Gjykata e Lartë ka rrëzuar ish-kryeprokurorin Adriatik Llalla, duke mos lejuar kthimin e pasurive të sekuestruara. Në kuadër të hetimeve, prokuroria vendosi në sekuestro preventive disa prona dhe një apartament të ish-kryeprokurorit, por ky i fundit e cilësoi si të padrejtë këtë vendim. Llalla ju drejtua fillimisht Gjykatës së Apelit për Krimet e Rënda duke kërkuar që t’i rikthehen pronat, por u refuzua. Më pas dosja vajti në Gjykatën e Lartë. Por dhe kjo e fundit ka pasur të njëjtin mendim, duke rrëzuar ish-kreun e akuzës. Prokuroria pretendon në akuzën e saj se pronat mund të tjetërsohen dhe për këtë arse ato do të qëndrojnë në sekuestro preventive derisa të vendoset se çfarë do të ndodhë me dosjen. Adriatik Llalla është duke u hetuar për 4 vepra penale: Fshehje pasurie, shpërdorim detyre, pastrim parash dhe mosdeklarim të të ardhurave në kufi.
Deri më tani hetimet nuk është se kanë ecur me ndonjë ritëm shumë të lartë dhe për këtë arsye Krimet e Rënda kanë kërkuar ndihmën e gjermanëve. Gazeta e deklaroi pak ditë më parë se Llalla dyshohet se kaloi drejt Gjermanisë me rreth 40 mijë euro cash. Po ashtu ai ka atje bashkëshorten dhe fëmijët, të cilët janë regjistruar dhe në shkollë. Për këtë arse prokuroria i ka dërguar një letër-porosi Berlinit, ku kërkon informacione mbi hyrje-daljet e Llallës, pasurinë që ka ai atje, llogari të mundshme bankare, por dhe për shpenzimet që ka kryer për arsimimin e fëmijëve. Llalla ka deklaruar në gjykatë se shuma prej 40 mijë euro që ka kaluar në kufi është përdorur për shkollimin e fëmijëve. Për këtë arsye prokuroria ka kërkuar të dhëna nga Gjermania se si qëndron e vërteta. Një muaj më parë organi i akuzës zgjati hetimet dhe është në pritje të përgjigjes që do të vijë nga autoritetet gjermane. Pas kësaj do të vendoset nëse dosja do të shkojë në gjykatë për gjykim, apo do të pushohen hetimet. Deri më tani prokuroria ka dhënë sinjale se po ecën me ritme jo shumë të shpejta në këtë aspekt.
Hetimet ndaj ish-kryeprokurorit
Iniciatorja e hetimeve për Llallën ishte Prokuroria e Përgjithshme. Pasi SHBA e shpalli atë non grata dhe në media nisën të qarkullojnë foto të jetës së luksit të fëmijëve të ish-kryeprokurorit, më datë 28.02.2018, nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme është dërguar shkresa nr.130 në Prok. e Durrësit. Përmes kësaj shkrese janë depozituar disa shkrime në portale, foto dhe vendimi i SHBA për ta shpallur Llallën “non grata”, si indicie për të nisur hetimet. Pra duket se ka qenë Arta Marku ajo që ka hapur rrugën e hetimeve ndaj Llallës, fillimisht nga Prokuroria e Durrësit, e më pas nga Krimet e Rënda. Më pas kanë nisur hetimet dhe gazeta ka mësuar se janë angazhuar rreth 6 institucione dhe partnerë ndërkombëtarë në procesin hetimor ndaj ish-kryeprokurorit. Hetimet koiçiduan në periudhën kur po zhvillohej vetingu ndaj Llallës dhe KPK më datë 13.03.2018 ka dorëzuar në Prokurorinë e Durrësit të gjithë materialin që kishte siguruar nga procesi hetimor. Llalla kërkoi të largohej nga vetingu në një kohë kur ishte mbyllur verifikimi për të dhe KPK kishte konstatuar mjaft shkelje./ Kliti TOPALLI