Përfundoi takimi mes përfaqësuesve të PS dhe delegacionit të Venecias. Në një prononcim për mediat kreu i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja u shpreh se takimi ishte frytdhënës.
Ndërkohë Manja nuk la pa komentuar edhe qëndrimet e opozitës. Ai u shpreh i habitur nga deklarata e Edmod Spahos pak minuta më parë, i cili u shpreh se takimi i PD-së me Komisionin e Venecias ishte frytdhënës, ndërsa sipas Manjës kjo deklaratë e kreut të grupit të PD bie ndesh me atë që tha Basha nga Berati.
Basha tha dje se Komisoni i Venecias ‘kot që vjen’ pasi sipas tij Vettingu në politikë nuk ka asgjë ndryshe nga Vettingu për gjyqtarët dhe prokurorët.
“Por ajo që më bëri çudi është se nuk dimë kujt t’i besojmë zotit Spaho apo asaj që tha Basha dje në Berat, që tha se nuk e di pse po vinë,. Ndërsa sot Spaho e konsideroi takimin frytdhënës. Dje Basha tha krejt tjetër ndërsa Spaho me grupin e vet tha një gjë krejt tjetër. Nuk di kujt ti besojmë, por ne besojmë se Komisioni i Venecias është tabani i Demokracisë”, tha Manja ndër të tjera.
Më shumë nga fjala e Ulsi Manjës:
Në këndvështrimin tonë takimi me delegacionin ishte shumë i frytshëm. Ishte një takim informues, sqarues.
Ne shpresojmë dhe besojmë shumë më kompetencën e Komisionit të Venecias lidhur me opinionet e tyre për ndryshimet Kushtetuese. Qëndrimet tona do ua dorëzojmë edhe me shkrim. Ne e mirëpresim mendimin e Komisionit të Venecias si tabani i demokracisë. Ne vazhdimisht jemi konsultuar dhe kemi marrë opinione miqësore të Komisionit të Venecia. Pak më parë pati një prononcim edhe nga opozita që u shprehën se takimi ka qenë frytdhënës. Por ajo që më bëri çudi është se nuk dimë kujt t’i besojmë zotit Spaho apo asaj që tha Basha dje në Berat, që tha se nuk e di pse po vinë,. Ndërsa sot Spaho e konsideroi takimin frytdhënës. Dje Basha tha krejt tjetër ndërsa Spaho me grupin e vet tha një gjë krejt tjetër.
Nuk di kujt ti besojmë, por ne besojmë se Komisioni i Venecias është tabani i Demokracisë.