Kriza në Britani, May reziston: Dorëhiqem para zgjedhjeve të përgjithshme

0
393

Kryeministrja britanike Theresa May i ka mbijetuar mbrëmë një vote mosbesimi të thirrur nga vetë deputetët konservatorë që kundërshtojnë marrëveshjen e saj për Brexit. Në një fjalim emocional para votëbesimit, kryeministrja May i tha deputetëve se do të dorëhiqet para zgjedhjeve të përgjithshme, por shtoi kërkon të qëndrojë për zbatuar marrëveshjen e saj të Brexit, për ndarjen e disiplinuar nga Bashkimi Evropian dhe përcaktimin e marrëdhënies së ardhme të Britanisë me bllokun. Duke hyrë në dhomën parlamentare të komitetit, ajo u prit me duartrokitjet e zakonshme nga disa seksione të partisë së saj, ndërsa u përball me antagonizmin e rivalëve të ashpër si ish-sekretari i jashtëm Boris Johnson, ish-sekretari i Brexit David Davis dhe Jacob Rees-Mogg, i cili e quajti pritjen “të vakët”.

200 pro, 117 kundër

Ashtu siç pritej, May fitoi votën e mosbesimit me 200 vota pro dhe 117 kundër, ndërsa pranoi e emocionuar se nuk kishte popullaritet për të udhëhequr partinë në zgjedhjet e vitit 2022, por nuk përjashtoi mundësinë e udhëheqjes së konservatorëve në zgjedhje të mundshme të parakohshme. Pushteti i May u reduktua ndjeshëm kur ajo zvogëloi mazhorancën konservatore me zgjedhjet e parakohshme që thirri në 2017. Në votën e fshehtë brenda partisë konservatore, May kishte nevojë për një shumicë të thjeshtë prej 158 nga 315 deputetë të partisë, për të qëndruar lider. Analizat e mediave sipas komenteve të deputetëve në rrjetet sociale, tregonin edhe më herët se ajo do ta fitonte votëbesimin. Në rast të kundërt, procesi i komplikuar i Brexit, do të hynte edhe më shumë në kaos. Ministri aktual i Brexit, Robin Walker tha se besonte se dy të tretat e konservatorëve do të mbështesin Theresa May. Kompanitë e basteve e konsideronin kryeministren favorite për të fituar me koeficient 1.2.

BE refuzoi rinegocimin

Kryeministrja britanike Theresa May  nuk arriti të bindë më herët kancelaren gjermane Angela Merkel për një rinegocim të marrëveshjes së Brexit, një ditë pasi ajo shtyu votimin në parlament, prej frikës së disfatës turpëruese. May bëri një udhëtim emergjence të martën në Berlin ku Merkel i tha se nuk kishte mundësi për amendime në marrëveshjen, teksa më herët edhe kreu i KE, Jean-Claude Juncker i tha se marrëveshja e Brexit në tryezë “është e vetmja e mundshme” dhe se nuk ka hapësirë për rinegociata. Kryeministra ka nisur një turne të kryeqyteteve evropiane për të shpëtuar marrëveshjen e saj të Brexit, të cilin kreu laburist opozitar  Jeremy Corbyn e quajti “shpërdorim të kohës dhe parave publike”. May tha se vota e akordit do të mbahet para 21 janarit. Më herët kryeministrja britanike Theresa May ka shtyrë votën e parashikuar për marrëveshjen e ndarjes nga Bashkimi Evropian, për të fituar kohë në mbledhjen e mbështetjes dhe evitimin e refuzimit të saj në Dhomën e Ulët. Ekspertët thonin se vendimi i saj fut në kaos planet e Brexit dhe shtyrja e votës është një tjetër turpërim për May,e cila u bë kryeministre fill pas miratimit të Brexit pas referendumit të 2016. Prej atëhere ajo është përpjekur të arrijë marrëveshjen më të mirë të Brexit me BE, si dhe të bindë euroskeptikët ta pranojnë para datës së ndarjes, e parashikuar më 29 mars. Opozita Laburiste dhe shumë konservatorë kanë thënë se nuk do të mbështesin akordin, që sipas tyre është tepër i favorshëm për BE dhe jo për Britaninë.

Andi Lamko

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here