Bashkim Dedja gati të fundoset nga Apeli, Komisioneri Publik dhe ONM “gozhdojnë” kreun e Kushtetueses, ja problemet me pasurinë

0
503

Pozicioni i Bashkim Dedes në krye të Gjykatës Kushtetuese rrezikon të lëkundet. Ditën e djeshme Kolegji i Posaçëm të Apelimit mori në shqyrtim ankimimin e Komisionerit Publik kundër Dedes, i cili kërkon që ky i fundit të shkarkohet nga detyra. Për Bashkim Dedjen u shpreh pak muaj më parë Komisioni i Pavarur i Kualifikimit duke e rikonfirmuar në detyrë, por Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi nga Komisioneri Publik ankimim. Pas rekomandimit të ONM, Komisioneri vendosi ta dërgojë tek Kolegji i Posaçëm i Apelimit çështjen e Dedes, duke kërkuar prishjen e vendimit të KPK. Seanca, që zgjati për 4 orë me radhë, nisi me fjalën e Komisionerit Publik, i cili renditi të gjitha arsyet që e kanë çuar drejt ankimimit. Në lidhje me një apartament 98 m2 në Tiranë, Dedja ka deklaruar në deklaratën “Veting” se kjo pasuri është prenotuar në vitin 1997 dhe është blerë në 2007. Sipas kësaj deklarate, Dedja është zotërues 100% i apartamentit dhe burim krijimi ka të ardhurat e tij dhe të të vëllait, i cili ka qenë në emigrim në Greqi, por nuk e vërteton diçka të tillë. Por sipas Komisionerit Publik, në deklaratën e vitit 2003, kreu i Kushtetueses deklaron se zotëron vetëm 50% të apartamentit në fjalë sepse e ka në bashkëpronësi me të vëllanë. Bashkim Dedja duhej të paguante këstin e parë për këtë apartament në shumën 588 mijë lekë, por sipas Komisionerit Publik, në vitin kur është bërë pagesa e këstit, Dedja ka patur gjendje vetëm 510 mijë lekë. “Ka mospërputhje mes deklaratave veting dhe periodike. Mbetet e paqartë sesi ndryshoi pjesa takuese dhe burimi i krijimit. Ka mungesë të burimeve të ligjshme për të paguar këstet për blerjen e apartamentit. Nuk u vërtetua cila është vlera monetare e paguar nga subjekti i rivlerësimit dhe cila është vlera monetare e paguar nga vëllai i tij”, tha Komisioneri Publik.

Probleme të tjera

Lidhur me një apartament tjetër në Tiranë, burim krijimi janë deklaruar kredi bankare 120 mijë euro, hua nga vëllai 15 mijë euro dhe hua nga kunati 10 mijë euro. “Kunati i tij deklaron se ka qenë emigrant në Itali dhe ka patur mundësi të krijojë këto të ardhurave dhënë hua subjektet të rivlerësimit. Por një gjë të tillë s’e provon me dokumente ligjore. Subjekti s’ka provuar të kundërtën. Subjekti nuk provon burimin e ligjshëm për të ardhurat e siguruara nga kunati i tij dhe nga vëllai i tij. Të ardhurat e vëllait të tij të siguruara nga puna bujqësore në Greqi, jo vetëm që nuk mbulojnë të ardhurat për huanë, për investimet e tij në disa pasuri të paluajtshme. Komisioneri shikon si të çuditshëm faktin që subjekti mori hua nga vëllai dhe kunati kur mund të kishte shitur apartamentin”, u shpreh Komisioneri Publik.

Reagimi i ONM

Komisioneri pa me mëdyshje edhe një apartament në Golem në emër të vëllait të Bashkim Dedjes. Për këtë apartament, kreu i Kushtetueses ka deklaruar se e përdor nganjëherë. “Subjekti ka kontratë furnizimi me OSHEE në emrin e tij për këtë apartament. Të krijohen dyshime se ky apartament mund të jetë në zotërim të subjektit. Ka indicie për fshehje të pasurisë, ka mungesë të burimeve të ligjshme të vëllait të tij për blerjen e apartamentit. Shpjegimet e subjektit se çelja e kësaj kontrate është bërë në emër të tij sepse ai punonte në Durrës në atë kohë, nuk duket e arsyeshme”, deklaroi Komisioneri Publik. Për këtë pasuri reagoi edhe vëzhguesja e ONM, për të cilën regjistrimi i kontratës së energjisë në emër të Bashkim Dedjes nuk është i logjikshëm. “E kuptoj pjesën që ju mund të shkoni dhe të bëni pagesën e faturave të energjisë elektrike në emër të vëllait për shkak të afërsisë gjeografike, por nuk e kuptoj pse kontrata duhet të jetë në emrin tuaj. Ky fakt u zbulua vetëm gjatë investigimit”, u shpreh përfaqësuesja e ONM. Në përgjigje, Bashkim Dedja theksoi se një gjë e tillë ishte bërë sepse i vëllai jetonte në Dibër dhe kur një gjë e tillë u ishte thënë punonjësve të OSHEE, ata e kishin parë me skepticizëm nëse ai do të mund të vinte të paguante sistematikisht faturat. 

Mimoza Ibra

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here