Skulptorët kundër vendimit të Kumbaros: Mbyllja e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit, e turpshme

    0
    526

    Ministria e Kulturës ka nisur procedurën për mbylljen e Qendrës së Realizimit të Veprave të Artit. Në shkresën zyrtare drejtuar drejtorit të QRVA skulptorit Agim Rada bëhet me dije se projektvendimi është parashikuar të hyjë në fuqi më datë 1 shkurt të 2019. Sipas Ministrisë së Kulturës, QRVA gjatë viteve të fundit ka humbur efikasitetin dhe qëllimin për të cilën është krijuar. Pas reagimit të drejtorit Agim Rada që e quante të padrejtë mbylljen e saj, edhe skulptorë të tjerë shprehen kundër vendimit të firmosur nga ministrja e Kulturës Mirela Kumbaro. Sipas tyre QRVA duhet të vijojë të funksionojë, pasi në të kundërt monumentet do të shkatërrohen. Prof. Thoma Thomai në lidhje me procedurën që ka nisur Ministria e Kulturës për QRVA shprehet se nuk kanë mundësi baskitë, që të merren me monumentet dhe mirëmbajtjen e restaurimin e tyre. “Është kollaj të mbyllësh Qendrën e Realizimit të Veprave të Artit, por për të hapur nuk gjen më njerëz. Unë nuk e shikoj të arsyeshme që kjo qendër të mbyllet nga Ministria e Kulturës. Statuja dhe monumente po bëhen dhe do të bëhen, nëse e ruan një qendër të tillë që të jetë në varësi të shtetit është pozitive. Unë nuk e di çfarë problemesh kanë që duan ta mbyllin. Bashkitë nuk kanë dot mundësi. Kur erdhi puna që duhej të restauroheshin të gjithë monumentet e Shqipërisë kush do ta bënte? Do ta bënin fonderitë private? Ato kanë pretendime të tjera. Ndaj duhet të jetë një qendër e shtetit për veprat e artit”, pohon skulptorit i njohur prof. Thoma Thomai. Por edhe pse në shkresën zyrtare Ministria e Kulturës shkruan se QRVA vitet e fundit ka humbur efikasitetin, kjo kundërshtohet nga profesor Thoma Thomai. Sipas tij, ishin punonjësit e QRVA që restauruan monumentet që kishin dekada që nuk trajtoheshin. “Punonjësit e QRVA në gjithë vendin restauruan monumente, që prej 30 vjetësh nuk i prekte njeri. Kur bëmë variantin e Nënë Terezës për në Rio De Janero kujt do t’ia jepnim? E bënë dhe e përgatitën në QRVA. Nuk është e drejtë të mbyllet kjo qendër dhe përgjegjësia shkon te ata që e kërkojnë mbylljen, por kush do të kujdeset për monumentet”, shprehet skulptori prof. Thoma Thomai. Me të njëjtin qëndrim është dhe skulptori i njohur profesor Mumtaz Dhrami. Në reagimin e tij ai drejtohet me pyetjen se kush do të kujdeset për monumentet? “Nuk mund të mbyllet QRVA. Nuk e di kush do ti bëjë më pas punët që bën ajo. Ndërmarrja e ka justifikuar punën e saj, sepse vetëm monumenti “Nëna Shqipëri”, që kishte nevojë për restaurim ishin këta punonjës që e rregulluan. Tani kemi dhe një tjetër monument në Përmet për varrezat e dëshmorëve, një punë e bukur e Odhise Paskalit, po kush do ta bëjë atë punë? Ku ka fonde bashkia që ta bëjë në bronz? Monumentet kanë nevojë për mirëmbajtje dhe restaurime, sepse nëse kjo nuk bëhet ato dekompozohen, prishen”, shprehet skulptori i njohur Mumtaz Dhrami.

    Ministria nuk po e kupton rëndësinë

    Për një tjetër skulptor me këtë vendim që po merr Ministria e Kulturës nuk po e kupton se çfarë do të ndodhë me monumentet në vend. Skulptori Maksim Bushi pohon se bashkitë nuk mundet dot të merren me veprat. “Nëse mbyllet QRVA kjo sjell dhe shkatërrimin e veprave. Qendra duhet të qëndrojë si një alternativë në kapitalizëm. Nuk duhet të mbyllet nga Ministria e Kulturës, sepse nuk po e kuptojnë çfarë do të ndodhë me monumentet, që duan mirëmbaje dhe restaurime. Ata në ministri mund të justifikohen me idenë që ka fonderi private, por sërish QRVA duhet të jetë si një alternativë. Unë e kujtoj QRVA që para viteve ‘70 kur kam bërë praktikën dhe më pas u emërova aty”, shprehet skulptori Maksim Bushi. Por dhe ish drejtori i Galerisë Kombëtare të Arteve Artan Shabani del kundër këtij vendimi. “QRVA përveçse në funksionin e saj që prodhon veprat e artit, ka dhe një funksion referencial për të gjithë artistët që kanë punuar dhe prodhuar vepra. Unë nuk jam dakord që ajo qendër për veprat e artit të mbyllet. Shqipëria nuk është një vend, që i ka të tepërta qendrat e artit, dhe QRVA është dhe një memorie historike, një dëshmi për historinë e artit shqiptar, për figurën, skulptorët dhe gjeneratat. Mendimi im është që këto qendra duhen restauruar, rehabilituar dhe të jenë dhe pjesë e një axhende edhe të shkollave për edukimin e artit. Pra të vijnë dhe nxënës që mund të punojnë baltën, allçinë, siç është dhe në Korçë. Këto janë qendra profesionale dhe jam për vazhdimësinë e traditës”, shprehet Artan Shabani. Pak ditë më parë drejtuesi i QRVA skulptori Agim Rada u shpreh se mbyllja e saj është bërë me qëllim, për shkak të kritikave që ai prej vitesh ka drejtuar ndaj ministrisë.

    Nga Julia Vrapi

    LEAVE A REPLY

    Please enter your comment!
    Please enter your name here