Partia Demokratike ka vijuar edhe ditën e djeshme me procesin e ristrukturimit të saj, teksa ka zhvilluar zgjedhjet për drejtuesit e rinj që do të përfaqësojnë PD në disa degë të rëndësishme, si Lezha, Vlora apo Shkodra. Madje, votimi i djeshëm duket se i ka dhënë fund zgjedhjeve për drejtuesit e rinj të degëve të PD, duke e përmbyllur si proces, zgjedhje këto që do t’i hapin rrugë mbledhjes së Kuvendit Kombëtar në 15 dhjetor. Por ajo që bie në sy në këto zgjedhje, ka të bëjmë me faktin se kreu i PD, Lulzim Basha ka larguar nga drejtimi i degëve emra që deri dje ishin kritikë të ashpër ndaj tij, ndërsa ka vendosur në krye të tyre njerëzit më besnikë të tij. Kjo lëvizje e Bashës nuk është e panjohur, pasi të njëjtin katarsis kryedemokrati e bëri edhe me deputetët gjatë zgjedhjeve parlamentare të 2017, ku shumë kundërshtarë të tij të njohur si “Garda e Vjetër” nuk i rikandidoi duke i “pensionuar” dhe nxjerrë nga politika, madje dhe nga partia. Ndërkohë që të njëjtën linjë po mban edhe me vartësit e tij në rrethe, duke flakur jashtë partisë individë që nuk qasen me kauzën e tij. Rasti më flagrant vjen nga qyteti i Shkodrës, aty ku janë zhvilluar zgjedhjet për kreun e ri. Dy ishin kandidaturat që garonin për drejtimin e PD, si Xhevdet Amuli dhe Ramiz Çoba. Pas përfundimit në Shkodër kryetari i ri i Partisë Demokratike u zgjodh Xhevdet Amuli. Ai fitoi me 243 vota kundrejt Ramiz Çobës i cili mori 241 vota, ndërkohë 8 vota janë të pavlefshme. Mirëpo, duke qenë se zoti Çoba njihet si një kundërshtar i Bashës, nuk kishte si të ndodhet ndryshe dhe ai ishte i destinuar që të humbte përballë kandidaturës së Amulit që kishte pëlqimin e Bashës.
Krerët e rinj të PD në Lezhë dhe Vlorë
Ditën e djeshme janë mbyllur zgjedhjet për strukturat e PD dhe në qarkun e Lezhës e Vlorës. Gazeta mësoi se kryetar i ri Partisë Demokratike në Lezhë është zgjedhur Zef Gjoka. Kandidat për kreun e kësaj dege ishte edhe Paulin Marku, i cili mori vetëm 88 vota kundrejt kundërshtarit të tij, Zef Gjoka i cili fitoi bindshëm me 306 vota. Mësohet se në procesin e votimit kanë marrë pjesë rreth 339 votues. Zef Gjoka ka qenë deputet i Partisë Demokratike në Parlamentin shqiptar, dhe për 4 vitet e ardhshme do të drejtojë demokratët e Lezhës. Ndërkohë, në Vlorë Genc Deromemaj është zgjedhur kryetari i ri i Partisë Demokratike me vetëm 12 vota diferencë. Në procesin e votimit kanë marrë pjesë vetëm 352 votues, ku Genc Deromemaj ka marrë 180 vota, ndërsa kundërshtari i tij Gjergj Nika ka marrë 168 vota. 4 vota të numëruara kanë qenë të pavlefshme. Genc Deromemaj ka qenë kandidat i PD për kryetar i Bashkisë Vlorë në zgjedhjet vendore të vitit 2015 nga radhët e Partisë Demokratike dhe aleatët e saj. Pra edhe në Vlorë duket qartë që kandidatura e Deromemaj ka qënë e preferuar e Bashës, duke fituar zgjedhjet. Pak ditë më parë janë zgjedhur edhe krerët e PD në disa degë të tjera. Kështu, deputeti demokrat Luan Baçi është zgjedhur kryetar i degës së PD në qytetin e Fierit. Ndërsa në Kamëz është rikonfirmuar kreu aktual i PD, Xhelal Mziu. Ndërkohë që edhe deputeti Myslym Murrizi është rikonfirmuar si kreu i PD në Lushnje. Ndërsa në Sarandë është rikonfirmuar Hariz Mema. Ndërkohë në rrethin e Dibrës fitues doli Naim Gazidede, vëllai i ish-kreut të SHIK në 1997 Bashkim Gazidede. Nga ana tjetër në Durrës është zgjedhur Ferdinand Xhaferri./ Rigels SELIMAN