Zbardhet pr/ligji i qeverisë, trajtim suplementar për minatorët, naftëtarët dhe metalurgjinë, përfitojnë 25.500 persona

0
657

Ministria e Financave dhe Ekonomisë ka hartuar një draft ligj për trajtimin financiar suplementar të punonjësve që kanë punuar në miniera nëntokë, të punonjësve të industrisë së naftës dhe gazit si dhe të punonjësve që kanë punuar në metalurgji. Projektligji ka për qëllim të mbulojë me përfitime financiare, përpara kohës së mbushjes së moshës për pension, si dhe përfitime shtesë mbi ato që akordohen nga ligji “Për Sigurimet Shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, për tre kategori mjaft të veçanta punonjësish, të cilët kanë punuar në miniera nëntokë, në industrinë e naftës, si dhe në punë me një shkallë vështirësie shumë të lartë në metalurgji.

Sipas relacionit që shoqëron këtë projektligj, i cili ka dalë për konsultim, në industrinë e naftës numri i personave që përfitojnë arrin në rreth 7000 punonjës, me një efekt financiar vjetor rreth 750 milionë lekë. Numri i përfituesve minatorë parashikohet të jetë rreth 16 mijë persona dhe efekti përllogaritet rreth 530 milionë lekë në vit ndërsa për metalurgjinë, numri i përfituesve parashikohet të jetë rreth 2500 me një efekt financiar rreth 250 milionë lekë”. Pra, nga ky projektligj pritet të përfitojnë në total rreth 25.500 persona.

Kush përfiton

Përfitues, sipas këtij ligji, janë pensionistet që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 4171, datë 13.9.1966 “Për sigurimet shoqërore në Republikën Popullore të Shqipërisë” dhe në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, pensionistët që kanë përfituar pension sipas ligjit nr. 150/2014 “Për pensionet e punonjësve që kanë punuar në miniera në nëntokë” punonjësit që kanë kryer procese pune në miniera në nëntokë dhe do të plotësojnë kushtet e këtij ligji në vitet e ardhshme,punonjësit që kanë punuar në industrinë e naftës e të gazit dhe personeli inxhiniero-teknik, që ka punuar në ndërmarrjet e sistemit të naftës, si shpim-kërkim, shpim-shfrytëzim, prodhimit, sizmikës, gjeofizikës kantieriale, përpunimit dhe transport me naftësjellës dhe gazsjellës si dhe punonjësit që kanë punuar në metalurgji në profesione, punë shumëtëvështira; shkrirje etj. Personave të sipërshënuar u sigurohen përfitime suplementare, mbi ato të përcaktuara në ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, si pension për shkak të profesionit (llojit të punës), shtesë mbi pensionin e pleqërisë, shtesë mbi pensionin e invaliditetit. Përfituesit të cilët kanë përfituar, ose do të plotësojnë kushtet për të përfituar pension pleqërie sipas ligjit nr. 7703, datë 11.5.1993, “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, kanë të drejtën e përfitimit të shtesës mbi pension kur kanë periudhë sigurimi në profesion; punonjësit e nëntokës 12.5 vjet; punonjësit e industrisë së naftës dhe të gazit; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet, punonjësit e metalurgjisë; burrat 20 vjet, gratë 15 vjet.

Gjithashtu, punonjësit e këtyre industrive kanë të drejtën e trajtimit me pension për shkak të profesionit, deri në 15 vite përpara moshës së pensionit nga skema e detyrueshme.

Kaosi me profesionet

Duke konsideruar punën në miniera një punë shumë të vështirë, precedentët e krijuar si për trajtimet financiare të parakohshme ashtu edhe përfitimet shtesë nga pensioni i pleqërisë, pavarësisht se rreth 16 mijë përfitues aktualë kanë nga 18 deri në 25 vjet që trajtohen me pensione nga sigurimet shoqërore ose trajtime të veçanta financiare, projekt ligji parashikon, vazhdimin e pensioneve të parakohshme të mbuluar me kontribute shtesë dhe nga buxheti, si dhe vendosjen e një skeme trajtimi financiar shtesë mbi pension që varet nga vitet e punës në nëntokë e cila për të gjithë përfituesit aktualë dhe të atyre në 5 vitet e ardhshme, mbetet të financohet pothuajse totalisht nga buxheti. Ndërkohë, konceptohet që këto skema të jenë të përkohshme dhe të ndërpriten duke hapur rrugën e krijimit të fondeve profesionale të pensioneve të financuara nga kontribute të detyrueshme. Gjithashtu, në këtë projektligj parashikohet që i gjithë spektri i periudhave të sigurimit në profesione pune shumë të vështira si në industrinë e naftës dhe të gazit, ashtu edhe në metalurgji të kenë konceptualisht një trajtim financiar të njëjtë. Për këto arsye projekti i paraqitur parashikon, ndarjen e përfitimeve në fushën e sigurimeve shoqëror dhe trajtimeve mbi pension, nga dispozitat që përcaktojnë një status të veçantë për industrinë e naftës dhe të gazit. Duke u fokusuar në parimin e dhënies së një trajtim të veçantë financiar, i cili për përfituesit aktualë është totalisht i pa mbuluar me kontribute, i adresuar për profesione shumë të vështira, projekti që paraqitet për shqyrtim e miratim përjashton nga përfitimi punonjësit e industrisë mekanike të naftës. Gjithashtu, projekti i paraqitur fokusohet në saktësimin dhe zgjidhjen e disa problematikave që kanë dalë në procesin e identifikimit të personave që kanë punuar në industrinë e naftës dhe të gazit, verifikimin dhe plotësimin e dokumentacionit të tyre, për të realizuar dhënien e statusit dhe si pasojë të përfitimeve financiare që rrjedhin prej tij në fushën e pagave, pensioneve apo përfitimeve të tjera.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here