Bizneset shqiptare nuk do të kalojnë në status pasiv në rast se do të kenë detyrime të prapambetura ndaj shteti. Kështu u shpreh dje ministri i Ekonomisë dhe Financave, Arben Ahmetaj në Komisionin e Ekonomisë ku propozoi ndryshimet në procedurat tatimore. Sipas tij, këto ndryshime nuk do të lejojnë më që bizneset me detyrime të prapambetura të hapin nipte të tjera pa shlyer më parë këto borxhe ndaj shtetit.
“Kur fiktivisht ndajnë aktivitetin me qëllim shmangie tatimi, duke regjistruar me më shumë se një NIPT gjë që e kemi parë rëndom të ndodhë kur një person hap më shumë se një NIPT dhe e mbyll njërin pastaj kalon te tjetri”, tha Ahmetaj. Në lidhje me propozimin për të tatuar edhe reklamën audiovizive, ministri deklaroi se do të ketë një kontroll më të mirë nëse një gjë e tillë arrihet. Ndërsa kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Erjon Braçe, përveç kësaj kërkoi futjen në TVSH edhe librat. “Unë mendoj që libri është prioritet më i madh, pavarësisht gallatës që ka shpërthyer”, u shpreh Braçe.
Me të u dakordësua edhe ministri i Ekonomisë. Nga ana tjetër, Erjon Braçe kërkoi edhe që ndaj imputove bujqësore të ketë lehtësi fiskale me qëllim që të ulen ndjeshëm kostot për fermerët dhe të rritet produktiviteti. Ahmetaj iu kundërpërgjigj duke deklaruar se do të shihet mundësia e balancimit midis uljes së TVSH dhe rimbursimit. Por ky propozim nuk i pëlqeu fort Braçes. Midis Arben Ahmetajt dhe Erjon Braçes nuk munguan as debatet lidhur me unifikimin e tarifave doganore. “Unifikimi nuk sjell diferencim. Kjo nuk është hera e parë që përdorim tarifën si instrument. Nuk shoh asnjë shqetësim”, sqaroi ministri. Por Braçe u shpreh kundër. “Mua nuk më shkon të pranoj këtë logjikë, në momentin që dogana ka vështirësi të bëjë detyrën. Nëse dogana ka vështirësi të bëjë detyrën, të kthehet të bëjë detyrën, jo të prishim një politikë të vendosur këtu dhe që buron nga dokumente dhe angazhime nga BE e komunitete. Nga relacioni kuptoj se pavarësisht se nga pjesa më e madhe e produkteve frigoriferike vijnë nga Kina, Rumania, Polonia, të gjitha pothuajse 77% e tyre zhdoganohen në katër kode që kanë tarifën 2%”, deklaroi Erjon Braçe.