AQSHF rikthen në kinema filmin “Shpresa”, Matilda Makoçi në rol kryesor

0
751

Filmi “Shpresa” prodhim i Kinostudios më 1989, me skenar nga Dhimitër Xhuvani dhe regji të Eduart Makrit u shfaq për publikun në kinema “Agimi”. Në 35 mm me titra në anglisht, filmi riktheu për publikun emra të njohur të kinemasë së atyre viteve. Filmi u shfaq për publikun në kuadër të programit “Thesaret e Arkivit të Filmit”, që ka nisur Arkivi Qendror Shtetëror i Filmit​, kuruar dhe prezantuar nga personalitete të mendimit dhe hulumtimit bashkëkohor. Shkrimtari Dhimitër Xhuvani përfundoi në 1966 romanin e tij të parë “Tuneli”, një vështrim pesimist i jetës së vështirë të minatorëve. I akuzuar nga autoritetet si revizionizëm borgjez, romani u tërhoq nga qarkullimi. Në 1984, Xhuvani shkruajti romanin e tij të fundit “Bota ime”, që Kinostudio “Shqipëria e Re” e solli në ekranin e madh me titullin “Shpresa”. Kjo mbrëmje me filmin prodhim i vitit 1989 solli dhe një diskutim, që u udhëhoq nga Elsa Demo, me në fokus rreth rrugëtimit të veprës nga romani në ekranin e kinemasë, ku aktorja Matilda Makoçi shkëlqeu në rolin kryesor Shpresa. Por në film rolet e tjerë interpretohen nga Eduart Makri, Drita Pelinku, Edmond Budina, Qenan Toro, Myzafer Ziflaj, etj. Filmi “Shpresa” u xhirua në portin e Durrësit ku, vetëm një vit më vonë ndodhi vala e parë e eksodit. Filmi “Shpresa” i prodhuar në vitin 1989, me skenar nga Dhimitër Xhuvani, regji Eduart Makri, muzika është shkruar nga Zef Çoba. Përmbajtja e filmit tregon Shpresën, që ka një histori dashurie të pafat. I dashuri e ka lënë dhe ajo pati një abort. Ajo është shumë e dëshpëruar. I mënjanon njerëzit dhe ka humbur besimin tek e ardhmja e saj. Por më pas njihet dhe bie në dashuri me inxhinierin e ri Pirron. Dashuria e re zgjon tek Shpresa interesin për jetën, por në të njëjtën kohë ka probleme me familjen e Pirros.

Filmat e Kinostudios

Aktor këtë herë në filmin “Shpresa” realizim i viti 1989, Edmond Budina shprehet se programi i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit, që risjell për publikun prodhime të kinemasë shqiptare vite më parë është për tu përshëndetur. Në reagimin e tij aktori Edmond Budina shprehet se filmat shqiptarë duhet të shfaqen për publikun, pasi kanë rëndësinë e tyre në kinemanë shqiptare ndër vite. “Më vjen mirë që ka nisur programi në AQSHF “Thesaret e Arkivit të Filmit”. Në vijim të programit edhe filmi “Shpresa”, që kanë kaluar vite kur u realizua. Kujtoj që kisha rolin e një kryeinxhinieri në film. Filmat që janë realizuar nga Kinostudio duhet të shfaqen dhe unë jam kundër ndalimit të tyre. Në ato realizime të kinemasë sonë ne shikojmë historinë apo dhe vlerat e shkuara, por dhe mangësitë”, shprehet mes të tjerave Edmond Budina, aktor në filmin “Shpresa”. Regjisori Eduart Makri ka lindur në 5 qershor të vitit 1957 në qytetin e Gjirokastrës. Pas përfundimit të studimeve të larta në Institutin e Lartë të Arteve (sot Akademia e Arteve) në degën e Aktrimit fillon punën në Kinostudion “Shqipëria e Re” si regjisor dhe skenarist. Në vitin 1993 fillon punën si pedagog në Akademinë e Arteve. Në kinematografi roli i tij i parë si aktor do të jetë ai i Vasos në filmin “Vëllezër dhe shokë” në vitin 1980. Më tej do të vazhdonin interpretime të tjera si ai në rolin e Aristotelit në filmin televiziv “Agimet e Stinës së Madhe”, Gjergji në filmin “Besa e kuqe”, Andrea në filmin “Në emër të lirisë”, Pirro në filmin “Shpresa”etj. Në regjisurë pjesëmarrja e tij e parë do të jetë si as/regjisor i dytë në filmin “Plaku dhe hasmi” në vitin 1981, duke realizuar gjithsej 11 regji si asistent regjisor në po kaq filma duke bashkëpunuar me regjisorë të njohur si Gëzim Erebara (Artist i Merituar), Hysen Hakani, Kujtim Çashku (Artist i Merituar), Xhanfize Keko (Artiste e Popullit) etj. Si regjisor, filmi i parë i drejtuar plotësisht prej tij do të jetë filmi “Shpresa” në vitin 1989 e ndjekur në “Shpella e Piratëve” 1991.  

Nga Julia Vrapi

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here