Dokumentari “Gëzohem që shqiptarët kanë filluar ta pëlqejnë skulpturën” realizuar nga dy autorët Stefan Çapaliku dhe Florian Haxhihyseni u shfaq premierë në galerinë e artit FAB. Filmi u shfaq për të pranishmit në kuadër të aktivitetit “Proçes” që tashmë ka nisur prej disa ditësh. Bashkautor në filmin dokumentar, Stefan Çapaliku tregon se ai është realizuar para gjashtë vitesh. Filmi sipas Çapalikut tregon mbi statusi social të artistit në periudhën e tranzicionit. “Filmi dokumentar “Gëzohem që shqiptarët kanë filluar ta pëlqejnë skulpturën” është prodhuar para gjashtë vitesh, pra në 2012. Filmi nuk është shfaqur asnjëherë për publikun dhe premiera absolute filmit është në galerinë FAB.
Filmi është një produksion i pavarur i imi dhe Florian Haxhihysenit. Ne së bashku pas një bashkëpunimi të gjatë që kemi pasur vendosëm të bënim një film mbi statusin social të artistit në periudhën e tranzicionit”, u shpreh pak para premierës së filmit bashkautori Stefan Çapaliku. Premiera u shfaq mbrëmë në galerinë e artit FAB dhe më herët Çapaliku u shpreh se filmi është xhiruar duke ndjekur hap pas hapi një pjesë të jetës së skulptorit Niko Thana. “Në film kemi marrë si shembull figurën e skulptorit Niko Thana. Por nuk është një film për Nikon, por dokumentar për artistin shqiptar të pas viteve ‘90 nëpërmjet figurës së këtij autori. Filmi është xhiruar duke e ndjekur hap pas hapi një pjesë të jetës së Nikos. Pra ka qenë bashkëpunim i plotë me atë dhe është marrë me përmasat e mbijetesës së artistit në kohën tonë”, vijon Çapaliku për dokumentarin, që u shfaq premierë. Artistët dhe pedagogët e arteve janë bërë bashkë në ekspozitën “Proçes”, që është e shpërndarë në tre galeri arti, FAB, “Zenit” dhe “Kalo”.
Kuruar nga Ilir Kaso, ekspozita ndërthur procesin krijues me atë pedagogjik dhe shkencor, duke mundësuar simpoziume, punëtori dhe biseda të hapura mbi çështje të artit dhe pedagogjisë. Nga 26 nëntor deri më 16 dhjetor jeta artistike do të jetë prezente në tre hapësira galerish për të diskutuar mbi artin pamor me vizitorët dhe njerëzit që e duan artin. “Proçes” e vlerësuar si ngjarje kulturore prezantohet para publikut me pikturën, skulpturën, instilacionin, fotografi dhe videoart. Sipas organizatorëve janë punime të reja nga artistët pedagogët e arteve, por dhe krijime që janë realizuar në vite.