Ekspozita “Histori në dru” prezanton për publikun 30 vepra të piktorit të njohur Gazmend Leka në galerinë e artit “Kalo”. Ekspozita kuruar nga Ardian Isufi përmban veprat e koleksionit të kësaj galerie të mbledhura ndër vite. Piktori shprehet se janë punime, që datojnë që nga 1990 dhe deri në vitet e fundit. Piktori Gazmend Leka tregon se këtë herë kjo ekspozitë është si një udhëtim ndër vite me punët e tij. “Ekspozita nuk është ndërtuar si një cikël. Është thjeshtë një udhëtim imi ndër vite. Koleksioni “Kalo” ka 52 vepra të miat”, tregon piktori Leka. Kjo ekspozitë sipas tij ka qenë si një surprizë, dhe si një dhuratë në 65 vjetorin e tij. “Ishte një ekspozitë surprizë për mua, pasi unë e mora vesh vetëm dy ditë përpara hapjes. Qe hera e parë që unë nuk merrja pjesë në organizim, ndërkohë që të gjitha ekspozitat e mija janë bërë në prezencën time. z. Kalo zgjodhi për kurator z. Ardian Isufi dhe ja besoi atij gjithë organizimin kuratorial. Ditën e hapjes, unë isha si një vizitor i thjeshtë. Për herë të parë, prej shumë kohësh, pashë veprat e mia të mbledhura bashkë. Ndjesia ishte disi e beftë, pasi po e shihja edhe si autor dhe si vizitor ekspozitën. Ishte si një dhuratë nga dy miqtë e mi, me rastin e 65 vjetorit”, pohon piktori Leka. Ekspozita “Histori në dru” vjen pas asaj me titull “Lutja” në galerinë FAB me punimet e piktorit. Por ai tregon se gjithçka deri tani është përcjellë me emocione. “Si ngjarje, vinte fill pas ekspozitës “Lutja”, me pikturat e fundit, që kisha bërë dhe isha ende në goditjen emocionale të saj. M’u duk një moment, që nuk do të mundja ta përballoja dot edhe një emocion tjetër, por z. Kalo bashkë me z. Isufin, më kursyen dhe më dhanë mundësi që vetëm të shijoja nostalgjinë e punës në vite. Ndërsa shihja pikturat, m’u rikthyen shumë ngjarje të kohëve të shkuara. Pashë edhe njëherë rrugën në të cilën kisha shkelur. Dimensionet e ndryshme të veprave, teknikat nga sepja, akriliku dhe vaji, suportet nga letra, druri dhe kanavaca e bënin prezantimin shumë elokuent. Nuk ishte më “Lutja”, si një ekspozitë me program, bërë në vitin 2018, por një shtrirje e gjatë kohore, qysh pas viteve 1990”, vijon piktori. Publiku në galerinë “Kalo” këto ditë gjen të ekspozuara 30 vepra të piktorit Gazmend Leka, i cili shprehet se për artistin ka shumë rëndësi ekspozimi i veprës. “Ato merren nga koleksionistë dhe nga publiku i thjeshtë e të zhduken nga sytë. Të mbetet vetëm një foto si kujtim, por koleksionistët-galeristë të bëjnë të rijetosh veprën tënde. Prandaj ishte e një rëndësie të veçantë kjo ekspozitë e papritur”, nënvizon piktori.
Koleksionistët dhe veprat e artit
Galeria “Kalo” për piktorin Gazmend Leka është një ndër më aktivet në vend. Kalendari i saj, është i mbushur me aktivitete gjatë gjithë vitit, në Shqipëri dhe jashtë saj, ku prezantohen artistë shqiptarë dhe të huaj. “ Por z. Përparim, nuk harron të prezantojë herë-herë dhe pjesë nga koleksioni i tij privat. Koleksioni tij është shumë i pasur. Në ambientet e saj, u prezantua për publikun një pjesë e këtij koleksioni, me veprat e mia të mbledhura ndër vite. E pagëzoi “Histori në dru””, vijon Leka. Për piktorin nuk është bashkëpunimi i parë me galerinë “Kalo”, që sipas tij merr vëmendje nga artistët për aktivitetin e saj. “E thashë edhe natën e hapjes së ekspozitës, që në Shqipëri po lind një specie e re, ajo e koleksionistëve. Nuk janë më dashamirës spontan të arteve të bukura, por personazhe shumë të rëndësishëm, të cilëve sot për sot nuk i njihet ende vlera. Janë frymëmarrje për artistin dhe njëkohësisht kanë një mision shumë të rëndësishëm në mbledhjen dhe konservimin e veprave të artit. Ishte detyrë e Galerisë Kombëtare që të pasuronte vit pas viti fondin e sajë, por sikurse e kemi thënë, galeria më e rëndësishme e Shqipërisë është deri më tani e atrofizuar. Në këtë kuptim, këta koleksionistë dhe galeristë privatë, do jenë historia e artit në vendin tonë pas viteve ‘90, pasi kanë mbledhur vepra edhe si dëshmi të kësaj historie”, tregon piktori Leka. Ndërsa këto ditë për publikun prezantohen veprat në ekspozitën “Histori në dru” artisti tregon se deri në dhjetor, do të ekspozojë edhe në dy ekspozita të tjera në grup./Julia VRAPI