Ashpërsohen marrëdhëniet Shqipëri-Greqi, Bushati kundër deklaratave të Athinës për banesat në Himarë

0
306

Ashpërsohen marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë. Dy ditë më parë Athina dhe OMONIA reaguan ashpër ndaj qeverisë shqiptare, duke lëshuar akuza sa i takon projektit rehabilitues për Himarën. Të martën pati akuza se po u prishen banesat minoritarëve, por ka ardhur dje dhe reagimi i Ministrisë së Jashtme. Dikasteri i drejtuar nga Bushati i ka cilësuar të habitshme deklaratat e Greqisë.

“Si një vend evropian, anëtar i Konventës Evropiane për të drejtat e njeriut, Shqipëria njeh juridiksionin e Gjykatës së Strasburgut dhe zbaton vendimet e saj. E drejta e pronës është e drejtë kushtetuese që gëzohet pa dallim dhe në mënyrë të barabartë nga të gjithë shtetasit, në mënyrë individuale, pavarësisht përkatësisë kombëtare. Për më tepër, të gjithë shtetasit gëzojnë të drejtën e ankimimit efektiv në instancat gjyqësore në rast pretendimesh për shkelje të këtyre të drejtave. MEPJ shpreh keqardhjen për deklaratën e MPJ-së greke e cila mbështetet në shtrembërim të fakteve. Dëshirojmë të sqarojmë se VKM-ja në fjalë ka si objekt evidentimin e zonave me interes për zhvillimin e turizmit të cilat gëzojnë statusin me ‘Pronësisë Shtetërore’”, thuhet në një deklaratë për mediat.

MEPJ ka ritheksuar se shteti shqiptar ka qenë dhe do të jetë gjithnjë i angazhuar në mbrojtjen dhe respektimin e të drejtave të pakicave. Më tej i është bërë thirrje Athinës që të lexojë qartë konventat. “Ky angazhim dëshmohet nga anëtarësimi ynë në Konventën Kuadër të Këshillit të Evropës për mbrojtjen e pakicave kombëtare, garancitë kushtetuese në këtë fushë, si dhe miratimi i legjislacionit specifik për mbrojtjen e pakicave kombëtare në Republikën e Shqipërisë. Duke i bërë thirrje palës greke për lexim objektiv të fakteve dhe realitetit, dëshirojmë të kujtojmë se kuadri i pasur ligjor, në pajtim me praktikën evropiane, sikundër tradita e shkëlqyer e bashkëjetesës shoqërore në Shqipëri përbëjnë një shembull pozitiv për t’u ndjekur në rajon”, thuhet në deklaratën e Ministrisë së Jashtme.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here