Amfiteatri i Durrësit është braktisur nga institucionet. Gërmimet arkeologjike prej gati tre dekadash janë kryer në mënyrë sporadike. Sipas arkeologëve institucionet duhet të bashkërendojnë punë midis tyre dhe të nisë një projekt për gërmimet arkeologjike në amfiteatër. Arkeologët Neritan Ceka dhe Moikom Zeqo shprehen se për amfiteatrin duhet të nisin gërmimet pasi është një monument i braktisur, që duhet të ketë edhe mirëmbajtjen dhe restaurimin. Në reagimin e tij profesor Neritan Ceka tregon se pjesa që ka mbetur e amfiteatrit kërkon një angazhim që deri tani ka munguar nga institucionet. “Punimet janë ndërprerë prej vitesh. Ministria e Kulturës kryesorja, Instituti i Arkeologjisë si dhe Bashkia e Durrësit duhet të jenë në një plan se çfarë do të bëhet me amfiteatrin e Durrësit. Pothuajse 80 përqind e amfitearit është gërmuar dhe ka mbetur 20 përqind, e cila duhet gërmuar me një rregull të caktuar sepse është pjesa më e rëndësishme e gërmimit, që lidhet me periudhën e braktisjes, me ripërdorimin si varrezë, me kishën, etj. Kërkon një angazhim, që gërmimet aty të vazhdojnë gati përgjatë gjithë vitit”, shprehet profesor Ceka. Por sipas tij deri tani shteti ka treguar që nuk tregon vëmendje për arkeologjinë në vend. “Këtu para për arkeologjinë nuk po japin në një mënyrë idiote, sepse mendojnë që arkeologjia harxhon para dhe nuk nxjerr fitime. Kur qendra të tilla si Butrintit apo dhe Durrësi tregojnë që arkeologjia prodhon para, pra është një investim që rikthehet. Prandaj është problem, por me kë të flasësh? Në këtë vend nuk ke se me kë flet, duke filluar me dy ministritë. Ministria e Arsimit dhe e Shkencës që ka Institutin e Arkeologjisë dhe për pjesën që duhet të mirëmbahet dhe restaurohet e ka Ministria e Kulturës. Këto dyja as e kanë në axhendë fare arkeologjinë e kanë përjashtuar”, vijon më tej ai. Në reagimin e tij arkeologu Neritan Ceka shton më tej se është turp se si çohen turistët në një vend që nuk është bërë asgjë prej vitesh. “Gërmimet në mënyrë intensive janë ndërprerë, që nga viti 1990. Por janë bërë gërmime sekondare në bashkëpunim me Universitetin e Parmës. Për amfiteatrin duhet të ketë restaurime, nuk është bërë gjë dhe është një monument i braktisur. Është turp që ne i çojmë turistët në një vend, që duket që është në braktisje të plotë. Aty janë bërë pasi është gërmuar dhe ndërtime të paligjshme mbi amfiteatër në kohën e kaosit. Por duhet pranuar që para 2 a 3 vitesh qeveria mori një vendim për të liruar hapësirën që e kishin mbuluar dy shtëpi. Pra çdo gjë është në dispozicion për të vazhduar gërmimin për ta përfunduar dhe filluar një restaurim, që jo vetëm duhet ta mirëmbajë por ta kthejë atë në një monument i cili të jetë dhe vend performancash”, tregon arkeologu Neritan Ceka. Sipas tij për Durrësin që ka dhe sezonin veror do të ishte një privilegj që të kishte një amfiteatër qoftë për ta vizituar gjatë ditës turistët, por dhe gjatë mbrëmjes të ishte një vend shfaqjesh, ku mblidhen njerëzit dhe artit ti jepet mundësi të ketë një hapësirë.
Zeqo: Institucionet, të vonuara
Për arkeologun dhe studiuesin Moikom Zeqo institucionet në vend janë të vonuara për punën që duhet bërë për amfiteatrin e Durrësit. “Monumenti më i madh inxhinierik me përmasat më të mëdha në Shqipëri dhe në Ballkan është amfiteatri i Durrësit. Ky amfiteatër është gërmuar dhe zbuluar në mënyrë të rregullt deri në 1990. Më pas ka pasur ndonjë gërmim sporadik të pjesshëm dhe nuk është bërë gërmimi i plotë. Institucionet tona janë të vonuar edhe shkencërisht edhe nga pikëpamja që këto vlera ti paraqiten turizmit me gërmimin e amfiteatrit”, shprehet arkeologu Moikom Zeqo. Sipas tij jo vetëm që gërmimet duhet të vazhdojnë, por duhet të krijohet dhe një komitet me profesorë për këtë projekt kombëtar. “Gërmimi i amfiteatrit i plotë është një domosdoshmëri për kohën dhe për shkencën. Sipas meje duhet të ketë një projekt kombëtar për amfiteatrin dhe i financuar, si dhe një komitet shkencëtarësh, arkeologësh, që të merren me zbardhjen ose hapjen deri në fund të kontureve të ruajtura të amfiteatrit. Projekti ka fatura financiare, por e rëndësishme është kërkimi shkencor, hapja e këtyre fragmenteve që kanë mbetur dhe në mënyrë të veçantë nga porta lindore që mendohet se mund të ketë dhe objekte të reja dhe jam i bindur se do të gjenden”, shprehet arkeologu Moikom Zeqo. Amfiteatri i Durrësit, më i madhi dhe më i rëndësishmi, jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Ballkan, është ndërtuar në fillim të shek të II të e.s gjatë sundimit të perandorit Trajan. Ai ka vlera të veçanta arkitekturore dhe artistike dhe mund të krahasohet me monumentet e kësaj periudhe të Pompeit dhe Kapuas në Itali. Amfiteatri i Durrësit është zbuluar në vitin 1966 nga bashkëpunëtori i vjetër shkencor Vangjel Toçi, vit në të cilin kanë nisur dhjetëra ekspedita të sektorëve kërkimorë e shkencorë, shqiptare e të huaja.
Nga Julia Vrapi








































