Sporti ynë është në një pozitë të vështirë që lidhet me rënien e kujdesit shtetëror në nivel qendror dhe lokal. Futbolli bën përjashtim sepse është sporti më popullor në Shqipëri, por vendi ka nevojë imediate për hartimin e një projekti për zhvillimin e sportit, ku të përfshihen në hartimin e politikave zhvillimore një sërë aktorësh, kryesisht ekspertë, por që kjo mund të arrihet vetëm me ndërhyrjen e qeverisë e të parlamentit, për të bërë ligje të frytshme që të shpëtohet sporti kombëtar nga degradimi. Thirrjen për një strategji kombëtare në sport e ka lëshuar prej kohësh një prej figurave të nderuara të futbollit tonë, trajneri historik i ekipit kombëtar, pedagogu dhe njëherësh autori i shumë librave për futbollin, Shyqyri Rreli, i cili insiston që parlamenti të diskutojë e të miratojë një platformë për sportin nga e cila shoqëria do të ketë përfitime të jashtëzakonshme, madje prej kësaj platforme do të “shpëtojë” dhe mjekësia. Synimi është ngritja e edukimit fizik jo thjesht si një lëndë shkollore sa për të kaluar radhën, por me projekte konkrete të angazhimit të të rinjve, në mënyrë që të kemi në të ardhmen një rini dhe një komb të shëndetshëm. Në intervistën e dhënë për “SOT”, Rreli analizon, gjithashtu, ecurinë e ekipit përfaqësues, kampionatin kombëtar dhe nevojën të përtërihen klubet e traditës.
Si kuadër me eksperiencë, por edhe si ish-trajner i Kombëtares, një teknik që i ka provuar sfidat, emocionet dhe problematikat, deshëm një mendim specialisti për ecurinë e skuadrës kombëtare në këtë periudhë dhe në veçanti për trajnerin Kristian Panuçi. Ai u rikonfirmua nga kreu i federatës Duka, por rezultatet, siç edhe e dini, janë dështim total deri më tani. Cili është komenti juaj?
Futbolli është me të vërtetë interesant, ai ka brenda suksesin dhe dështimin. Kur dështon një klub, sado probleme që mund të shkaktojë, nuk është ndonjë hata e madhe, trishtimi kalon shpejt, por kur dështon ekipi përfaqësues problemi është serioz. Ecuria e një kombëtareje, loja dhe rezultatet e saj ndjehen me shpirt. Rinovimi me trajnerin mendoj se është një lëvizje e federatës e nisur nga dëshira e mirë. Dihet tashmë që ekipet kombëtare në përgjithësi marrin trajnerë të huaj. Por në rastin e Panuçit, nuk e di a është konsultuar dhe me kë është konsultuar federata, sepse zgjedhja e tij më duket e nxituar. Pse e them këtë? Ai ka qenë lojtar i madh, padyshim, si futbollist i heq kapelën, por ai mori drejtimin e përfaqësueses tonë pa pasur ndonjë përvojë pozitive. Eksperienca kur drejton një ekip kombëtar është determinante. Pra Panuçi ishte lojtar i madh, por si trajner është i papërvojë. Drejtimi i një skuadre kombëtare është mbi të gjitha eksperiencë, gjë që Panuçi nuk e ka. Megjithatë, nuk duhet ta paragjykojmë, mundet të jetë fillimi i një ecurie të mirë dhe ndoshta mund të ecë në vazhdim. A ka gabime profesionale në këtë punë? Sigurisht që po. Ai e nisi duke zgjedhur lojtarët dhe ndryshe nga De Biazi nisi përtëritjen e grupit. Por ne trajnerët e dimë që kur bën ndryshime, qoftë dhe dy lojtarë të ndryshosh, nisin problemet. Kjo lojë dhe përtëritja kërkon të studiohet si duhet. Unë shoh që ka ende mangësi, pavarësisht se fituam së fundmi një ndeshje miqësore, por me grupin që ka krijuar mund të sjellë ndryshimin e pritshëm. Nga ana tjetër, ai la të kuptohej se kishte gabuar profesionalisht në përtëritjen e mbrojtjes, sepse u kthye sërish tek të vjetrit. Gjithsesi, mua s’më mbetet veçse t’i uroj sukses.
Me përjashtim të disa kokrrave, Shqipëria nuk është se ka futbollistë të nivelit të lartë. Cili është mendimi për ekipin, pra për grupin që ai ka në dispozicion?
Populli thotë “me miell misri nuk bëhen franxholla”. Kontigjenti ky është e duhet punuar me këta që janë. Shumica e lojtarëve luajnë jashtë, se këta që luajnë brenda… Unë nuk e di gjendjen e grupit në të vërtetë, por di të them që duhet të ketë një gërshetim mes të rinjve dhe atyre me eksperiencë, sepse nga një grup i tillë fiton më shumë.
U la jashtë një lojtar si Agolli, për më tepër në një pozicion që kishim nevojë për lojtar me eksperiencë…
Agolli nuk duhej lënë jashtë Kombëtares, ky është mendimi im, është lojtar që i nevojitej ekipit. Çdo skuadër duhet të ketë një shtyllë ku bazohet, një kolonë vertebrale, ku bën pjesë portieri, qendërmbrojtësi, një mesfushor organizator e fantazist, si dhe një sulmues “pykë”. Këto janë pikat determinante në një skuadër futbolli. Epo pikërisht këta elementë duhet të jenë me përvojë, që të orientojnë lojën e skuadrës. Të tjerët janë si “garniturë” ku secili element ka rolin dhe vlerën e tij.
Dihet që futbolli ka fazën mbrojtëse ka dhe fazën sulmuese. Në përfaqësuesen tonë si shfaqen këto dy faza të lojës?
Ka një shprehje që përdoret në futboll dhe që thotë: “të mbrohesh duke sulmuar dhe të sulmosh duke mbrojtur”. Pra nuk i ndan dot dhe futbolli modern është i tillë. Nuk fitohet pa u mbrojtur mirë. Një shtëpi nuk ndërtohet dhe nuk vjen e fortë pa pasur themele të forta. Pa mbrojtje s’bën dot skuadër dhe që të jetë efikase duhet patjetër përvoja. Natyrisht, çdo fazë e lojës dhe çdo repart i skuadrës ka rëndësinë e vet. Efikasiteti rritet kur harmonizohen elementët.
Si e shihni të ardhmen e skuadrës përfaqësuese dhe të Panuçit?
Nuk është e lehtë të kesh gjithmonë një skuadër në nivel të lartë. Qëllon jo vetëm këtu tek ne por edhe tjetërkund që skuadrat ku lojtarët kanë luajtur bashkë prej një moshe të vogël, kanë arritur shumë sukses. Ky grup që kemi ne ka nevojë të përforcohet me elementë e punë. Në mbrojtje do më shumë përkushtim dhe e mira është të ketë një sulmues të spikatur. E vërteta është se kemi një kontigjent të paktë lojtarësh cilësorë dhe ne nuk duhet të nxitojmë. Varet si do të shkojnë gjërat në vijim, është brez i ri dhe duhet të shpresojmë. Mos harrojmë se ne shqiptarët jemi me pretendime shumë të larta. Madje pretendimet i kemi për kampion bote, por harrojmë që grupin nuk e kemi në atë nivel. Edhe Panuçi është në provë në këtë periudhë. Do të shihen ndeshjet e ardhshme dhe rezultatet për të parë se ku po shkojmë.
Superiorja po luan javën e 14-të të saj. Në krye janë diferencuar dy skuadra: Skënderbeu që ka prej vitesh si pretendent, si dhe Partizani që po përpiqet të fitojë titullin pas disa vitesh rivalitet. Çfarë mendimi keni për këto zhvillime?
Skënderbeu është shfaqur si një skuadër e kompletuar dhe ka bërë një punë të madhe për veten, emrin e klubit dhe të qytetit, por edhe për futbollin shqiptar në tërësi. UEFA i dha një goditje të rëndë. Kjo pasi klubi ishte mjaft i organizuar dhe me pretendime të mëdha. Për shkak të goditjes së UEFA-s iu larguan disa lojtarë cilësorë, por unë gjykoj se mbetet një ekip i fortë. Skuadra korçare ka përvojë, ajo ka krijuar një traditë dhe mund të jetë sërish pretendente kryesore për titull. Sa i takon Partizanit, dua të kujtoj që suksesi nuk arrihet menjëherë. Natyrisht, do të vijë dhe momenti i Partizanit, do të vijë suksesi dhe për të, gjithmonë nëse ruan këtë ritëm. Për mendimin tim ata duhet të marrin lojtarë në merkato që bën diferencë. Desha të veçoj dhe Flamurtarin që ka vite që investon, por këtij klubi i duhet ende shumë punë.
“Gjuha shkon ku dhemb dhëmbi” dhe ju e dini që Tirana s’është mirë. Si mund të dalë kjo skuadër nga kriza?
Në futbollin e sotëm ka hyrë në mes paraja dhe klubet vuajnë kur nuk ka investime. Futbolli kombëtar duhet të nxjerrë elementë të talentuar, por unë shoh me keqardhje që shumë klube me traditë nuk janë më “fabrika” talentesh si dikur. Tirana vetë ka qenë një “fabrikë” që prodhonte lojtarë cilësorë. Edhe Vllaznia gjithmonë ka qenë e tillë, madje dhe Gjirokastra ka nxjerrë lojtarë cilësorë më herët. Por që të ndodhë kjo duhet vënë dorë seriozisht. Të vjen keq kur shikon se si skuadra 24 herë kampione e Shqipërisë, ky emër i madh i futbollit kombëtar, të bjerë kaq poshtë, sa vihet në lojë dinjiteti i kësaj skuadre. Unë nuk mund ta kuptoj se si mund të lihen në këtë gjendje klube fort me traditë në futbollin shqiptar, ku ulet prestigji i një qyteti. Dhe nuk është vetëm Tirana, por edhe Vllaznia, Elbasani etj, klube që mund të quhen “fabrika” të prodhimit të elementëve të talentuar.
Është folur shpesh dhe ju madje jeni një prej ideatorëve kryesor të hartimit dhe zbatimit të një strategjie kombëtare në fushën e sportit. Por si duket këto nisma bien në vesh të shurdhët. Pse ju insistoni vazhdimisht për një platformë kombëtare për sportin?
Është domosdoshmëri, një rrugë e pakthyeshme, që për të pasur rezultate dhe për të mënjanuar problemet e shumta, të implementohet një platformë kombëtare për sportin. Nuk jam vetëm unë që e them këtë, por thuajse të gjithë kuadrot me përvojë në fushën e sportit. Një komb i shëndetshëm duhet të ketë sport cilësor dhe siç thashë është domosdoshmëri të hedhim bazat e një sporti të qëndrueshëm. Kjo platformë do të jetë e shëndetshme për cilësinë sportive dhe për kombin në tërësi. Në dukje drejtuesit tanë e nënvlerësojnë sportin dhe në fakt gabojnë. Kjo pasi investimi në sport është investim në shëndet. Më shumë para për sportin do të thotë të derdhësh në krahun tjetër më pak para për spitalet. Në një farë mase, investimi në sport “shpëton” edhe mjekësinë. Unë po ju jap një shembull mjaft sinjifikativ: Islanda, një vend kaq i vogël, arriti suksese të mëdha me pjesëmarrje e kalim deri në çerekfinale të Europianit, e madje mori pjesë dhe në Botërorin e Rusisë. E arriti këtë falë punës dhe pjekurisë në investimet për sportin. Ju nuk e dini, por 98% e popullit islandez ushtrojnë sport, pra merren me fizkulturë. Bota duhet të jetë e shëndetshme dhe Shqipëria ka nevojë për edukim fizik që të evitojë mjaft probleme të tjera, sidomos shpenzimet për spitalet. Dhe sporti e realizon këtë në mënyrë të mrekullueshme. Unë e përgëzoj një deputet që foli në parlament për këtë çështje, por duhet një platformë kombëtare për sportin, nuk zgjidhet me një diskutim apo fjalim. Kjo platformë kërkon gjithëpërfshirje. Nuk mund të themi “hap qesen sot” por të zbatohen projektet afatgjata në fushën e sportit dhe të merret seriozisht kjo punë. Vetëm kështu do të shpëtojë sporti kombëtar.
Intervistoi: Adriatik BALLA