Pa kaluar dy ditë nga transmetimi i një reportazhi në një nga televizionet kombëtare të vendit tonë, ku flitet për disa persona të zhdukur në qytetin e Vlorës, ditën e djeshme Prokuroria dhe Policia e qytetit bregdetarë kanë dalë me një deklaratë për shtyp në lidhje me personat e zhdukur. Pas deklaratës nga foltorja e PD-së, së deputetit Ervin Salianji se në Vlorë në tre ditët e fundit janë zhdukur 80 persona, Prokuroria dhe Policia e Vlorës thanë zyrtarisht se në 3 vitet e fundit rezulton se numri total i personave të larguar nga banesa është 23. Sipas dy institucioneve në vitin 2016 janë katër persona të larguar, në vitin 2017 janë gjashtë dhe në 2018, 13 të larguar nga banesat e tyre. Më tej në deklaratën e policisë dhe të prokurorisë nënvizohet se megjithëse të gjitha rastet janë referuar në Prokurori, vetëm për katër raste në 3 vitet e fundit janë konstatuar elementë të veprës penale dhe janë regjistruar në Prokurori si çështje, e ndërkohë po vijojnë hetimet për gjetjen e tyre.
Të katërta këto raste i përkasin vitit 2018. Në këtë deklaratë të përbashkët bëhet me dije se përsa i përket veprave penale kundër personit, bëhet me dije se në krahasim me një vit më parë ka ulje të ndjeshme. Në deklaratë thuhet se nga 12 vrasje të evidentuara në vitin 2017, numri i tyre ka rënë me 50%, ose në 6 vrasje në 2018. Po ashtu nga 10 vrasje të mbetura në tentativë në 2017, është ulur me 50% numri në 2018, pra janë 5 tentativa të evidentuara. “Të gjitha strukturat e Policisë, në bashkëpunim me Prokurorinë e agjenci të tjera ligj zbatuese, vijojnë punën intensive për goditjen e paligjshmërive me qëllim ruajtjen e parametrave të rendit dhe të sigurisë e në shërbim të qytetarëve”, thuhet në mbyllje të qëndrimit. Policia në bashkëpunim me Prokurorinë e Vlorës po hetojnë për të gjitha rastet e personave të zhdukur në qytetin bregdetar gjatë viteve të fundit. Tre prej tyre, me të përfolurat në media dhe më misteriozet janë zhdukja e Mario Metushaj, Albano Xhaferrit dhe Ervis Troqes.
Zhdukjet misterioze
Dy nga të zhdukurit e fundit në Vlorë, të cilët dyshohet se janë ekzekutuar nga grupet kriminale janë Albano Xhaferri dhe Elvis Troqe, të cilët kanë humbur gjurmët përkatësisht në qershor dhe korrik të këtij viti. Dy të rinjtë kishin pak kohë që ishin kthyer nga Spanja dhe ngjarja u mendua se kishte lidhje me prishjet e pazareve të drogës, por të afërmit mohojnë që të kenë pasur njohje me njëri-tjetrin. Ka qenë një person i identifikuar si Gazmend Merkaj, i cili ka hedhur dritë mbi rrëmbimin e Albano Xhaferrajt. Ai ka bërë një kallëzim në policinë e Fierit, duke i thënë oficerëve të policisë se Albano Xhaferri është ekzekutuar me çekic. Sipas tij ai është ekzekutuar nga tre persona për llogari të Edison Harizajt, i cili u ekzekutua në Durrës tre javë më parë. Ndërsa për zhdukjen e Ervis Troqes, babai i tij është shprehur në media se ka shumë pak gjasa që djali i tij të jetë gjallë. Elvis Troqe u zhduk pasditen e 17 korrikut 2018 ne qytetin e Vlorës. Në një video të publikuar në media i riu shihet teksa hipën në një automjet tip “Mercedes-Benz” dhe prej atij momenti fati i tij nuk dihet.
Ndërsa prej qershorit 2017 rezulton i zhdukur Marjo Metushi, i cili njihej në qytetin e Vlorës si skafist i cili kishte bërë drejt Italisë rreth 7 rrugë me gomone duke trafikuar kanabis dhe një grup kriminal i detyrohej një sasi parash rreth 200 mijë euro. Edhe për këtë person babai i tij deklaron se djali i tij është ekzekutuar dhe është zhdukur nga personat që i kishin këtë borxh. Leonard Mehmeti, babai i tre fëmijëve është një tjetër i zhdukur mesditën e 22 nëntorit të vitit 2016. Leonardi, i njohur me emrin Nani, kishte ngritur bizneset e tij. Një restorant në zonën e “Lungo mares” dhe një fermë kuajsh në Panaja të Vlorës, ku dhe është parë në herën e fundit i gjallë. Vëllai i Nanit, ka thënë se nuk ka dyshime se vëllai i tij është ekzekutuar dhe është zhdukur për shkak të prishjes së pazareve të drogës. Mehmeti tregon se i vëllai frekuentonte shpesh Durrësin për shkak të miqësisë që kishte me Ervin Dalipajn dhe Xhino Dautajn. Dalipaj u akuzohej për rrëmbimin dhe ekzekutimin e Gazmend Çollakut. Ai së bashku me Dautajn u ekzekutuan në 2016 në autostradën Tiranë-Durrës./ Elvis MYRTA