Bashkim Dedja shpërthen në akuza ndaj IKP: Janë deformuar faktet, nuk ka prova që unë kam fshehur pasurinë

0
377

Kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Bashkim Dedja mbrojti dje veten në seancën gjyqësore në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ku do të vendoset për fatin e tij. Dedja nuk kurseu sulmet ndaj Komisionerit Publik, duke i akuzuar se kanë deformuar faktet. “Unë jam hetuar dhe jam rikonfirmuar në detyrë nga KPK. Në këtë ankim të Komisionerit Publik janë deformuar faktet. E gjithë pasuria ime përbëhet nga një apartament dhe një makinë e blerë në vitin 2006 sepse apartamenti tjetër është pasuri e BKT sepse e kam marrë me kredi. Pasuria ime është më e vogël se shuma e akumuluar gjatë viteve. KPK ka konkluduar se pasuria ime është e ligjshme. Pretendimet e Komisionerit Publik janë interpretime të shkëputura nga faktet duke i deformuar ato. Komisioneri thotë se vëllai im ka marrë hua për vete dhe nuk pa patur mundësi të më japë mua hua. Por ky është një interpretim dhe jo i bazuar në fakte. Komisioneri Publik i merr udhëtimet e mija zyrtare jashtë vendit si shpenzime private”, tha Bashkim Dedja.

Kreu i Gjykatës Kushtetuese paraqiti edhe argumentet e tij për të gjitha pretendimet e ngritura nga IKP. “Në lidhje me apartamentin në Tiranë ku Komisioneri thotë se nuk faktohet që im vëlla ka kontribuar për shkak të emigrimit në Greqi, dua të theksoj se vëllai im ka bërë një deklaratë noteriale për të sqaruar pagat e tij atje. Por për shkak të qëndrimit ilegal, nuk disponon dokumente për vërtetimin e tyre. Të gjitha familjet e shqiptarëve kanë nga një njeri jashtë që kanë ndihmuar në familje, por askush s’i ka të faktuara sepse emigrimi ka qenë ilegal. Argumentet e komisionerit nuk përputhen me dosjen dhe në rastin më të keq, janë deformuar”, deklaroi ai. Bashkim Dedja renditi të njëjtat argumente edhe për apartamentin e dytë për të cilën ka deklaruar se ka marrë hua nga vëllai dhe kunati. “Komisioneri Publik pretendon se kunati im nuk ka paguar taksa për pagën e marrë në Itali, ku qëndronte ilegalisht. Edhe nëse kjo është vërtetë, çfarë përgjegjësi duhet të mbajë unë, aq më tepër që nuk kam patur dijeni”, tha Dedja. Sa i takon pretendimit të ngritur për apartamentin në Golem, Bashkim Dedja shpjegoi se ka qenë ai që i ka kërkuar KPK të ketë transparencë për këtë pjesë.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here