Kryetari i Grupit Parlamentar të PD, Edmond Spaho tha se misioni parësor i opozitës është “shkërmoqja” e qeverisjes së kryeministrit Rama.
Sipas tij, Rama është ideatori dhe zbatuesi i planit për shkatërrimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Duke folur për procesin e zgjedhjeve lokale, të cilat do të zhvillohen vitin e ardhshëm, Spaho shtoi se PD është e vendosur të hyjë në garë, por me kushtin për të frenuar zhvillimin e zgjedhjeve kriminale.
“Shqetësimi më i madh për Partinë Demokratike është standardi i zgjedhjeve. As mos të keni dyshim se PD do të hyjë në zgjedhje. Në Shqipëri në 6 vitet e fundit është votuar, por nuk ka patur zgjedhje normale. Ne do të punojmë fort që Shqipërisë ti garantohen zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Në Shqipëri, rezultatin e zgjedhjeve e përcakton krimi” tha Spaho në News24.