Dokumentet e CIA, ja si Jugosllavia zotohej për ruajtjen e integritetit territorial të Shqipërisë, Moska ultimatum Enver Hoxhës të distancohej nga Tito

0
454

CIA ka zbardhur porositë e para që mori Enver Hoxha pas marrëveshjes me Bashkimin Sovjetik. Përmes disa dokumenteve të deklasifikuara së fundmi, thuhet se Moska udhëzoi Tiranën që të ndërpriste të gjitha kontaktet me jugosllavët dhe të dëbonte ata që ishin pro Titos. Kjo solli që të parët ta pësonin Koçi Xoce e Pandeli Kristo. Nga ana tjetër, tregohet se si Jugosllavia më 1952 zotohej se do mbronte integritetin territorial të Shqipërisë.

Shtator 1952

Deklarata e përfaqësuesit jugosllav Cedo Mijoviç

Cedo Mijoviç ka thënë se është autorizuar të deklarojë si politikë të shtetit jugosllav ndaj Shqipërisë, ruajtjen e gjendjes aktuale të ‘status quo’ dhe kufijtë aktualë të Ballkanit, që do të thotë se cilido që do të tentojë të prishë balancat dhe integritetin territorial të vendeve ballkanike do të sulmohet nga ushtria jugosllave. Kështu, sipas Mijoviç, pavarësia e Shqipërisë dhe integriteti i saj do të mbrohen nga Jugosllavia kundër sulmeve nga çdo armik, sipas parimit të shpallur që në 1951 nga partia komuniste jugosllave. Mijovic përfitoi nga rasti për të përmendur propozimin e Randolf Çurçill për ndarjen e Shqipërisë mes Greqisë dhe Jugosllavisë, ndaj të cilit Tito ishte përgjigjur se Jugosllavia krenohet me ruajtjen e kufijve të saj të paprekur dhe se kërkon zbatimin e rregullave dhe respektit për të gjithë popujt, të mëdhenj e të vegjël, dhe se nuk do të lejojë që Jugosllavia të bëhet fajtore për eliminimin e popullit fisnik dhe bujar shqiptar, sado i vogël që të jetë. Fakti se shqiptarët e të gjitha feve, rajoneve dhe idealeve politike, marrin pjesë në komitetin e Prizrenit, është një provë e qartë se ky organ është i motivuar për zbatimin e qëllimeve të Jugosllavisë në respektimin e të drejtave të popullit shqiptar. Shqipëria sot është në një gjendje të rrezikshme, dhe asnjëherë më parë nuk ka qenë kaq e izoluar. As Rusia sovjetike dhe as vendet e saj satelite nuk angazhohen për akorde ndihme reciproke me të, pa përmendur vendet Perëndimore. I vetmi traktat i ngjashëm ishte me Jugosllavinë, i cili u prish nga Hoxha në 1948. Megjithatë edhe sot është vetëm Jugosllavia që mbron të drejtat e Shqipërisë. Jugosllavia nuk ka në plan të ndërhyjë në çështjet e brendshme të Shqipërisë dhe është detyrë e të gjithë vendeve të tjera të kërkojnë që Shqipëria të bëhet zot e fateve të saj.

Roli i refugjatëve

Jugosllavia ka organizuar refugjatët shqiptarë në vend në masën më të gjerë të mundshme, siç bëhet e qartë nga statuti i Komitetit të Prizrenit. Në një rast, shpjegon Mijoviç, kur ishte duke hartuar një raport mbi çështjet shqiptare për partinë komuniste jugosllave, Milovan Xhilas komentoi se “shqiptarët duhet të lihen të lirë të organizohen sipas linjave të interesave të tyre patriotike, pa dallim ngjyrash politike apo të mendësive të treguara gjatë luftës. Patriotët shqiptarë duhet të binden se ata kanë mbështetjen tonë të plotë. Gjithashtu, refugjatët shqiptarë në Jugosllavi janë të lirë të shkruajnë çfarëdo apo kujtdo që dëshirojnë. Mijoviç përmendi miqësinë e tij personale me Ndue Pjetër Gjonmarkaj dhe Lutfi Spahiu, si dhe konsideratën e tij të lartë për patriotizmin dhe sinqeritetin e tyre, duke shtuar se megjithëse ata nuk ishin komunistë, nuk ishte nevoja të fshihnin bindjet apo idealet e tyre”. Mijoviç deklaroi se sipas opinionit të tij personal, Rusia sovjetike nuk do të bënte luftë me Shqipërinë, pasi edhe pse ka pozicion të mirë strategjik në Adriatik, mbetet e ndarë nga blloku i vendeve satelitë të BRSS. Çdo tentativë për të arritur çlirimin e Shqipërisë me mënyra të tera përveç Komitetit të Prizrenit, do të ishin shumë të kushtueshme dhe nuk do të arrijnë qëllimet e dëshiruara. Sipas tij, është detyra e çdo shqiptari patriotik të japë mbështetjen për Komitetin e Prizrenit dhe aktivitete e tij. Për arsye të sakrificave dhe humbjeve të pasuara, liderët e Ballit Kombëtar kanë të drejtë të dëgjohen në arenën politike shqiptare. Në lidhje me komentin se Greqia favorizon ndarjen e Shqipërisë, Mijoviç shprehu opinionin se është shumë më e këshillueshme që regjimi i Hoxhës të tolerohet edhe për disa kohë, sesa të pranohet ndarja e Shqipërisë.

Koment: Mijoviç njeh emrat dhe historitë e shumicës së emigrantëve shqiptarë në Jugosllavi dhe ka njohuri të aktiviteteve të tyre. Ai gjithashtu njeh emrat dhe origjinën e të gjithë anëtrëtë të kryesisë së Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë, dhe partive përfaqësuese të tyre.

28 dhjetor 1948

Aktiviteti sovjetik në Shqipëri

Pak pas ardhjes së gjeneral Feodor Kovpak në Tiranë, Partisë Komuniste Shqiptare iu dhanë udhëzimet e mëposhtme: Ndërprerja e marrëdhënieve ekonomike dhe e bashkimit doganor me Jugosllavinë. Ngritja e një lëvizjeje irredentiste, për pretendimin e tokave shqiptare në Jugosllavi, që të pretendojë bashkimin me Kosovën. Zgjerimi i portit të Durrësit nën mbikëqyrjen sovjetike, për të pritur anijet luftarake italiane që do të vinin sipas paktit të paqes me BRSS. Udhëzimet raportohet se hasën me protesta, veçanërisht në fillim, gjë që rezultoi me përjashtimin nga partia e më pas arrestimin e ministrit të brendshëm Koçi Xoxe dhe anëtarëve të komitetit qendror Pandi Kristo dhe Nuri Hata. Shumë arrestime të tjera u bënë në komunitetin jugosllav në Shqipëri, dhe në shoqërinë e miqësisë Shqiptaro-Jugosllave. Në zbatim të udhëzimeve, u krijua në Tiranë, “Komiteti i Kosovës”, aktiviteti i të cilit ishte në vëzhgimin e rreptë të sovjetikëve. Aktivitetet e tij ishin në koordinim me komitetet e tjera anti-jugosllave të krijuara në Bullgari, Rumani dhe Hungari.

Vdesin anëtarët e Ballit Kombëtar

Nëntor 51

Ibrahim Butka, një nga organizatorët dhe drejtuesit e vjetër të Ballit Kombëtr në zonën e Kolonjës ka vdekur si rezultat i përndjekjes e torturës në burgun e Korçës. Butka lë pas një djalë, që prej gjashtë vjetësh është në burgun e Burrelit. Këta anëtarë të Ballit Kombëtar raportohet se kanë vdekur në burgun e Burrelit: Sofodin Dume, Teki Kolonja, Ali Agalliu dhe Mehdi Loncka. Qemal Aranitasi, ish-presidenti i Ballit Kombëtar në Durrës, ka vdekur në një spital në Tiranë.

7 qershor 1951

Memorandum bisede

Pjesëmarrës: Joyce, Higgs, Campbell (Departamenti i Shtetit)

Pas diskutimit të subjektit me zotin Joyce, u takova me Higgs dhe Cambell të Departamentit të Shtetit, dhe u tërhoqa vënendjen në pikat e mëposhtme: Natyra gjithnjë e më shumë ushtarake e aktiviteteve të organizatave shqiptare të emigracionit në Jugosllavi, e cila po shkakton eksitim në rrethet e Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë dhe grupet e tjera shqiptare të emigracionit në përgjithësi. Njoftimi i ekzistencës së grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia në radion jugosllave, bënte të qartë se grupi ka si qëllim arritjen e përmbysjes së regjimit Hoxha. Për më tepër, qasjet që janë bërë nga jugosllavët te përfaqësuesit shqiptarë të grupit, kanë bërë të qartë se Jugisllavia është e gatshme të mbështesë një program shumë më të gjerë sesi ai që ka sponsorizuar SHBA në formën e Komitetit Kombëtar për Shqipërinë e Lirë (NCFA). Si rezultat i perspektivës atraktive për veprim të dhunshëm në të ardhmen e afërt, edhe anëtarët e komitetit tonë mund të joshen nga grupi jugosllav, duke bërë që NCFA të humbasë mbështetjen e liderëve dhe të publikut shqiptar brenda dhe jashtë vendit. Aktivitetet jugosllave, siç është reklamuar nga publiciteti i grupit të sponsorizuar nga Jugosllavia dhe fushata e tyre e rekrutimit, tregojnë se shqetësimet e tyre nuk ishit të sinqerta kur sinjalizuan për qeveritë amerikane e britanike se aktivitetet e NCFA mund të shkaktonin një ndërhyrje sovjetike që mund të rrezikonte paqen në Ballkan. Vetë jugosllavët po përfshihen në një aktivitet shumë më provokativ sesa është kryer deri tani nga ne apo vende të tjera perëndimore. Në rast të një grushti shteti të sponsorizuar nga Jugosllavia, do të ishte e vështirë të ndalonim grekët në pushtimin e pjesës jugore të Shqipërisë, të cilën e konsiderojnë si interes legjitim, situatë e cila mund të jetë e vështirë dhe e sikletshme.

Ndërhyrja e SHBA

Unë sugjerova se është e dëshirueshme të sinjalizojmë me anë të ambasadorit tonë në Beograd, për paqartësinë e deklaratave jugosllave mbi rrezikun e ndërhyrjes sovjetike në rast të provokimeve perëndimore me grupe rezistence, në një kohë kur vetë Jugosllavia ka krijuar një organizatë shumë më militante dhe po njofton hapur rekrutimin e një force për përmbysjen e regjimit të Hoxhës. Mendimi im për sugjerimin e përpjekjeve diplomatike, duhet të ndihmojë në perceptimin e qëllimeve të vërteta jugosllave, sipas të cilave do të konceptohet edhe politika amerikane në lidhje me këtë çështje. Unë sugjerova gjithashtu se meqenëse pezullimi dymujor i lëshimit të broshurave nga ajri ka skaduar, do të ishte mirë që të riniste lëshimi i teksteve ku ngrihet lart aktiviteti i Komitetit Kombëtar të Shqipërisë së Lirë për ruajtjen e prestigjit të SHBA dhe për të treguar shenja të aktivitetit tonë duke ruajtur besimin e publikut e duke penguar dezertimin masiv nga Komiteti i sponsorizuar nga SHBA drejt atij jugosllav. U pranua gjithashtu nga anëtarët prezentë të Departamentit të Shtetit se do të ishte e dëshirueshme ngritja e çështjes së mësipërme me shtetin jugosllav dhe zoti Higgs sugjeroi se kjo duhet të kryhej pas marrjes së përgjigjes së jugosllavëve nga ambasadori ynë atje. Në rast s kjo përgjigje do të ishte jo e kënaqshme, ne duhet të rifillojmë lëshimet e broshurave me efektin e kërkuar si për Shqipërinë dhe qeverinë jugosllave. Zoti Joyce pyeti nëse mendoja se ishte e dobishme të ngrihej çështja e organizatës shqiptare të sponsorizuar nga Jugosllavia, me gjeneralin Popoviç. Unë u përgjigja se karakterin jo-produktiv të bisedave të deritanishme me të, do të ishte e panevojshme ngritja e debatit me të, prandaj mbrojta qëndrimin se çështja duhet të ngrihet me anë të kanaleve diplomatike në Beograd.

21 gusht 1950

Memorandum për asistent-drejtorin e koordinimit të politikave

Situata e rezistencës në Shqipëri

Nga një prej misioneve tona në Shqipëri, i cili është në kontakt të afërt me lëvizjen e rezistencës, kemi marrë informacionin e shtjelluar në paragrafët e mëposhtëm. Sipas misionit tonë, shumë anëtarë të rezistencës shqiptare besojnë se nuk mund të durojnë më vuajtjet që po heqin dhe kanë vendosur të arratisen drejt Jugosllavisë në mundësinë më të parë. Ata do të preferonin të shkonin në Greqi, po të mos ishte për distancën e largët prej veriut të Shqipërisë deri në kufirin grek. Megjithë përpjekjet e bëra për t’i bindur që të qëndrojnë në Shqipëri, ata duket qartë se nuk mund të qëndrojnë një tjetër dimër në male, pasi jeta është aq e vështirë sa po i çon drejt çmendisë.

Tropoja, qendër e spiunazhit

Lideri i këtij misioni ka kërkuar të dijë nëse aktivistët politikë jugosllavë në Shqipëri (të raportuar më parë te ju) njihen prej nesh dhe nëse ata përfaqësojnë përpjekjen e Aleatëve. Ata pyetën gjithashtu nëse aktivistët anti-komunistë nga Shqipëria do të priteshin mirë në Jugosllavi. Në lidhje me mbështetjen jugosllave ndaj aleatëve, u pyet se cila ishte politika e Jugosllavisë në lidhje me Korenë. Mesazhi i mësipërm na informon se Tropoja është qendra e spiunazhit shqiptar dhe jugosllav, me agjentë jugosllavë dhe shqiptarë duke kaluar vazhdimisht kufirin. Agjentët jugosllavë përshkruhen se të gjithë kanë qenë më parë anëtarë të grupeve shqiptare të rezistencës. Më 10 gusht 1950 misioni ynë në vend dërgon një kontakt për të hetuar mbi ftesën për të takuar një person të paidentifikuar që dëshironte të furnizonte me armë dhe municione jugosllave misionin.

Lëvizjet e jugosllavëve

Mes popullsive të Shqipërisë së Veriut ka një bindje të madhe se jugosllavët po planifikojnë një lëvizje të armatosur në Shqipëri, me qëllim ngritjen e moralit të grupeve malore të rezistencës. Disa sasi armësh raportohet të jenë shpërndarë çdo ditë nga jugosllavët, të cilat janë pranuar edhe nga shqiptarët nacionalistë, të cilëve u janë afruar edhe para, por kanë refuzuar duke pritur aprovimin nga misioni ynë. Lideri i misionit trembet se një bujari e tillë nga ana e jugosllavëve do të ketë efektin e fitimit të simpatisë së shumë personave që kanë vuajtur shumë duke punuar për ne. Në konkluzion, lideri i misionit tha se puna e tij bindëse nuk do të ishte e mjaftueshme, prandaj kishte nevojë për instruksione urgjente për mënyrën e veprimit që duhet të ndiqte.

 

Maj 1952

Stërvitjet e refugjateve shqiptarë nga qeveria jugosllave

Aktualisht numri i shqiptarëve që kalojnë nga Shqipëria drejt Jugosllavisë është rreth 30 në ditë. Rajonet kryesore nga ata vijnë janë zona e Shkodrës, Obot (në lumin Bunë), Shirok (liqeni i Shkodrës) dhe zona e Hanit të Hotit, si dhe nga Kukësi, Tropoja, Peshkopia, Zerqani dhe Ohri. Aktualisht në Jugosllavi ka rreth 7000 shqiptarë, rreth 6000 prej të cilëve llogariten si të aftë për aksion ose luftim. Të gjithë e kundërshtojnë komunizmin në çdo formë. Një organizatë pro-Tito e quajtur Lidhja e Refugjatëve Shqiptarë është krijuar me seli kryesore në Prizren, e përbërë nga rreth 200 refugjatë që janë regjistruar ose prej presionit të autoriteteve jugosllave ose nga frika e dënimit, por të paktën 80 prej tyre janë simpatizantë të Titos. Shqiptarët e shumtë që vijnë në Jugosllavi priten dhe trajtohen mirë nga autoritetet, pa dallim anësie politike të tyre, megjithëse nacionalistët shqiptarë priten bujarisht por mbahen më shumë në mbikëqyrje. Në rolet e pritësve janë bashkatdhetarë shqiptarë pro-Tito, të cilët kanë fituar besim të mjaftueshëm në ushtrinë ose qeverinë jugosllave.

Lidhja e refugjatëve

Lidhje e Refugjatëve Shqiptarë në Prizren drejtohet nga Apostol Tenefi, i lindur në Korçë dhe ndjekës besnik i Koçi Xoxes. Por në radhët e Lidhjes po dallohet gjithnjë e më shumë gjenerali Dushan Mugosha, një malazez organizator i Partisë Komuniste Shqiptare atje pasi flet mirë gjuhën shqipe. Një tjetër drejtues i lidhjes është Lutfi Spahiu, një ish-zyrtar i lartë në Prizren, i cili nuk konsiderohet si komunist, por ka simpati nacionaliste dhe besohet se dëshiron të kontribuojë në kauzën shqiptare duke përfituar nga pozita e privilegjuar që ka arritur me autoritetet jugosllave. Në lidhje me këtë ai besohet se ndihmuar tërthorazi shumë shqiptarë që kanë arritur nga kufiri në Jugosllavi. Kol Shiroka, me profesion berber, është një aventurier që ka përfituar personalisht nga komunizmi dhe është ngritur në rangun e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. Disa agjentë të tjerë pro-Tito të Lidhjes së refugjatëve, të ngarkuar me detyrat e mbikëqyrjes dhe menaxhimit të refugjatëve janë si më poshtë: Major Bajio Xhuhanoviç, më parë organizator politik i lidhjes së Korçës. Ai aktualisht mban një post të lartë në selinë e ushtrisë jugosllave në Beograd. Profesore Rada Simenoviç, këshilltare në Ministrinë e Informacionit Publik për Minoritetin Shqiptar. Ajo udhëton shpesh mes qyteteve Bar dhe Ohër dhe punon me refugjatët shqiptarë gjuhën e të cilëve e flet shumë mirë. Janë disa agjentë të tjerë të UDB të ngarkuar me marrjen në pyetje të refugjatëve shqiptarë në lidhje me situatën politike, ekonomike dhe ushtarake. Në disa raste këta agjentë shoqërojnë grupe nacionalistësh që kalojnë kufirin drejt Shqipërisë me qëllim mbikëqyrjen dhe shoqërimin e atyre që rrezikojnë arrestimin nga qeveria e Hoxhës. Më të njohurit mes tyre janë Staf Lleshi, shqiptar, i dyti në komandë në degën e UDB në Debar. Shefki Lleshi, është komandanti i UDB në Debar. Këta agjentë, bashkë me Ganio Seferin, Xhetan Kaleshi, Ali Daci dhe Refik Kaja, veprojnë në zonën e Ohrit, Debarit dhe Kokësit. Agjentët Nazif Bajrami dhe Shazi Fida operojnë në krahun tjetër të Bunës, në Ulqin, Hani i Hotit dhe Tirograd. Të tjerë shqiptarë që bashkëpunojnë me qeverinë jugosllave dhe kanë njëfarë prestigji me autoritet janë Nik Sokoli, Tahir Hoxha, Qazim Lushja, Ferid Maliqi dhe Said Rama. Kurse trajnimi të drejtuara nga zyrtarë të UDB po kryhen në Jugosllavi për liderët e palës shqiptare dhe agjitatorët me qëllim zëvendësimin e qeverisë së Hoxhës, në kohën kur Jugosllavia mendon se kjo do të jetë e mundur, me idenë e përfshirjes së Shqipërisë në federatën Jugosllave. Qendra e trajnimit në Danilovgrad të Malit të Zi drejtohet nga kapiten Pero Musanoviç dhe lejtnant Vido Ivanoviç. Ndërsa qendra e Gucijës, rreth shtatë kilometra larg kufirit shqiptar drejtohet nga kapiten Gjok Masallari. Qendra e trajnimit në Gjakovë drejtohet nga Hysen Prisha deh ka aktualisht gjashtë agjentë në stërvitje. Qendra e Titogradit ka 19 agjentë. Stërvitje guerile po bëhet edhe në qendrën e Mitrovicës në Prishtinë të Kosovës, ku gjithashtu po bëhen dhe kurse parashutizmi.

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here