dhe e nisjes së rivalitetit mes Hoxhës e Shehut. Sa i përket rivalitetit me Shehun, duhet theksuar se elementët pro-Shehu nuk kanë arritur të vendosen kurrë në aparatin e Agjitacion-Propagandës, që është drejtuar gjithmonë nga Nexhmija, e cila është kujdesur që ata të mbahen larg drejtorive të rëndësishme. Faza e katërt nis në periudhën e prishjes mes Tiranës dhe Moskës ku natyrisht rivaliteti Hoxha-Shehu humbi intensitetin e tij, por Nexhmija gjithsesi ka mbajtur anën e të shoqit. Kjo simbiozë mes tyre është një element i fuqishëm për ruajtjen e pushtetit dhe të figurës popullore të Enverit. Në maskën e tij të “njeriut të mirë” Hoxha gjithnjë ka fshehur diplomatik ‘anadollak’ të zgjidhjeve ekstreme që ishte, siç është reflektuar në prishjen e marrëveshjes së Mukjes gjatë luftës, ndarjen me Titon dhe nisjen e luftës së hapur ndaj tij, apo prishjen me Moskën. Të gjitha këto tregojnë për këmbënguljen dhe arrogancën e Hoxhës. Nga ana e saj, Nexhmija nuk ka qenë kurrë person i vendimeve arrogante, por më shumë njeri i veprimit, që shpejt dorëzohet ndaj presionit të tjerëve. Ajo nuk ka qenë udhëheqëse politike por njeri i punës dhe ndoshta gruaja më intelektuale në parinë komuniste shqiptare. Ndryshe nga të tjerët, ajo pëlqente librat. Gjatë fazës së dytë, në partinë komuniste shqiptare pushteti i grave kontrollohej nga Naxhije Duma, e preferuar e Koçi Xoxe. Edhe gjatë prishjes mes Tiranës dhe Moskës, Duma së bashku me gruan e Mehmet Shehut (Fiqirete Shehu) kanë shfaqur shenja frike dhe kanë braktisur postet e tyre. Në konkluzion, ne besojmë se humbja e Nexhmijes nuk do të sillte ndryshime në pozitën e Enver Hoxhës, asi ai nuk është shumë sentimental. Karakteristika kryesore e Hoxhës është adhurimi për egon e tij, çka nuk lë shumë vend për gjëra të tjera, dhe as për bashkëshorten e 20 viteve. Humbja e Nexhmijes do të kishte vetëm efekte dytësore ose të dorës së tretë mbi personin e Enverit. Pas tashmë çerek shekulli në krye të partisë, edhe sikur të mos dëshironte, në qarkun e intrigave, armiqësive rivaliteteve, Enveri do e ketë hapur ndonjëherë zemrën për mbështetje morale, ose ndoshta duke diskutuar planet dhe dëshirat e tij. Për këtë nuk kishte person më të përshtatshëm se Nexhmija, e cila padyshim që kë qenë vendi i rrëfimit të Enverit. Megjithëse natyra e butë e Nexhmijes nuk ka influencuar bashkëshortin e saj, ka pasur një efekt, si çdo familje ku anëtarët marrin e japin sadopak nga njëri-tjetri. Prandaj besojmë se me zhdukjen e Nexhmijes natyra e egër e karakterit të Enverit do të theksohej edhe më shumë. Ndoshta me zhdukjen e saj Hoxha do të kërkonte një tjetër vend për mbështetje morale e psikologjike, por unë përjashtoj mundësinë se do ta kërkonte këtë te një grua tjetër, të paktën për të ardhmen e afërt. Në moshën e tij aktuale, pra mbi 50 vjeç, Hoxha mund të kërkojë mbështetjen te fëmijët (më i madhi rreth 15 vjeç) por ata janë gjithsesi të vegjël për të dhënë mbështetje psikologjike. Unë besoj se personi ku Hoxha do të përpiqej të mbështetej është Mehmeti, i cili do të përpiqej të përfitonte sa më shumë nga kjo situatë e favorshme. Nëse kjo hipotezë është korrekte, vdekja e mundshme e Nexhmijes do të bënte që Enveri të lidhej më shumë me Mehmetin (por jo Mehmeti me Enverin). Sa i përket organit të Agjitacion Propagandës në Komitetin Qendror, besoj se edhe pa prezencën e Nexhmijes, ai do të mbetet një vegël e Enverit.

4 janar 1955

Ndarja e Shqipërisë nga blloku sovjetik

Nga Holmes, për Merchant

Sipas udhëzimeve tuaja, ne kemi studiuar çështjen e ndarjes së Shqipërisë nga blloku Sovjetik. Bashkë me CIA-n kemi analizuar detajet e propozimit dhe mendojmë se për të pasur njëfarë suksesi real, çdo plan i tillë do të kërkonte burime njerëzore dhe material të përafërt me një operacion ushtarak të gradës së plotë. Përgatitjet për një operacion të kësaj mase nuk do të arrihej kurrë të mbaheshin sekrete dhe as nuk do të mund të prezantohej për botën si një iniciativë e natyrës vetëm shqiptare. CIA nuk ka kontakte të vazhdueshme brenda vendit dhe gjithashtu nuk ka figura të njohura ushtarake ose politike që mund t’i kthejnë në udhëheqës të një rebelimi kundër Enver Hoxhës. Përpjekjet për vendosjen e lidhjeve brenda vendit nuk kanë pasur suksese prej mbikëqyrjes së ashpër të autoriteteve vendore dhe atyre sovjetike. Ka rreth 1000 zyrtarë rusë të ndarë në mënyrë të njëjtë mes institucioneve ushtarake dhe civile. Unë jam dakord me konkluzionet e memorandumit të Thurston në nëntor 1954, dhe nuk e konsideroj të nevojshme përsëritjen e refuzimit politik për veprim në kohën aktuale. Unë rekomandoj se çështja duhet të mbahet në monitorim të vazhdueshëm. Bashkë me Ministrinë e Jashtme britanike të hartohet një plan afat-gjatë me qëllim përcaktimin e objektivave tona afatgjatë në Shqipëri. Të hartohen gjithashtu plane dytësore për t’u ndjekur në rast të plasjes së konflikteve, të përgjithshme ose lokale, ku të përfshihet tipi i veprimit diplomatik me Francën, Italinë, Jugosllavinë, Greqinë e Turqinë. Të hartohen gjithashtu planet e veprimit operacional dhe diplomatik për t’u ndjekur në rast të ndryshimesh të situatës në Shqipëri, dhe situata të mbahet vazhdimisht nën mbikqyrje. Të përmirësohet efektiviteti i Komitetit Kombëtar Shqipëria e Lirë, të vazhdohet përmirësimi i kontakteve me figura politike e ushtarake brenda Shqipërisë, të cilët të mund të përdoren në të ardhmen si udhëheqës të lëvizjes së rebelimit për përmbysjen e regjimit të Hoxhës, sado e largët që mund të jetë perspektiva. Të tentohen gjithashtu depërtimet në misionet shqiptare të dërguara jashtë shtetit. Në bashkëpunim me misionin britanik, të zhvillohen plane të koordinuara për sugjerimet e mësipërme.

Pozita e Shqipërisë dhe stabilimenti komunist

Është një fakt i ditur se sot Shqipëria nuk është vetëm një satelit që sillet rreth Kremlinit, pasi vendndodhja e saj strategjike detare dhe burimet e saj natyrore e bëjnë një nga vendet kryesore të bllokut lindor, si nga ana ekonomike dhe ushtarake. Ne mund të themi pa ekzagjeruar se 95 për qind e shqiptarëve nuk janë as komunistë as socialistë, në kuptimin marksist të fjalës. Tradicionalisht shqiptarët janë të lidhur ngushtë me idenë e besimit, familjes, lirive individuale dhe pavarësisë kombëtare. Në vitet 1939-1944 gjatë kohës së pushtimit italian e gjerman, komunizmi në Shqipëri nuk vepronte për llogari të partisë komuniste por thjesht si një lëvizje çlirimtare. Aktivitetet komuniste kishin karakterin e luftës kundër dominimit të huaj. Në këtë formë lëvizja e Enver Hoxhës mori formën e një demokracie popullore, që u vu nën kontroll nga rrethi i afërt i Hoxhës. Kjo i gënjeu shqiptarët ashtu siç u gënjyen dhe popuj të tjerë të Evropës lindore. Gjithashtu njohja e regjimit në fund të luftës nga SHBA dhe Britania rriti prestigjin e tij brenda dhe jashtë Shqipërisë. Qeveria e Hoxhës e krijuar nga klika komuniste në drejtimin e ekspertëve jugosllavë, konsolidoi pushtetin e saj me anë të manovrave dhe intrigave, duke u vendosur në sferën e bindjes ndaj Marshall Titos. Qeveria e Tiranës e lidhi Shqipërinë kokë e këmbë me Jugosllavinë, në fushat politike e ekonomike, me bashkim doganor dhe monetar. Populli shqiptar e urren komunizmin dhe çdo akt që kufizon liritë apo përfshin ndërhyrjet e huaja në punët e tyre të brendshme. Ata kanë shprehur kundërshtimin ndaj qeverisë së Hoxhës në vitet 1945, 1946 dhe 1947, por këto veprime i kushtuan shtrenjtë popullit pasi u sheshuan me masa brutale si kampe përqendrimi, burgosje dhe ekzekutime. Në këtë periudhë populli përballet me probleme vitale si mbrojtja e integritetit territorial. Greqia ka vendosur se cilado qeveri të jetë në pushtet në Shqipëri, nuk heq dorë nga pretendimet e saj për dy provincat jugore të vendit Gjirokastra e Korça, të cilat i quan Epiri i veriut. Ato përfaqësojnë rreth një të tretën e zonës dhe popullatës së Shqipërisë. Por komunizmi e ka kaluar radhën me takt, duke përfituar nga çdo mundësi dhe situatë. Nga njëra anë Tito, ish-nxënësi i Stalinit, për të kënaqur shqiptarët i dha autonomi provincës shqiptare të Jugosllavisë, Kosovës në 1949. Nga ana tjetër, në marrëveshje me Moskën, Tito e bëri veten protektor të integritetit territorial të Shqipërisë sipas kufijve të vitit 1913 me një traktat garancie reciproke me Shqipërinë. Në fakt Moska në bashkëpunim me Beogradin, në konferencën e ministrave të jashtëm në Paris në 1946 e mbrojtën integritetin territorial të Shqipërisë nga pretendimet greke. Gjatë periudhës 1945-1948 populli shqiptar kaloi prova të vështira. Ata duruan aplikimin e komunizmit të brendshëm radikal dhe influencën e Jugosllavisë së Titos, e cila kishte si synim krijimin e kushteve për hyrjen e Shqipërisë si shtet në federatën e Jugosllavisë. Kjo situatë ishte tragjike sepse nga njëra anë populli shqiptar vuan tiraninë e regjimit të kuq të Enver Hoxhës dhe gjithashtu ekspozohet ndaj mundësisë së absorbimit në Jugosllavinë e Marshallit Tito. Nga ana tjetër ata duhet të mbrohen nga pretendimet territoriale të Greqisë, për të cilat shumë shqiptarë thonë se nuk mund të eliminohen përveçse me anë të forcës ushtarake të Marshallit Tito dhe Bashkimit Sovjetik. Të dyja këto janë alternativa të vështira dhe delikate për popullin shqiptar. Por megjithë kërcënimet e Greqisë, populli shqiptar e ka treguar urrejtjen ndaj qeverisë së Hoxhës.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here